Gjykata e Apelit të Durrësit ka rikthyer sërish në detyrë 6 efektivët e policisë së Elbasanit, të cilët u pezulluan kur nisën hetimet për vrasjen e Pjerin Xhuvanit, katër ditë para zgjedhjeve të 25 prillit.
6 efektivët u pezulluan nga detyra pasi ditën kur ndodhi vrasja, policët Dedion Durakun, Pëllumb Biçakun, Erion Ballën, Erion Meçen, Donald Dedjen dhe Besmir Kadiund, ishin në detyrë.
Efektivët u pezulluan nga detyra me vendim gjykate pas kërkesës së prokurorisë së Elbasanit, me akuzën për “Shpërdorim detyre”, ndërsa Apeli sot i ka rikthyer në detyrë.
Kujtojmë se ngjarja e rëndë ndodhi katër ditë para zgjedhjeve të 25 prillit në qytetin e Elbasanit, ku militantë të Partisë Socialiste u përplasën me të anëtarët e të ashtuquajturës Struktura e Mbrojtjes së Votës, e Partisë Demokratike. Konflikti fizik degjeneroi në përdorimin e armëve të zjarrit dhe për pasojë ndërroi jetë mjeku Pjerin Xhuvani, eksponent i PS.