Ish-presidenti Donald Trump, kandidati kryesor republikan në garën presidenciale të vitit 2024, tha të premten se nëse rizgjidhej në krye të Shtëpisë së Bardhë do të shfuqizonte të gjitha kufizimet e armëve të miratuara nga Presidenti Joe Biden.
Duke folur para mijëra mbështetësve gjatë një takimi të organizuar nga Shoqata Kombëtare e Armëve (NRA), zoti Trump u zotua se do të anulojë një rregull që kufizon shitjet e aksesorëve të armëve dhe kufizime të tjera të vendosura nga administrata e Presidentit Biden.
“Sulmi i Bidenit ndaj pronarëve dhe prodhuesve të armëve do të përfundojë që gjatë javës së parë të rikthimit tim në detyrë, ndoshta që ditën e parë”, tha zoti Trump gjatë fjalimit të mbajtur në Harrisburg, të Pensilvanisë.
Shoqata Kombëtare e Armëve mbështeti fort zotin Trump gjatë garës së vitit 2016 dhe gjatë gjithë administratës së tij, duke e përkrahur kur emëroi tre gjyqtarë konservatorë në Gjykatën e Lartë dhe kur miratoi një sërë masash të kërkuara nga lobi pro armëmbajtjes. Mes masave ishte edhe ai që i përcaktoi dyqanet e armëve të zjarrit si biznese thelbësore gjatë periudhës së pandemisë COVID-19, duke i lejuar këto biznese që të qëndronin hapur.
Zoti Trump, ndër të tjera, vuri në dukje se si i rezistoi trysnisë për të vënë kufizime për armët gjatë mandatit të tij në Shtëpinë e Bardhë nga 2017-2021.
“Gjatë 4 vjetëve të mandatit tim nuk ndodhi asgjë, edhe pse ndaj meje kishte trysni të madhe lidhur me armët. Ne nuk bëmë asgjë, nuk u dorëzuam”, tha zoti Trump./Marre nga VOA/