Ish-prokurori i njohur Shkëlqim Hajdari thotë se shpallja non-grata e Sali Berishës nga SHBA, është “vetëm fillimi i një tërmeti për zyrtarët e lartë shqiptarë”.
Hajdari tha në emisionin “Arena” se vendimi i DASH përkon me një sërë çështjesh të hapura në SPAK që kanë lidhje indirekte me Berishën.
Sipas tij, SHBA është e gatshme të sjellë të gjitha provat për Berishën nëse SPAK i kërkon në rrugën e duhur zyrtare.
“Është e qartë, SHBA ka prova. Kjo duhet ta gëzojë popullin shqiptar. Spak është ngritur, çështjet që lidhen indirekt me Berishën kanë filluar. Privatizimi i ish-kompleksit partizani, Gërdeci. Kemi dhe një denoncim të ish-bodigardit të Berishës, Izet Haxhia. Unë mendoj se ndryshe nga herët e tjera, SHBA si pasojë e bashkëpunimit me SPAK, të gjitha provat, nëse do i kërkojë SPAK, do i sjellë në Shqipëri. Ky është fillimi i një tërmeti për zyrtarët e lartë shqiptarë që kanë abuzuar. Është zgjedhur një nga njerëzit më të fortë. Të tjerët s’do na bëjnë përshtypje”, deklaroi Shkëlqim Hajdari.