
Ish-prokurori Shkëlqim Hajdari, është shprehur sot se dy nga prokurorët që kanë dhënë vendimin për ish-ministrin Saimir Tahiri, referuar dhe pretendimeve të avokatëve, kanë qenë në konflikt interesi dhe kjo do të jetë pjesë e rekursit.
Në emisionin "Pikat mbi i", Hajdari tha se çështja do të shkojë në Gjykatën e Lartë.
"Masa e dënimit është dhënë në përshtatje me shpërdorimin e detyrës, se kjo vepër penale dënohet deri në 7 vite burg. Kur të dali vendimi i arsyetuar, gjyqtarët do interpretojnë gjithë pozitën e zotit Tahiri dhe do arsyetojnë se nuk ka vend për aplikimin e nenit 59.
Nga mediat dhe pretendimet e avokatëve, dy nga gjyqtarët kanë qenë në konflikt interesi. Njërin nga gjyqtarët Tahiri ka dashur ta penalizonte për shkak të vendimeve të tij. Kjo çështje do shkojë në Gjykatën e Lartë, kjo është e sigurt. Kjo që është konsideruar shkelje, do jetë pjesë e rekursit të zotit Tahiri", u shpreh ndër të tjera ish-prokurori.
Kujtojmë se, për kryesuesin e trupës gjykuese Engert Pëllumbi në vitin 2014 ish-ministri Saimir Tahiri i dërgoi një shkresë ish-presidentit Bujar Nishani dhe ish-ministrit të Drejtësisë Nasip Naço, që të merreshin masa disiplinore për magjistratin ën fjalë pasi kishte liruar disa të arrestuar.