Ish-luftëtari i UÇK-së, Dritan Goxhaj ka kallëzuar në SPAK ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja për shpërdorim detyre. Goxhaj ka ngritur akuza ndaj ministrit Manja lidhur me procedurat dhe pranimin e kërksave të Gjykatës Speciale të Kosovës për ekstradimin e tij.
Në padinë e ngritur ish-luftëtari i UÇK-së, shkruan se Manja jo vetëm si ministër i Drejtësisë, por edhe si deputet i Parlamentit të Shqipërisë ka dijeni se vendi ynë nuk ratifikuar dhe as e ka bërë ndonjëherë pjesë së marrëveshjes së ekstradimit me Kosovën, Ligjin Special mbi të cilin janë ngritur Dhomat Speciale të Kosovës.
“Neni 11 i Kodit Penal sanksionin se ekstradimi nuk lejohet: Në qoftë se vepra penale që përbën objektin e kërkesës për ekstradim ka një karakter politik ose ushtarak”, shkruhet në padi. Goxhaj ka kërkuar fillimin e një procedimi pendal ndaj ministrit Ulsi Manja për veprën penale “Shpërdorim Detyre”.
Dritan Goxhaj u arrestua më 31 korrik për llogari të Gjykatës Speciale, pasi akuzohej për kryerjen e veprave penale “Frikësimi gjatë procedurës penale” dhe “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, parashikuar nga legjislacioni penal i Republikës së Kosovës. Arrstimi i tij u bë me pretendimin se ka nxjerrë emrat e dëshmitarëve të disa çështjeve penale, të ngritura pas përfundimit të luftës në Kosovë.
Ish-luftëtari i UÇK-së edhe më herët regoi për vendimin e marrë nga Gjykata e Tiranës lidhur me ekstradimin e tij për në Hagë. Nga qelia asoj kohe Goxhaj shkruajti një letër ku e cilësoi si të padrejtë vendimin e marrë dhe akuzoi ministrin Ulsi Manja, gjyqtaren e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm të Tiranës, Alma Kolgjoka, kryeprokurorin e Tiranës, Arens Çela dhe disa zyrtarë të tjerë. Me këtë vendim të marrë Goxhajtha se kanë vërtetuar që Serbia është instaluar thellë te Prokuroria dhe sistemi i drejtësisë. Ai la qelinë më 10 tetor. Menjëherë pas daljes Goxhaj tha se arrestimi i tij ishte një tentativë për ta trembur dhe për t' ua mbushur mendjen se UÇK nuk ishte në rrugën e drejtë.
“Dua t’ju them qe lirinë nuk e kishim humbur asnjëherë, as unë as Uçk dhe as ata të tjerët që janë në Hagë, ishte tentativë për të na trembur e për të na thënë e mbushur mendjen se nuk ishim në rrugë të drejtë. Sot megjithë përpjekjet e reformës për drejtësi për të hequr nga sistemi, të aftë dhë patriotë, arritëm t’iu tregojmë sërish se jemi në rrugën e drejtë dhe kemi luftuar drejtë,” tha Goxhaj në tetor të këtij viti.
LEXO EDHE: “Lirinë nuk e kisha humbur,” Dritan Goxhaj lë qelinë: Jemi në rrugën e drejtë
Kallëzimi i plotë në SPAK i Dritan Goxhajt
I Nderuar Drejtues i Prokurorisë së Posaçme!
Unë kallëzuesi Dritan Laver Goxhaj i arrestuar më datë 31.07.2023 me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, lëshuar në mungesë me datë 20.07.2023 me vendim nr 1123 akti. Vendim ky i marrë pas kërkesës së Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridsiksionit të Përgjithshëm Tiranë për arsye ekstradimi, në bazë të kërkesës së Dhomave Speciale të Kosovës me seli në Hagë në Mbretërinë e Vendeve të Ulta Hollandë.
Vendim ky lënë në fuqi edhe me datë 02.08.2023 me Nr 1735 Regjistri Themeltar
Kërkesë kjo e inicuar nga Ministri i Drejtësisë i Republikës së Shqipërisë z. Ulsi Manja, duke iu drejtuar me anë të shkresës Nr.830/1 Prot datë 26.06.2023 Drejtorisë së Marëdhënieve Juridiksionale me Jashtë të Prokurorisë së Përgjithshme, me anë të së cilës i jep rrugë kërkesës për ndihmë juridike të Dhomave Speciale të Kosovës të drejtuar direkt Ministrisë së Drejtësisë të Republikës së Shqipërisë me anë të shkresës të titulluar “Notë Verbale” Ref:Nv2023/0026
Në rastin konkret z.Ulsi Manja në detyrën e ministrit jo vetëm që pranon një letër porosi pa u përcjellë praktika e ardhur për ekstradim nga Ministria e Drejtësisë së Kosovës me nënshkrimin përkatës të titullarit të saj, por pamvarësisht eksperiencës së tij të mëparshme ligjore si prokuror i Prokurorisë së Shtetit, pranon një kërkesë për ekstradim drejt Mbretërisë së Vendeve të Ulëta Hollandë, i vetëdijshëm që Shteti Shqiptar nuk ka asnjë marëveshje ekstradimi me shtetin e Hollandës.
Gjithashtu ministri dhe ministria që ai drejton duket qartësisht se ata i kanë studiuar të gjitha aktet e ardhura pranë kësaj ministrie nga ana eDhomave të Specializuara për rastin në fjalë. Këtë fakt e vërteton data që mban dokumenti i titulluar Notë Verbale Ref:NV2023/0026 i marrë në dorëzim nga ministria më datë 23.06.2023 dhe kjo ministri ka njoftuar dhe ja ka kaluar aktet Prokurorisë së Përgjithshme me datë 26.06.2023 me anë të shkresës Nr.830/1 Prot.
Gjatë kësaj kqyrje të akteve nga ana e tyre edhe pse e kanë vënë re që bëhet fjalë për një kërkesë qartësisht politike dhe të jashtëligjshme për ligjet e shtetit Shqiptar, pasi në atë këkrkesë në faqen 1 të saj në pikën A “Veprat Penale dhe paraqitje e shkurtër e fakteve “shkruhet se “ me anë të një postimi të bërë më datë 1 janar 2023 në faqen e tijë të Facebook nëpërmjet një shkrimi që mban emrin e tijë”, fakt kjo që tregon qartësisht se kërkesa për arrestim dhe ekstradim bëhët për shkak se unë kamë shfrytëzuar të lirinë e shprehjes e garantuar nga Kushtetuta e Shqipërisë dhe Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut dhe të Drejtat Themelore.
Gjithashtu po në këto akte të disponuara nga ministri dhe ministria, shkruhet e zeza në të bardhë në dokumentin me titull “Fletëarrestim për Z.Dritan Goxhaj” ku në pikën B të saj me titull “Domosdoshmëria e Arrestimit” në faqen numër 3 të këtij fletëarresti në pikën 3/iii shkruan
“U ka bërë thirrje të tjerëve për të mbrojtur UÇK-në”. Kjo përcakton qartësisht se qëllimi i kësaj kërkese për ekstradim është tërësisht politik.
Ulsi Manja i vetëdijshëm totalisht se kjo kërkesë e ardhur tek ai direkt është në shkelje të ligjeve të Shtetit Shqiptar dhe Konventës Europiane Për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, sërish i ka dhënë zor duke u nxituar për të realizuar këtë ekstradim edhe pse ka pasur të gjitha mundësitë kohore dhe ligjore që të mos rrëshkiste drejt kryerjes së veprës penale Shpërdorim Detyre me anë të praninit të kësaj kërkese dhe dhënies rrugë të ndihmës juridike.
Ky nxitim dhe dëshirë e Ulsi Manjës për të kryer këtë ekstradim edhe pse i vetëdijshëm në shkelje ligjore nga ana e tij, vërtetohet me faktin dhe shfaqet në përmbajtjen e shkresë
Nr 986/12 prot të datës 28.07.2023, ku i komunikon Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithëshëm Tiranë, si dhe Prokurorisë së Përgjithshme dhe Drejtorisë së Marëdhënieve Juridiksionale me Jashtë autorizimin për mbajtjen e masës së sigurimit “arrest me burg”, caktuar me vendimin nr.1123 akti datë 20.07.2023 të kësaj gjykate.
Gjithashtu Z,Ulsi Manja në momentin e dhënies rrugë të ndihmës juridike të kërkuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ka qënë dhe vazhdon të jetë i vetëdijshëm dhe të ketë njohuri se këto dhoma nuk kanë kompetencë Juridiksionale, Territoriale dhe Lëndore për rastin dhe akuzën ndaj meje, pasi ato gjykojnë vetëm Krimet e Luftës dhe Krimet Kundër Njerëzimit.
Faktin se Z.Ulsi Manja ka dijeni të plotë për sa më lart se këto Dhoma të Specializuara të Kosvës nuk kanë kompetencë Juridiksionale, Lëndore dhe Territoriale në rastin tim, vërtetohet nga pjesëmarrja dhe votimi nga na e tij të Rezolutës së Parlamentit të Shqipërisë të datës 21 korrik 2022 mbi “Pabazueshmërinë e Pretendimeve për Trafikimim e Paligjshëm të Organeve Njerëzore në Kosovë e Shqipëri”.
Duke qënë se Z.Ulsi Manja jo vetëm si Ministër i Drejtësisë por edhe si Deputet i Parlamentit Shqiptar ka dijeni të plotë se Parlamenti Shqiptar nuk ka ratifikuar dhe as e ka bërë ndonjëherë pjesë së marëveshjes së ekstradimit me Kosovën, Ligjin Special mbi të cilin janë ngritur Dhomat Speciale të Kosovës, si dhe bazuar mbi të gjitha sa më lart:
Vërtetohet se shtetasi Ulsi Manja në funksion të detyrës së tij ka vepruar në kundërshtim me të gjitha nenet e specifikuara më lart në pikën “ Baza Ligjore”, dhe ka qënë plotësisht i vetëdijshëm për kryerjen e një veprimi jo ligjor duke shkelur në veçanti nenet:
Ligji Nr2/2013
Nenin 6 Ekstradimet e shtetasve
- Kërkesat për ekstradimin bëhen drejtpërdrejt midis autoriteteve të tyre qendrore.
Nenin 13 Kërkesa dhe dokumentet shoqëruese
- Palët i paraqesin me shkrim kërkesat për ekstradim dhe dokumentet e tjera shoqëruese në rastin e Ministrisë së Drejtësisë të Republikës së Shqipërisë, drejtuar Ministrisë së Drejtësisë të Republikës së Kosovës në gjuhën shqipe ose serbe dhe në rastin e Ministrisë së Drejtësisë të Republikës së Kosovës drejtuar Ministrisë të Drejtësisë të Republikës së Shqipërisë në gjuhën shqipe.
Neni 20 Procedura e zbatueshme
Përveç rasteve kur kjo Marrëveshje parashikon ndryshe, procedurat lidhur me ekstradimin apo arrestin e përkohshëm rregullohen nga legjislacioni i palës së kërkuar.
Ligji Nr 3/2013
Neni 2 Autoritetet qëndrore dhe gjyqësore
1/i. Autoritetet qëndrore janë ministritë e palëve respektive
Neni 6 Ekzekutimi i kërkesës
- Pala e kërkuar ekzekuton, sipas procedurave të parashikuara në legjislacionin e saj të brendshëm, këkrkesat sipas kësaj Marëveshjeje.
Neni 11 i Kodit Penal sanksionin se ekstradimi nuk lejohet:
“ Në qoftë se vepra penale që përbën objektin e kërkesës për ekstradim ka një karakter politik ose ushtarak”. Karakterin politik të saj është përcaktuar në fletarrestin e sipërcituar dhe bashkëngjitur këtij kallzimi.
Duke qënë se z.Ulsi Manja në cilësinë e ministrit ka pranuar kërkesën e Dhomave të Specializuara të Kosovës drejtuar direkt kësaj ministrie në shkelje të neneve të sipërcituara të Ligjit Nr.2/2013 dhe Ligjit 3/2013 “Marëveshja Ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për Ekstradimin”.
Duke i dhënë udhë kësaj kërkese të ardhur në këtë ministri jo sipas neneve dhe proçedurës ligjore të përcaktuar në ligj dhe të sipërcituar.
Fakt ky që vërtetohet nga:
- shkresa e Dhomave të Specializuara të Kosovës, të titulluar “Notë Verbale” Ref:Nv2023/0026, si dhe nga shkresat: Nr.830/1 Prot datë 26.06.2023 të lëshuar nga Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, drejtuar Drejtorisë së Marëdhënieve Juridiksionale me Jashtë , pranë Prokurorisë së Përgjithshme; dhe konfirmuar me shkresën Nr.1221/1 Prot/G.k datë 30.06.2023 të kësaj drejtorie drejtuar Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë;
Si dhe shkresën: Nr 986/12 Prot./A.H datë 28.07.2023 lëshuar nga Ministri I Drejtësisë Ulsi Manja, drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithëshëm Tiranë, si dhe Prokurorisë së Përgjithshme dhe Drejtorisë së Marëdhënieve Juridiksionale me Jashtë
Të gjitha sa më lart faktojnë konsumimin nga ana e Ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja të veprës penale “ Shpërdorim Detyre” e parashikuar dhe sanksionuar në nenin 248 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
Për sa më lart : K Ë R K O J
Praninim e kërkesëpadisë sime dhe fillimin e një procedimi penal ndaj Ministrit të Drejtësisë të Republikës së Shqipërisë Ulsi Manja, për veprën penale Shpërdorim Detyre.
KALLËZUESI
Drian Goxhaj
Bashkëngjitur këtij Kallëzimi :
- Kopje e Notë Verbale Ref:NV2023/0026 e Dhomave të Specializuara të Kosovës
- Kopje e shkresës Nr.830/1 Prot datë 26.06.2023 e Ministrisë së Drejtësisë
- Kopje e shkresës Nr.986/12 Prot./A.H datë 28.07.2023
- Kopje e shkresës Nr.1221/1 Prot/GK datë 30.06.2023 e Drejtorisë së Marëdhënieve
Juridiksionale me Jashtë pranë Prokurorisë së Përgjithshme.
- Kopje e vendimit gjyqësor me Nr.1123 akti datë 20.07.2023 lëshuar nga Gjykata e
Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë
- Kopje e vendimit Nr 1735 Regjistri Themeltar datë 02.08.2023 lëshuar nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë
- Kopje të fletarrestit lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës
- Kopje të “Urdhër për Transferim në Objektin e Praburgimit të Dhomave të Specializuara”, lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
- Kopje të “Kërkesë për Bashkpunim Drejtuar Republikës së Shqipërisë”, lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.