Petrit Fusha, një emër i njohur në krye të organit të akuzës në Tiranë, larguar që në vitin 2019 nga sistemi i akuzës pa kaluar në procesin e vetingut, është marrë sot i pandehur nga Prokuroria e Durrësit për deklarim të rremë të pasurisë.
Ish-kreu i Prokurorisë së Tiranës u tërhoq nga detyra në 2019, 32 vite pas shërbimit në organin e akuzës. Por, duket se KPK nuk e la në mes punën për verifikimin e deklaratës së pasurisë së ish-kryeprokurorit të Tiranës.
Duket se hetimet për pasurinë kanë përfunduar ndërkohë që paraditen e sotme lajmërohet se ish-kreu i organit të akuzës është marrë nën hetim.
Ish-drejtuesi i Prokurorisë së Tiranës dha dorëheqjen në shkurt të 2019. Në njoftimin e dorëheqjes, Petrit Fusha shkruante se “pas 32 viteve pune në shërbimin e Prokurorisë, çmoj se përvojën që kam mund ta përdor në dobi të një aktiviteti tjetër me më pak ngarkesë. Koha në të cilën po jetojmë është tejngarkuar me ngjarje e fenomene të drejta e të pa drejta”.