Hapësire reklamuese

Sporti

Ish sulmuesi i Kombëtares: Kjo Shqipëri falë Dukës, iu tregoj Tironën legjendare

Shkruar nga Newsbomb
Ish sulmuesi i Kombëtares: Kjo Shqipëri falë Dukës, iu

Shqipëria po shkëlqen, po rrezit edhe jashtë kufijve tanë. Sa shumë tifozë ka afruar ky ekip i mrekullueshëm. Nuk mund të mbesnin jashtë as ata që kanë provuar, qoftë edhe një herë në jetë, shijen e kësaj fanele që ka vetëm dy ngjyra, kuqezi. Edhe pse vitet kanë kaluar dhe 1998-ta duket shumë e largët, Artur Maxhuni e servir të freskët, ashtu sikurse është në memorien e tij.

Në një rrëfim enkas për Newsbomb/ Newsport, ish sulmuesi i njohur tregon emocionet që përcjell kjo skuadër kombëtare. Është i drejtëpërdrejtë duke evidentuar faktin se në kohën e tij, trajnerët s’ishin në nivelin e duhur.

Në Shqipëri ka provuar të luajë vetëm me një skuadër e ajo është “Tirona legjendare” siç e thotë ai. Kujton me nostalgji atë periudhë, ndërsa prej afro 30 vitesh është zhvendosur larg kufijve shqiptarë. Fillimisht ka jetuar në Gjermani dhe më vonë në Pragë, duke luajtur me skuadra si Wehen Wiesbaden, ST Pauli, Darmstadt, Wehen Wiesbaden, Concordia Hamburg, VFL Hamburg.

Si u përjetua humbja e çekëve me Shqipërinë? Këtë dhe shumë të tjera i tregon, Artur Maxhuni, ish lojtari i formuar në shkollën e mjeshtërisë sportive në Kavajë.

- Shumë vite larg Shqipërisë, por gjithmonë keni zgjedhur të jeni i informuar me zhvillimet sportive në vendin tonë. Si e vlerëson progresin e futbollit në vendin tonë?

Unë kam afro 30 vite që nuk jetoj në Shqipëri, por futbollin e ndjek me shumë interes. Këto 10 vitet e fundit, ndryshimi padyshim është i dukshëm.

-  Keni provuar të jeni pjesë e futbollit shqiptar në vitet e tranzicionit. Si i kujton ato kohë?

Eh, emocion. Sigurisht që i kujtoj shpesh me miqtë e mi. Kanë qenë vite të tranzicionit dhe e kujtoj me nostalgji, pavarësisht kushteve të vështira që kishim.

- Tirana, një nga skuadrat me të cilën keni luajtur. Bardheblutë vijojnë traditën e trofeve, duke qenë ekipi më i titulluar në Shqipëri...

Unë kam lindur në Kavajë dhe ABC-në e futbollit e kam mësuar në atë qytet me njerëz të futbollit. Në moshën 18-vjeçare, pas mbarimit të Mjeshtërisë Sportive, kalova te Tirana. Është ekipi i vetëm që kam luajtur në Shqipëri. Tirona është Legjenda e futbollit shqiptar dhe jam krenar që kam veshur atë bluzë.

- Me kë nga ish shokët e skuadrës mbani më shumë kontakte?

Vazhdoj t’i mbaj kontaktet me shumë shokë të brezit tim si Lala, Skela, Rrica, Daiu, Bejzade dhe Kotrri.

- Në vitin 1998 keni qenë edhe pjesë e Kombëtares. Si i kujton kuqezinjtë?

Unë jam grumbulluar 2 herë me Kombëtaren. E para, në maj 1991 kundër Islandës dhe në tetor 1998 kundër Gjeorgjisë. Dhe të jem objektiv, nuk ishin eksperienca pozitive. Ashtu ishte koha. Ata trajnerë ishin dhe kaq!

- Prej atëherë deri më tani, Shqipëria ka ndryshuar jashtëzakonisht shumë. Si një ish sportist, çfarë mendon se e ka sjellë këtë ekip përfaqësues që kemi në ditët e sotme?

Për mendimin tim, çelësi i suksesit ka vetëm një emër: Presidenti Armand Duka. Njeri me vizion dhe profesionalisht i paarritshëm. Trajneri Sylvinho është një bast i fituar nga presidenti Duka.

- Kush është lojtari më cilësor dhe më i rëndësishmi i kuqezinjve?

Te ky ekip nuk mund të bësh dallime kush është më cilësori. Fryma që ka injektuar ky trajner është që skuadra funksionon në grup. Jo 11, por 23 lojtarë janë të rëndësishëm.

- Si ish sulmues, nëse do të ishe sot në krye të pankinës shqiptare. Do të lije jashtë EURO 2024, Mirlind Dakun apo Armando Brojën nëse do të kishe vetëm një mundësi zgjedhje?

Cikalleshi-Daku dhe Broja janë treshja që do na nderojnë në Gjermani, prandaj nuk do të bëja ndonjë dallim mes tyre.

- Ju kam parë dhe mjaft aktiv në rrjetet sociale. Shpesh pjesë e batutave, por ndonjëherë me gjëra të vërteta. Cili ka qenë momenti më i vështirë në kampionatin shqiptar?

E ceka dhe më lart. Duhet punuar me brezat e rinj. Vendi ynë ka nxjerrë e do të nxjerrë talente. Kryesore që të ketë trajnerë të specializuar dhe në moshat e reja. Ata janë e ardhmja.

- Ju jetoni në Pragë. Si u përjetua humbja e Çekisë me Shqipërinë?

Po është e vërtetë. Kam jetuar 14 vite në Gjermani dhe tani, prej 16 vitesh në Pragën e bukur. Do ta thoja me dy fjalë. Ndeshjen e parë në Pragë na nënvlerësuan, kurse në ndeshjen e dytë luajtën të frikësuar ndaj nesh.

- A do të shkoni në Gjermani për të ndjekur ekipin tonë përfaqësues?

Sigurisht që do të shkoj. Do ta ndjek ekipin tonë kombëtar në Gjermani. Kjo skuadër të ngroh zemrën, të bën krenarë. Besoj se do të jemi një surprizë e bukur e këtij evenimenti.

- Diçka të fundit për të shtuar?

Të parët e mi vijnë nga Kosova dhe më mërzit fakti që kohët e fundit është hapur debati i lëvizjes së futbollistëve. Ne jemi një komb kuqezi dhe ky është fakt i patjetërsueshëm. Gjithashtu më lejoni t’iu falënderoj edhe ju për intervistën.

[gallery size="full" columns="1" link="file" ids="746992,746993,746994,746995,746996,746997,746998"]

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese