Një lajm i trishtë vjen nga Prishtina, ku është njoftuar së është ndarë nga jeta Altin Mustaf Ponari, kryeshefi Ekzekutiv (CEO) i Kompanisë EUROSIG për Kosovën.
Lajmin e hidhur e kanë bërë me dije miqtë dhe të afër të Altin Ponarit. Altin Mustaf Ponari, nipi i Azem Hajdarit, ka ndërruar jetë në moshën 45-vjeçare pas një beteje të gjatë me sëmundjen e rëndë. Pavarësisht se luftoi, Ponari nuk arriti të fitonte betejën me sëmundjen tinëzare, duke lënë pas bashkëshorten dhe katër fëmijët e tij.
Familjarët, miq, të afërm dhe kolegë do t’i japin lamtumirën e fundit Ponarit, ditën e sotme në orën 13:00. Varrimi do të bëhet në Sharrë të Tiranës.
Altin Mustaf PONARI ka lindur më 5 janar 1979 në Tropojë, ku e kaloi fëmijërinë dhe rininë e tij të hershme. Ai, me një përkushtim të madh ndaj dijes e arsimimit, e kreu me rezultate të larta Universitetin Shtetëror të Tiranës, Fakultetin Juridik, në vitet 2006-2009.
Juristi i ri, Altin Mustaf PONARI, e vazhdoi karrierën e tij zyrtare edhe në fushën e diplomacisë, në vitet 2008-2010, duke punuar diplomat në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Belgjikë, në kryeqendrën e selive të disa organizatave ndërkombëtare, si BE, NATO, etj.
Pas kthimit nga Misioni Diplomatik në Bruksel e filloi punën e tij të re në Tiranë, e vazhdoi karrierën e vet si oficer-inspektor i lartë në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Shqipërisë, duke dhënë kontribute të dallueshme.
Pas largimit nga MPB e vazhdoi karrierën e tij zyrtare, pandalur, me sukses, në vitet 2013-2015, me detyrën e re: drejtor në Bashkinë Tiranë, në Bashkinë e Kryeqytetit, të Metropolit Shqiptar.
Altin Mustaf Ponari, edhe pas largimit nga Bashkia e Tiranës, e rifilloi aktivitetin në profesionin e tij të shkollimit të lartë e të veprimtarisë së tij juridike dhjetëvjeçare, duke punuar si Avokat në periudhën kohore 2016-2019, duke krijuar emrin e tij të mirë në fushën e jurisprudencës shqiptare.
Altin Mustaf PONARI nga viti 2019 deri me 22 mars 2024, në ditën e ndarjes së tij nga jeta, punoi në detyrën e lartë të Kryeshefit Ekzekutiv (CEO) i Kompanisë së Sigurimeve EUROSIG për Republikën e Kosovës.