Hapësire reklamuese

Kulture & Art

Ish-këshilltari i Ramës shkruan libër për Frashërin, mohon identitetin e vëllezërve Frashëri dhe thotë se u sollën nga pushtuesi osman

Shkruar nga Newsbomb
Ish-këshilltari i Ramës shkruan libër për Frashërin,

Nga Artur Shkurti - Drejtor i shkollës "Udha e shkronjave"

I nderuar prof.dr. Ferit Duka, 

U njohëm me librin e Thomas Frashërit "Frashëri, i shquar, i panjohur - një studim heuristik për t'i shërbyer historisë".

Në këtë libër, në rubrikën "Falenderime", faqe XXIX ai thotë shprehimisht: "Prof. Ferit Duka lexoi disa herë tekstin dhe mundësoi, falë përkthimit të përkorë nga osmanishtja, shfrytëzimin e dhjetëra dokumenteve osmane të panjohura dhe të pabotuara më parë".

Po ashtu në kopertinën e pasme ai ka vënë këtë vlerësim tuajin:

"Kush lexon librin e Thomas Frashërit mahnitet jo vetëm me informacionin historik, sidomos atë të siguruar nga burime osmane deri më tani të panjohura, por sidomos me rolin dhe kontributin e një armate të tërë personalitetesh me origjinë nga Frashëri në jetën politike dhe intelektuale të Shqipërisë e pse jo edhe të Perandorisë Osmane"

Nga sa merret vesh nga kaq sa shkruhet më sipër, ju nuk keni mbajtur qëndrim pro ose kundër tezave që shtron Thomas Frashëri në këtë libër, por vetëm keni venë në dukje volumin. Kjo për ne përbën një asnjanësi të kuptueshme për shkak të bashkëpunimit tuaj dhe nevojës së Thomasit për shërbimet tuaja në çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me librin. Këtë e mirëkuptojmë e nuk e keqkuptojmë, sidomos me postin që ka Thomas Frashëri si ish-këshilltar i kryeministrit Edi Rama dhe drejtor i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, si nip i historianit Kristo Frashëri, me të cilin sigurisht ju ka lidhur edhe profesioni.

Megjithatë, duke qenë se ju jeni profesori përgjegjës i Universitetit Shtetëror të Tiranës që mbulon mësimdhënien në Fakultetin e Historisë saktësisht për periudhën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, që i dha tiparet kombëtare kombit shqiptar dhe shtroi udhën për të formuar Shtetin e Shqiptar që gëzojmë sot, pra keni specializimin e duhur;

Duke qenë se ju jeni njohur me librin dhe keni marrë pjesë në disktutime në pika të ndryshme të tij, sipas asaj që thotë vetë Thomas Frashëri;

Duke qenë se autori Thomas Frashëri e quan shekullin e XIX si shekullin i Frashëllinjve dhe jo, siç ne e dimë si shekullin e Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe të Vetëdijes Kombëtare të lidhur me Mësonjëtoret e para shqipe dhe botimet shqip, siç është edhe në programin shtetëror të Universitetit të Tiranës që ju e mbuloni;

Duke qenë se qartësisht Thomas Frashëri me disa argumentime synon t'u mohojë prejardhjen dhe identitetin shqiptar familjes së Vëllezërve Frashëri, duke nënkuptuar se ata ishin të sjellë nga pushtuesi osman në trevat shqiptare (për nevoja të derbendit, pra pikës kyçe që duhej të ishte Frashëri) dhe kjo ka pasoja zinxhir jo vetëm për atë familje, por edhe më gjerë për t'u dhënë udhë shkërmoqjes së autoktonisë së popullsive shqiptare të besimit musliman (duke mos i quajtur më të konvertuara nga të krishterë në muslimanë) dhe për pasojë u lë terren të hapur tezës se të krishterët (Thomasi është ortodoks) janë vendas dhe muslimanët janë të ardhur nga pushtuesi, Më konkretisht në parathënie ku pararend këtë tezë, thotë:

  • “Hulumimi i lindjes dhe zhvillimit të Frashërit deri në gjysmën e parë të shek.XIX, në suazën e regjimit të derbendit, studiuesin e përciptë e shpie në një dilemë heuristike madhore pasi ai nxjerr në shesh osmozën e fortë të popullsisë vendase me pushtuesin e dikurshëm. E kjo, për Frashëllinjtë, në sytë e opinionit do të ishte më mirë të mos zihej në gojë.”

Duke qenë se qartësisht Thomas Frashëri lë të kupohet se ai synon të ndryshojë kuptimin e fakteve përmes ndërrimit të shkakut (frymëzimit) me pasojën (realizimin), dhe frymëzimin e brendshëm të Vëllezërve Frashëri kërkon ta bëjë si realizim programi të klanit frashërlli (ortodokso-bektashi) që me sa kuptojmë e shpik Thomas Frashëri për herë të parë.

Duke qenë se qartësisht kjo nënkupton që Thomasi do të udhëheqë me këtë libër një "shpronësim të qartë të Vëllezërve Frashëri" sepse po t'u heqësh Naimit, Samiut, Abdylit, Mehmetit, Mithatit, "frymëzimin e brendshëm", "vetëdijen kombëtare", "rolin parësor" dhe t'i kalosh/konvertosh/tjetërsosh/dëmtosh a) në "realizues të programit të klanit (aq më tepër ortodoks siç e ka fisi-klan i Thomasit ose në një klan të shpikur ortodokso-bektashi, por kjo është fazë "e përkohshme, e ndërmjetme")", b) në "vetëdijen klanore, fshatare, krahinore, fetare të Thomasit", dhe t'i japësh rol dytësor veprimit të tyre, atëherë për pasojë qartësisht nuk ka më Naim Frashëri, Sami Frashëri dhe Abdyl Frashëri ashtu si i kuptojmë dhe e kemi mësuar të gjithë; më së paku është një rrugë e re e të menduarit, më së shumti është një veprimtari me tipare të qarta antikombëtare.

Duke qenë se shprehimisht në libër Thomas Frashëri thotë se stërgjyshi i tij, Anastas Frashëri, (babai i Kristo Frashërit) i lindur në vitin 1890 është rilindës (pra rilindës në moshë 22 vjeçare sepse kaq i bie në vitin 1912) dhe këtë përcaktim "rilindës" nuk e thotë për Naimin, Abdylin, Samiun, por për ta thotë vetëm "pishtarë" (me nënkuptimin që zjarrin e ndiznin në oxhakun e fisit/ve ortodokse nga i ka të parët Thomasi).

Duke qenë se Thomas Frashëri na duket që përdor enkas një gjuhë të ngurtë për të fshehur synimet e tij.

Duke qenë se libri i Thomasit, përveç që është voluminoz është edhe shumë i shtrenjtë për t'u blerë nga publiku (5000 lekë të reja).

Duke qenë se detyra e shkollave shqipe është ta mësojnë saktë historinë e Shqipërisë dhe qartësisht Thomasi godet mu në zemër të saj me tezat e tij.

Duke qenë se interesi publik është i lartë për çfarë Thomasi ka shkruar aty.

Kërkojmë sa më poshtë vijon: 

  • të shpreheni publikisht me përgjegjësinë profesionale dhe shtetërore që ju takon, si njohës i thellë i fushës, por edhe i librit në fjalë që bie saktësisht në periudhën tuaj, për tezat që hedh Thomas Frashëri në librin e tij duke i pasqyruar ato në mënyrë të thjeshtëzuar me një gjuhë më të thjeshtë e konkrete dhe të jepni skemën e saktë të arsyetimit të Thomas Frashërit dhe të bëni edhe deduksionet e mundshme që dalin prej tezave të veta. Në këtë fazë kërkojmë vetëm pasqyrim sistematik të argumentave kryesorë dhe jo përsëritjen e librit.
  • të jepni opinionin tuaj konkret mbi këto teza, që ne përsëri e kuptojmë që është pjesë e të drejtës së secilit për t'u shprehur dhe në asnjë mënyrë nuk do ta marrim si verdikt, por duhet të dimë më parë edhe mendimin tuaj paraprak që nuk e gjejmë deri tanië

Të verifikoni nëse Thomas Frashëri i ka zbatuar detyrimet e etikës së researchit: 

  • Nëse ka përdorur "synimi justifikon mjetin" që qartësisht devijon linjat e shumta të arsyetimit për të ndikuar lexuesin në atë synim që ka
  • nëse ka integritet kur citon, pra a citon saktë nga burimet e shumta (Vetë unë, në disa raste më ka rezultuar që ai ndryshon referimin ndaj tekstit origjinal "nga helenë" e citon "grek", "nga familje" e  citon "farefis" dhe nga "kryengritje" e bën "kapje gafil në shthurje të rendit publik".
  • a është i sinqertë me lexuesin
  • a e mban të paanshëm veten ndaj lexuesit apo synon ta përpunojë duke e ndikuar pa e argumentuar
  • a e bën të qartë konfliktin e interesit të vet  në këtë çështje dhe konkretisht a) konflikt fetar duke qenë përfaqësues i besimit ortodoks dhe duke qenë Vëllezërit Frashëri jo vetëm të sektit bektashi por frymëzues të orientimit laik të shtetetit dhe të shkollave shqipe siç i kemi sot b) të konfliktit fisnor (qartësisht citon të thëna poshtëruese për prejardhjen e Vëllezërve Frashëri dhe quan fisin e vet "oxhak të rangut të parë" dhe të Vëllezërve Frashëri, fis i rangut të dytë dhe më keq se aq "harbutë", "poturak", etj. c) konfliktin ideologjik e politik (qartësisht quan stërgjyshin e tij rilindas Anastas Frashërin që në vitin 1912 ishte 22 vjeç dhe nuk quan rilindas Naimin, Samiun, Abdylin.

Mendoj se ju jeni në gjendje të kuptoni se kjo është shumë e rëndësishme për opinionin publik në përgjithësi, për shkollat shqipe dhe veçanërisht për vlerësimin e trashëgimisë tonë historike, shtyllë kryesore e të cilës është vepra e Vëllezërve Frashëri por edhe e Mithat Frashërit.  

Me respekt,

Artur Shkurti

Drejtor i shkollës "Udha e shkronjave"

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese