Hapësire reklamuese

Aktualitet

Ish-dhëndri rrihet barbarisht nga vëllai i gruas, takoi në shkollë vajzën e tij, mësuesja tha se do ta rrëmbenin; Në vendngjarje dhe FNSH

Shkruar nga Newsbomb
Ish-dhëndri rrihet barbarisht nga vëllai i gruas, takoi në

Dy persona janë rrahur barbarisht mesditën e djeshme në Fan të Mirditës, nga familjarë të ish-gruas së njërit prej tyre. Newsbomb.al mëson se për këtë ngjarje është angazhuar Policia dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejt, pasi autorët fillimisht janë larguar nga vendngjarja.

Babai i njërës prej nxënseve të shkollës "Ndrec Ndue Gjoka" ka shkuar dje dhe ka takuar të bijën. I kthyer nga Greqia ku jeton dhe punon, babai i vajzës ka qerasur atë dhe gjithë shokët dhe shoqet e klasës. Vëllezërit Sinani nga Bukmira e Mirditës, babai dhe xhaxhai i vajzës në fjalë kanë marrë leje nga mësuesja kujdestare.

Por mësuesja që i kishte dhënë leje babait dhe xhaxhait të vajzës të takoheshin, ka njoftuar nga ana tjetër dhe dajën e saj, shtetasin Marjan Pjetri. Sipas mësueses, kishte rrezik se mbesa e tij mund të rrëmbehej pasi pranë shkollës ndodhej një makinë me targa greke. Makinë që në fakt ishte e babait të vajzës, sepse ai jeton në Greqi, siç parashtruam më sipër.

Një nga vëllezërit Sinani ka qenë i martuar me motrën e Marjan Pjetrit dhe 5 vite më parë është divorcuar me të. Gruaja është martuar me një person tjetër dhe ka nisur një jetë të re jashtë vendit, ndërkohë që dy fëmijët i ka marrë në kujdestari i ati.

Ky i fundit meqë do të emigronte në Greqi, ka bërë marrëveshje me vëllezërit e ish-gruas dhe ua ka lënë atyre fëmijët që të kujdeseshin. Dy fëmijët janë çuar rregullisht në shkollë dhe më parë nuk ka pasur probleme mes dajave dhe familjes Sinani, shkruan newsbomb.al.

I alarmuar pasi mësuesja e kishte njoftuar se mbesa mund t'i rrëmbehej, daja Marjan Pjetri shkon pranë shkollës dhe aty gjen ish-burrin e motrës dhe vëllain e tij. I rreh barbarisht në lokal, i ndihmuar dhe nga persona të tjerë, dhe largohet.

Me urgjencë drejt Fanit të Mirditës ka shkuar Policia dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejt, të cilat kanë nisur punën për kapjen e autorëve. Dajat e vajzës janë shpallur në kërkim për ngjarjen e rëndë të ndodhur pranë shkollës "Ndrec Ndue Gjoka".

Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, shtetasi Marjan Pjetri është paraqitur në Polici dhe është mbrojtur duke deklaruar se mësuesja e kishte alarmuar duke i thënë se mund t'i rrëmbenin mbesën me një makinë me targa greke.

Edhe pse në bashkëpunim me persona të tjerë ka rrahur barbarisht ish-burrin e motrës dhe vëllain e tij, Marjan Pjetri është lënë i lirë. Ai ka qëndruar vetëm tre orë në Polici dhe është larguar drejt banesës.

Newsbomb.al mëson se Policia e Lezhës ka kryer të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe ka proceduar penalisht Marjan Pjetrin. Materialet hetimore në ngarkim të tij i kanë kaluar Prokurorisë së qytetit për veprime të mëtejshme hetimore, për rrahjen e personave të lartpërmendur dhe dëmtimin e makinës me targa greke.

Nga ana e Policisë janë kryer të gjitha veprimet e nevojshme dhe tashmë rasti ndodhet në Prokurorinë e Lezhës.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu