Ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj ka dhënë mbrëmjen e sotme detaje të tjera për vdekjen e të riut Lear Kurti në Tiranë. Sipas tij, efektivët kanë bërë detyrën dhe kanë njoftuar ambulancën në momentin e ndalimit të 32 vjeçarit, sepse e kanë parë që ka qenë i zbehur.
I ftuar në emisionin “Task Force”, ish-numri një i Policisë së Shtetit gjatë qeverisjes së qeverisë Berisha, është shprehur më tej se ambulanca ka shkuar në vendngjarje sepse spitali është shumë afër, mirëpo mjekët nuk kanë pranuar dhe janë shprehur “nuk është detyra jonë”.
Në këto kushte, Hysni Burgaj ka thënë se efektivët mund të jenë urdhëruar ta dërgojnë të riun në Komisariat, duke mos pasur mundësi tjetër. Megjithatë, ish-drejtori i Policisë thotë se pavarësisht se ambulanca nuk e ka marrë Lear Kurtin, efektivët duhet ta kishin dërguar vetë.
“Kam informacione nga burime policore. Që në momentin e kapjes së këtij personi, ai nuk është ndjerë mirë, ka qenë i zbehur. Patrulla e policisë ka kërkuar urgjencën. Sipas informacioneve urgjenca ka shkuar në vendin e ngjarjes, sipas informacioneve që kam marrë. Por ambulanca nuk e ka marrë për ta dërguar në spital edhe pse ndodhej afër.
Pastaj vijnë veprimet e tjera të policisë. Edhe policia në atë rast, duhej ta dërgonte menjëherë në spital, dhe të mos e dërgonte në komisarit. Ambulanca nuk e ka marrë me justifikimin se nuk është detyra jonë të merremi me këto. Unë e kam këtë informacion nga punonjës policie.
Kur nuk e ka marrë ambulanca, mund të jetë një urdhër për ta dërguar në komisariat, sepse stimulon. Problemi qëndron se në Komisariatin e policisë njerëz të tillë nuk mund të mbahen. Në momentin kur oficeri e kupton, i shoqëruari duhet të dërgohet në spitalin më të afërt”, ka thënë Hysni Burgaj, ish-drejtor i Policisë së Shtetit.