Gazetari i njohur Arjan Çani është shprehur se vrasja më mafioze për këtë vit sipas tij është ajo e ndodhur në Mbikalimin e Fushë-Krujës, ku i vdekur mbeti kushëriri i Ervis Martinajt, Brilant Martinaj, Diklen Vata dhe Besmir Hoxha.
Çani shton se në lidhje me këtë ngjarje kanë mbetur shumë elementë të pazbardhur, duke filluar nga bllokimi i rrugës për të bërë vrasjen, e cila sipas tij është e pamundur pasi është një rrugë nacionale.
“Krimi më i frikshëm I këtij viti është krimi në mbikalimin e Fushë-Krujës ku u vra i afërmi i Martinajt. Ishte një gjë e pa parë dhe e pa dëgjuar. Kanë munguar shumë elemente të dinamikës së ngjarjes. Është e pamundur të bllokosh një rrugë nacionale për të bërë një vrasje. Mua më ka lënë një shije që pas kësaj ngjarje nuk mund të ketë vetëm një individ, mënyra e ekzekutimit ishte spektakolare, ishte një llahtari. Kjo tregon për një lloj performancë të paparë të krimit në Shqipëri.
Po ta mendosh se kush janë burimet e krimit në Shqipëri, dy më kryesoret që gjenerojnë krimin për mendimin tim janë trafiqet në përgjithësi sidomos i drogës dhe prona në Shqipëri. Kemi 30 vite që ende komshiu nuk ka zgjidhur problemet me komshiun”, tha Çani në “Top Story”.