Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Politikë

Ish-ortaku i Presezzit: Veliaj ulej për dreka e darka me pronarët e inceneratorit!

Shkruar nga Newsbomb
Ish-ortaku i Presezzit: Veliaj ulej për dreka e darka me pronarët e

Gabriele Tarroni Longinotti, një nga bashkëpunëtorët e dikurshëm të Alberto Presezzit, ka treguar në një intervistë të dhënë për emisionin Kronos në MCN TV se gjatë kohës që ka qënë partner në biznes me Presezzin ka parë shumë politikanë shqiptarë të hyjnë e të dalin te zyra e tij.

Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare e Biznesit në Shqipëri, Alberto Presezzi me dokumente rezulton pronar përfitues i shoqërisë “Integrated Energy BV SPV”, kompania që ka në pronësi inceneratorët.

Alberto Presezzi, shtetas italian, i datëlindjes 1969, Pronar Përfitues për 40% të Pronësisë, pasi zotëron 100% të kapitalit të shoqërisë “Bruno Pressezi” S.p.a, e cila zotëron 100% të kapitalit të shoqërisë “Franco Tosi Meccanica” S.p.a, dhe kjo e fundit zotëron 40% të kapitalit të shoqërisë GeoGenix (mëma e Integrated Energy BV SPV për 100% të pronësisë).

 “Unë isha në një zyrë me Alberton, dhe jo vetëm që punonim bashkë por e kisha dhe shok. Unë jam rritur me të. Më tregonte çdo gjë. Unë kam parë politikanët shqiptarë që shkonin te zyra e tij, kam parë shumë njerëz që kalonin te zyra. Dhe unë e kam mësuar më vonë se cilët ishin. Nuk mund t’i them emrat. Më jepni dot mbrojtje mua dhe familjes? Sepse SPAK nuk më ka dhënë mbrojtje. Kush më jep mbrojtje?!” thotë në një intervistë nga Dubai, Gabriele Tarroni Longinotti.

Intervistën e dhënë nga ish numri dy i qeverisë shqiptare Arben Ahmetaj, Longinotti e sheh si jo të plotë dhe bën thirrje që ai të tregojë emrat e pronarëve të vërtetë të inceneratorit.

 “Unë e dëgjova të gjithë intervistën që bëri ish-zëvendës kryeministri. Përveç faktit që nuk tha asgjë sepse ai ka më shumë frikë nga të gjithë, kjo është një skandal sepse tregoi vetëm 40% të aksioneve. Nëse një kompani ka 100% aksione, trego se kush ka 60%. Ai e di shumë mirë. Mjafton ta pyesni atë se cilët janë. Kush është pronari i ICARE? Alberto Presezzi! Ciaffagione është punonjës i Alberto Presezzit.

Pronar i kompanisë Franco Tosi është Tuga. Kush është pronar që ka aksione përveç tij te Tuga? Mapna. Kush është Mapna? Kompania shtetërore e energjisë e Iranit. Drejtor i përgjithshëm i saj ka qënë gjithmonë Ali Abadi, sapo ndodhi kjo rrëmujë me këto që unë kam thënë, Ali Abadi u bë ministër i Minierave për të marrë pasaportë diplomatike që askush të mos e ndalojë kur udhëton. Më është thënë gjithashtu se ka patur një udhëtim të dikujt shumë të rëndësishëm nga Shqipëria në Iran.” tregon ai.

Gabriele Tarroni thotë se kompania që ka 40% të aksioneve te inceneratori i Tiranës, Franco Tosi Meccanica ka marrëdhënie biznesi me shoqërinë shtetërore të energjisë në Iran “Mapna”. Kronos arriti të verifikojë përmes faqes zyrtare të Mapna themelimin e një firme të përbashkët, ku Franco Tosi Meccanica ka 45% dhe Mapna 55%, por deri tani nuk ka asnjë dokument që të tregojë lidhje të transaksioneve nga Irani me llogaritë e inceneratorit të Tiranës.

Megjithatë në intervistën e tij, Gabriele Tarroni deklaroi se ka qënë i pranishëm në të paktën dy raste, kur Giusepe Ciaffalgione dhe Miliad Lopa janë takuar me kryetarin e bashkisë Erjon Veliaj. Ai thotë se ka qënë dhe vetë i pranishëm në këtë takim dhe se Lopa ishte shoferi i tij, ndërsa Ciafflagione një ‘presta nome’ i përdorur si pronar i inceneratorit të Tiranës.

 “Kryebashkiaku i Tiranës mund të thotë çfarë të dojë, por unë e kam parë dy herë, mbase tre. Por dy herë është e sigurtë. Fliste shumë mirë italisht. Njëherë e kam takuar te Chiocolatti Italiani dhe te Tribe njëherë tjetër. Të gjitha herët kemi qënë aty me ‘presta nomen’ e Presezzit. Kur shkoi me nipin e diktatorit për të takuar Edi Ramën unë isha aty. Unë i di të gjitha për inceneratorin, por nuk kam qënë vetë asnjëherë i përfshirë sepse nuk kam lidhje me Shqipërinë.

Ai njihte Ciaffagionen, Lopan dhe këtë avokaten me flokë të kuqe të gjatë. Flisnin për disa ndihma për tërmetin që kishte rënë në Shqipëri. Lopa është shoferi im, është personi që pastron tualetin, që ka nivelin më të ulët dhe Presezzi kur u pyet tha që ishte menaxheri më i rëndësishëm i kompanisë së tij, e imagjinoni dot?!” sqaron Gabriele Tarroni.

Gabriele Tarroni ka patur një histori miqësie dhe biznesi me Alberto Presezzin, por të dy janë përfshirë në një konflikt. Presezzi e ka akuzuar Tarroni Longinottin se kishte përvetësuar një shumë të konsiderueshme parash nga një firmë e përbashkët që kishin, ‘Gala’.

Për këtë Gabriele është arrestuar, por në fund ka fituar pafajësinë nga Gjykata e Apelit në Tiranë. Ai thotë se i është vendosur ekspuls dhe nuk lejohet të hyjë në territorin shqiptar me qëllimin e vetëm për t’i mbyllur gojën. Të gjithë historinë ai e konsideron të stisur pasi ka kërcënuar Presezzin se do të publikonte informacione sensitive që dinte për të.

 “Dy oficerët e policisë gjyqësore që më arrestuan ku janë? Përse nuk punojnë më në polici? Sidomos njëri, për kë punon tani? Ju duhet të niseni nga kjo pikë. Ku është kompjuteri im me të gjitha të dhënat sensitive? Përse kur më arrestuan, gjëja e parë që bënë ishte marrja e kompjuterit, telefonit, iPad-it? Një nga këta që e dinte shumë mirë dhe që më thoshte se nëse flet merr 10 vjet burg, një nga këta pas dy muajve nuk punoi më në polici dhe shkoi të punojë te inceneratori. Përse, mund ta shpjegojë njeri?” pyet Gabriele.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese