Reforma në arsim po has kundërshtimin e një pjese të aktivistëve të shoqërisë civile dhe ish zyrtarë të mëparshëm. Majlinda Keta, një ish-drejtuese e PS, aktualisht pedagoge, në profilin e saj në facebook bën ironi me reformën.
“Paska qenë alarm i rremë që testimi ka forcën e prekjes së vendit të punës. Qenka për elementë studimorë. Dhe qendër kërkimi është ministria dhe stafi politik. Eshtë në kundërshtim me ligjin. A ka agjenci studim kërkimi në varësi të Ministrisë? Shefat vazhdojnë: Do të kuptojmë situatën!!! Akoma nuk e njohin?” ironizon Majlinda Keta.
Në debat ka hyrë edhe Zef Preçi, aktualisht drejton një OJF e dikur ka qenë ministër gjatë qeverisjes së Ilir Metës. “Eh moj zyshe, imagjinoje veten në testim nga një grup që ka mbaruar universtitetin te Kristali, që kur t’i fshihet emri, s’e mbajnë as mend ku ka qenë si ndërtesë. Unë kam dhënë mësim në Universitet nja 10 vjet dhe për mua auditori mbetet i shenjtë. Por kam përshtypjen se ashtu si në mjekësi, në nivel ministerial, ka shumë mediokritet dhe mungesë vizioni. Dmth, po qeverisen këta sektorë “në këmbë e në dorë” dhe po flasin për gjoja reforma ata që nuk ia dinë kuptimin kësaj fjale” shkruan ai në profilin e Majlinda Ketës.
Debati mbetet i hapur për reformën më të fundit të ndërmarrë nga Ministria e Lindita Nikollës, ndërkohë që, profesorë, pedagogë, ish-pedagogë e specialistë të fushës janë të ndarë në mendimet e tyre.