Artistja e njohur shkodrane, Justina Aliaj, vitin e kaluar kaloi sprovën më të madhe, luftën me Covid-19.
Për shkak të simptomave të rënda ajo u detyrua që të shtrohej në spitalin infektiv, ku fatmirësisht arriti që ta mposhte virusin. Së fundmi ajo ka rrëfyer këtë periudhë të vështirë të jetës së saj dhe momentet kur ishte në koma duke theksuar se beson verbërisht se ka një jetë të përtejme.
Këngëtarja ka treguar se çfarë kaloi në periudhën kur ishte në koma, çfarë pa dhe momentet e lumturisë që ndjeu.
“Isha në koma. Kujtoj shumë nga ajo kohë. Unë e besoj verbërisht që ka një jetë të përtejme. Po kjo ishte sprovë. Shikoja një dritë tuneli, shikoja vetëm ujë, ujë, ujë, lule ngjyra-ngjyra. Uji ishte i kaltër, si jeshil siç nuk e kam parë kurrë më parë. Isha krejt vetëm, isha shumë e lumtur derisa sa shkoja te dera, aty më mbyllej dhe nuk shkoja.
Nuk ka nocion kohe, as gjeografike, asgjë. Ishte jashtëzakonisht bukur. Sot nuk e kam frikë vdekjen.
Mbas asaj sëmundjes më ranë flokët dhe I them vetes si mund të dal në ekran. Filluan të dalin flokët që ishin bosh dhe u përdrodhën. Unë dola, kur ranë isha shumë e mërzitur”, tha ajo.
Justina Aliaj është një këngëtare e njohur dhe muzika ku identifikohet më shumë është ajo e lehtë. Sakaq, interpretimet e saj si aktore kanë qenë të shumta si te; “Rrethi i kujtesës”, “Bernand Alba”, “Gratë trojane”, “Nobodysees”, “Tartufi” etj.