
Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj është pyetur nga gazetarët pas daljes së tij nga ambientet e SPAK, mirëpo ai ka zgjedhur të hesht.
Beqaj ka qëndruar brenda vetëm pak minuta, ku ka firmosur para oficerit të BKH-së, pasi ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “Detyrim paraqitje”.
Sipas vendimit të GJKKO, ish-ministri Beqaj duhet të paraqitet në SPAK çdo të të premte në orën 15:30. Prokuroria e Posaçme mori pandehur ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe kërkoi në gjykatë caktimin e masës së sigurisë ndaj tij.
Po ashtu, Prokuroria e Posaçme vendosi dhe një masë tjetër sigurie për ish-numrin dy të Shëndetësisë shqiptare, duke i bllokuar pasaportën. Për rrjedhojë, Ilir Beqaj nuk mund të dalë nga Shqipëria, shkruan newsbomb.al.
Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj rezulton se është lënë jashtë hetimeve për koncesionin e sterilizimit, nga Prokuroria e Posaçme, ndaj kur aktet e dosjes kanë mbërritur në gjykatë është kërkuar nisja e një hetimi pasuror dhe thellimi i hetimeve për disa vepra të tjera penale. Në muajin shtator, Gjykata e Posaçme ka urdhëruar SPAK që të kryejë hetime të thelluara pasi ka indicje për disa vepra penale, në ngarkim të ish-ministrit.
“Gjykata çmon se, ka indicje të mjaftueshme që Prokuroria e Posaçme të kryejë veprime hetimet edhe për veprat penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsion pasivi funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, e kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”, thuhet në dokumentin e GJKKO.
Togat e zeza bënë me dije se në fashikullin hetimor këto episode nuk janë të evidentuara, ndaj u kërkua të kryhen hetime të thelluara për të provuar nëse biznesmeni Ilir Rrapaj dhe shtetasi tjetër italian kanë marrë përfitime të parregullta që rrjedhin nga korrupsioni, nga ministri Ilir Beqaj.