Ministria e Mbrojtjes së Iraint thotë se ka arritur të shmangë një sulm me dronë në një kompleks ushtarak në provincën Isfahan.
Sipas agjencisë së lajmeve iraniane IRNA godina ushtarake është sulmuar nga të paktën tre dronë, dy prej të cilëve janë rrëzuar nga sistemi i mbrojtjes ndërsa i treti ka shpërthyer pranë ndërtesës.
Nga sulmi nuk raportohet për persona të lënduar por vetëm dëme të vogla në çatinë e ndërtesës.
“Një sulm i pasuksesshëm u krye duke përdorur (dronë) … në një nga komplekset e ministrisë së mbrojtjes”, thotë njoftimi, duke shtuar se sulmi të shtunën në mbrëmje shkaktoi vetëm dëmtime të vogla në çatinë e një ndërtese.
“Sulmi, i cili ndodhi rreth orës 23:30 të së shtunës, nuk shkaktoi asnjë ndërprerje në funksionimin e kompleksit”, thuhet në njoftim.
Në korrik të vitit të kaluar, Irani tha se kishte arrestuar një ekip sabotues të militantëve kurdë që punonin për Izraelin, të cilët planifikonin të hidhnin në erë një qendër “të rëndësishme” të industrisë së mbrojtjes në Isfahan.