Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet ka njoftuar zyrtarisht se kandidate për Kryetare Bashkie në Tiranë do të jetë ish deputetja e Partisë Demokratike Lajka Përnaska.
Kërkesa për regjistrimin e PDIU-së në zgjedhje është dorëzuar edhe në KQZ.
Përnaska do të garojë në zgjedhjet e 14 Majit, përballë Belind Këlliçit, kandidatit nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”, përballë rikandidimit të Erion Veliajt nga radhët e PS-së dhe Roland Bejkos nga PD e Alibeajt, gjithashtu në garë do jetë dhe Arlind Qorri.
Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Lajla Përnaska më herët njoftoi se do të rikthehej në politike.
Ajo u shpreh se rruga e vetme për t’u kthyer në politikë dhe për të dhënë një kontribut real, është kandidimi për Bashkinë e Tiranës.
“Rruga e vetme për të dhënë një kontribut real është kandidimi për kreun e Bashkisë së Tiranës. Sigla është çështje teknike, për mua nuk ka rëndësi sigla.
Për mua ka rëndësi impenjimi, përgjegjësia dhe në respektim të rregullave dhe sistemit që kemi në fuqi, ne të japim kontribut. Unë jam e gatshme të jap kontributin tim për Tiranën. E njoh shumë mirë Tiranën dhe problematikat e saj”, theksoi më herët Përnaska në një intervistë për “Euroneës Albania”.