Trafikimi i qenieve njerëzore është një prej bizneseve më fitimprurëse të organizatave terroriste, si Shteti Islamik i Irakut dhe Levantit (ISIS) dhe ata e praktikojnë atë në Ballkan për të financuar aktivitetet e tyre, thonë ekspertët. Kjo tregti e paligjshme sjell më shumë para se tregtia e drogës apo tregtia e armëve, sipas Ivan Babanovskit, profesor pranë Fakultetit të Sigurisë në Shkup.
“Në këtë mënyrë, ekstremistët islamikë financojnë aktivitetet e tyre në Irak, Siri, Somali, Eritre dhe në zona të tjera të nxehta. Në Ballkan, paratë nga trafikimi i qenieve njerëzore përdoren për të zgjeruar islamin radikal dhe për të rekrutuar dhe trajnuar luftëtarë, përveç financimeve të tjera që marrin aktivistët e tyre lokalë”, tha Babanovski.
Babanovski tha se autoritetet duhet t’i shohin emigrantët e paligjshëm që kalojnë përmes Ballkanit si viktima të mundshme të trafikimit nga organizatat terroriste.
“Për të ardhur në Evropë, trafikantët duhet të kalojnë përmes itinerarit Turqi-Greqi-Maqedoni, i cili deri më tani është më i zhvilluari. Ata i përkasin ISIS-it ose 150 organizatave të tjera terroriste të formuara në Irak dhe Siri. Duke u hequr si emigrantë, ata infiltrohen si luftëtarë xhihadistë nëpër BE dhe marrin detyra që të kryejnë aktivitete terroriste ose mbështetëse”, tha Babanovski.
Vendet e Ballkanit po bëhen pjesë e rëndësishme e përpjekjeve të militantëve islamikë për trafikimin e qenieve njerëzore, tha Vasko Nikoloski, profesor pranë Universitetit MIT në Shkup.
“Ky është një prej burimeve kryesore të financimit të ISIS-it. Megjithatë, ndonjëherë gratë apo vajzat e trafikuara përfundojnë në kampet e ISIS-it, ku trajnohen dhe përdoren si terroriste kamikaze për nevojat e ISIS-it”; tha Nikoloski. Çdo vit llogaritet se bien viktima të trafikut 4 milionë vetë, nga të cilët 1,2 milionë janë fëmijë. Bashkëpunimi rajonal në luftimin e trafikimit të qenieve njerëzore po zhvillohet me një hap të mirë, sipas zyrtarëve të OSBE-së.