Tirana
clear sky
5.5 ° C
5.5 °
5.5 °
75 %
3.6kmh
0 %
Mar
11 °
Mër
11 °
Enj
15 °
Pre
17 °
Sht
17 °
E martë, 28 Mars, 2023

Ish-kreu i Komunitetit Mysliman: Asnjë imam shqiptar te inagurimi i Xhamisë së Et’hem Beut, turp i shtetit! Dukej si miting i partisë së Erdogan

Lajme të ngjashëm

Ish-kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj, komentoi për Zërin e Amerikës mosprezencën e përfaqësuesve të KMSH-së në inaugurimin e xhamisë së Et’hem Beut në Tiranë, pak ditë më parë kur erdhi presidenti turk Erdogan.

Për Bruçajn, mungesa e përfaqësuesve të KMSH-së në inaugurim ishte ishte një akti i shëmtuar dhe një turp për protokollin e shtetit shqiptar.

“Me thënë të drejtën çdo shqiptar është mirënjohës ndaj Turqisë për ndihmën e dhënë dhe investimet e bëra. Fakti që në inaugurimin e xhamisë së Et’hem Beut, nuk ishte prezent asnjë përfaqësues nga Komuniteti Mysliman është një akt i shëmtuar. Unë them që është një turp i protokollit të shtetit shqiptar.

Unë besoj se më në vështirësi është ndjerë zoti Edi Rama, se imagjinojeni si një shtëpi, që të vjen një mysafir që të ka ndihmuar dhe ti do ta sejdisësh mirë, po ai ka shumë huqe dhe teka dhe ti e toleron që mysafirin ta përcjellësh.

Më mirë që s’ka qenë prezent Komuniteti Mysliman pasi inaugurim xhamie nuk ishte ajo, ishte më tepër një miting politik i organizuar nga partia e Erdoganit, mënyra si të ftuarit kishin ardhur nga Kosova dhe Maqedonia dhe gjithçka. Është për të ardhur keq që një simbolikë fetare, siç është inaugurimi i xhamisë përdoret për axhendën politike të një shteti të huaj”, është shprehur ish-kreu i KMSH Skënder Bruçaj.

Ajo që ra në sy gjatë ceremonisë ishte se asnjë mysliman shqiptar (imam nga Komuniteti Mysliman Shqiptar) nuk mori pjesë në këtë, shkruan newsbomb.al. Një nga objektet e kultit më të rëndësishme për myslimanët shqiptarë inagurohet pa praninë e tyre, as vetë kreu Bujar Spahiu nuk ishte.

Arsyeja e mos marrjes pjesë të tyre ka qenë kërkesa e presidentit turk. Erdogan ka kërkuar që asnjë përfaqësues nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë të mos ishte i pranishëm. Presidenti turk i konsideron ata të lidhur me FETON-n apo Lëvizjen GYLEN.

Intervista e plotë e Skënder Bruçaj për “Zërin e Amerikës”

“Zëri i Amerikës”: Zoti Bruçaj, këtë javë Presidenti i Turqisë Erdogan ishte për një vizitë zyrtare në Shqipëri, ku mes të tjerash, përuroi restaurimin e xhamisë së Et’hem Beut në Tiranë. Por, ajo që ra në sy ishte se Komuniteti Mysliman Shqiptar nuk ishte i ftuar në aktivitet. Si e shpjegoni ju një gjë të tillë?

Me thënë të drejtën, çdo shqiptar është mirënjohës ndaj Turqisë për investimet që ka bërë në Shqipëri, që është gjendur pranë në kohë të vështira dhe ky është një fakt që askush nuk e mohon. Jemi mirënjohës për këtë. Fakti që në inaugurimin e Xhamisë së Et’hem Beut ishte prezent edhe kryetari i Komunitetit Mysliman të Turqisë dhe nuk kishte asnjë përfaqësues nga Komuniteti Mysliman (i Shqipërisë), normalisht që është një akt i shëmtuar. Unë them që është një turp i protokollit të shtetit shqiptar në radhë të parë. Unë e mendoj si të atillë. Por, mendoj se më në vështirësi u ndje vetë Kryeministri i Shqipërisë, zoti Edi Rama.

Imagjinojeni si një shtëpi, ku je i zoti i shtëpisë, dhe të vjen një mysafir që të ka ndihmuar. Ti do ta sajdisësh mirë, por ai ka shumë huqe dhe teka. Dhe ti e toleron, e menaxhon, dhe bën një sakrificë në mënyrë që mysafirin ta përcjellësh në këtë format. Por këtë radhë u zgjodh që sakrifica të bëhej në kurriz të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Por gjithsesi, unë mendoj më mirë ka qenë që s’ka qenë prezent Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në atë lloj inaugurimi. Vetëm një inaugurim xhamie nuk mund të quhej. Më tepër ishte një miting politik i organizuar nga partia e Erdoganit. Mënyra, formati se si të ftuarit kishin ardhur nga Kosova, nga Maqedonia. Parullat aty ishin nga e njëjta dorë. Është për të ardhur keq kur një simbolikë fetare, siç është inaugurimi i xhamisë, përdoret për axhendën politike të një shteti të huaj.

Çfarë lidhje ka Komuniteti Mysliman Shqiptar me institucionet fetare të Turqisë?

Momentalisht, de fakto nuk mendoj që ka një komunikim të mirëfilltë institucional. Kjo nuk është sqaruar asnjëherë. Por, ne shohim qartë që institucionet shtetërore turke…, ky nuk është incidenti i parë. Ka incidente të ndryshme që bëhen në formate për të krijuar edhe një destabilizim të bashkësisë islame në Shqipëri, edhe për të ulur edhe kredibilitetin e institucionit të Komunitetit Mysliman Shqiptar. Kur mendojmë që ne jemi në prag të 100 vjetorit të themelimit, që komuniteti mysliman po përgatitet të festojë themelimin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

Dhe që mëvetësia, autonomia e xhamisë shqiptare duhet të jetë pjesë e strategjisë kombëtare të shtetit shqiptar. Ne diskutojmë tani se si duhet ta mbrojmë Komunitetin Mysliman nga influencat e huaja. Ky është një detyrim kushtetues nga shteti shqiptar, të bëjë të pamundurën që ta mbrojë jo vetëm autonominë e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, por të çdo komuniteti fetar, sepse është në të mirën e stabilitetit të shoqërisë shqiptare, në të mirën e harmonisë ndërfetare dhe bashkëjetesës fetare. Dhe është për të ardhur keq që i imponohet diçka e tillë. Në këtë rast p.sh. është diçka jo e këndshme, jo e hijshme që ka ndodhur.

“Zëri i Amerikës”: Zoti Erdogan u kërkoi autoriteteve shqiptare që t’i shpallin luftë, ai të paktën u shpreh prerazi për këtë, atyre anëtarëve të organizatës FETO, të cilët Ankaraja i cilëson si terroristë, dhe përgjegjës për grushtin e shtetit të vitit 2016. Ai deklaroi se gylenistët janë sot të pranishëm në disa fusha, si arsim, shëndetësi dhe në institucionet fetare. Si qëndron e vërteta sipas jush?

Në qoftë se do të bëj një lidhje me shpirtin e autonomisë së një kombi, është Parlamenti i Shqipërisë, ashtu siç e kemi me ata përfaqësues. Aty Presidenti Erdogan vuri dorëzimin e gylenistëve si një parakusht për miqësinë dhe vëllazërinë e tij. Kjo është një formë presioni ndaj Parlamentit në Shqipëri për të dorëzuar gylenistët. Imagjinoni se çfarë presioni bëhet nga Erdogani dhe bashkëpunëtorët e tij ndaj shoqatave, fondacioneve dhe shtypit të mbështetur financiarisht nga ato shoqëri civile, duke sjellë tek shqiptarët, miqtë ose dashamirët e tij një sherr të Turqisë, për të cilin ne nuk dimë se çfarë ka ndodhur. Unë kam një lloj parametri për sa i përket lëvizjes “Gylen”, ose ajo FETO, një organizatë imagjinare që mendoj se Presidenti Erdogan e përdor për të mposhtur të gjithë kundërshtarët e tij në Turqi. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Bashkimit Europian, Lëvizjen “Gylen” nuk e shohin si lëvizje terroriste.

Një pjesë e mirë e anëtarëve të lëvizjes “Gylen” marrin azil të shpejtë, pranohen në shoqëri, u jepet mundësia që kontributin e tyre ta japin në ato shoqëri përkatëse. Për mua dhe të gjithë shqiptarët kjo është një çështje shumë e hapur. Cili vend evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të donin që anëtarët e një organizate terroriste t’i kishin pjesë të shoqërisë, t’i mbrojë, mbështesë dhe t’u japë mundësi të integrohen në shoqëri. Kjo është një luftë personale e presidentit të Turqisë me diçka imagjinare që çdokush që e kundërshton atë e fut në këtë lloj kategorie.

 Në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë nuk punon asnjë turk. Janë të gjithë shqiptarë. Ata luftojnë dhe punojnë për të rritur kontributin në shoqëri, mirësinë dhe për të ndikuar që bashkëjetesa ndërfetare të rritet, si dhe ata duan të jenë pranë besimtarëve shqiptarë në shërbesat shpirtërore të tyre. Prandaj, meqenëse përfaqësojnë diçka shpirtërore heshtin ndaj gjithë këtyre tematikave, në të cilat po mundohen të përfshijnë anëtarët e Komunitetit Mysliman në Shqipëri.

“Zëri i Amerikës”: Edhe një pyetje e fundit. Çfarë po ndodh me xhaminë e Namazgjasë. Punimet janë ndërprerë. A është kjo një formë presioni që Ankaraja po ushtron përsëri mbi komunitetin mysliman?

Punimet filluan kur unë isha në detyrë si kryetar i komunitetit mysliman. Në një vizitë që kisha në Turqi, i pata thënë Ish-Kryetarit të komunitetit mysliman në Turqi, Gyrmezit, se duhet të filloni punimet e xhamisë së Namazgjasë, sepse edhe unë për vete kam kontribuar. Ose më ktheni paratë mbrapsht ose filloni punimet. Janë bërë disa herë thirrje në Turqi. Xhamia e Namazgjasë nuk bëhet me fondet e qeverisë turke por me ndihmesën e vëllezërve myslimanë turq. Xhamia duhej të përfundonte për dy vjet. Por ka pothuajse shtatë vite që vazhdon dhe nuk përfundohet. Besoj se kontrata e komunitetit mysliman të Turqisë për ndërtimin e xhamisë mbaron këtë verë. Nëse nuk përfundojnë punimet, komuniteti mysliman i Shqipërisë i ka forcat e nevojshme dhe mundësitë për ta përfunduar xhaminë e Namazgjasë.

Xhamia është një objekt kulti. Nuk mund të bëhet pjesë e asnjë pazari politik. Nuk mund të bëhet pjesë e asnjë strategjie kombëtare të një shteti të huaj për të rritur ndikimin. Është një objekt kulti, ku bëhen lutje ndaj Zotit, është një objekt që duhet të jetë larg këtyre polemikave. Më vjen keq që është bërë pjesë e këtyre polemikave xhamia e Namazgjasë, që është një ëndërr e të gjithë shqiptarëve prej shumë dekadash. Askush nuk ka të drejtë që këtë ëndërr ta shtyjë ose ta përdorë për qëllimet e veta politike.

Më shumë