Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Politikë

Shpërthimi që mori dy jetë, si ndërroi Bujar Çela pronësinë e fabrikës pasi u bë deputet

Shkruar nga Newsbomb

Deputeti socialist Bujar Çela ka mbetur i plagosur rëndë si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm që ndodhi javën e kaluar në një fabrikë pranë vendit të njohur si Ish-Rrethrrotullimi i Plastmasit në Lushnjë. Newsbomb.al mëson se Çela ka probleme të theksuara me dëgjimin, sepse ka qenë pranë zonës së shpërthimit.

Gjithashtu, deputeti socialist ka pësuar tronditje nga gjithë ngjarja që ka ndodhur dhe ka një çarje në pjesën e barkut, nga materialet e forta që janë shpërndarë në ajër nga forca e shpërthimit.

Megjithatë, edhe përse kanë kaluar rreth katër ditë nga ngjarja që i mori jetën dy shtetasve dhe la të plagosur shtatë të tjerë, në opinionin publik ka shumë pikëpyetje për rolin e ndodhjen e Bujar Çelës në kantierin e fabrikës, ku po ndërtohej një kapanon gjigand.

Duke qenë se ai është deputet prej dy legjislaturash, nuk i lejohet që të jetë i përfshirë në marrëdhënie biznesi. Do të jetë hetimi i Policisë dhe Prokurorisë së Fierit që do të zbardhë më tepër detaje për rolin e Bujar Çelës në vendin e ngjarjes, por newsbomb.al sjell disa fakte që ndoshta mund të qartësojnë opinion publik.

Në vendin ku ndodhet fabrika e ku po ndërtohej kapanoni, Bujar Çela ka në pronësi një godinë trekatëshe dhe ka përfituar në bazë të ligjit 7501 një sipërfaqe ku janë vendosur disa magazina të vjetra.

Në vitin 1997, Bujar Çela ka themeluar kompaninë "ALSI" SH.P.K dhe ka qenë administrator dhe ortak i vetëm i saj deri në vitin 2018, një vit pas është zgjedhur deputet në Kuvendin e Shqipërisë në mandatin e parë, nën siglën e Partisë Socialiste. Adresa e kompanisë është në të njëjtin vend ku ndodhi shpërthimi.

[caption id="attachment_791899" align="alignnone" width="819"]Bujar Çela pronar dhe ortak i vetem i kompanise deri ne 2018 Bujar Çela pronar dhe ortak i vetem i kompanise deri ne 2018[/caption]

Pas më shumë se dy dekadash në treg si biznesmen në import-eksportin dhe tregtimin e produkteve industriale, Bujar Çela vendosi që kompaninë t'ia dhuronte shtetasit Erigert Gorovelli. Nuk dihet nëse Çela dhe Gorovelli kanë dhe lidhje familjare, sepse biznesi ka vazhduar aktivitetin në të njëjtën adresë pas dhurimit të 100% të kuotave të kapitalit.

Nga pasqyrat financiare të deklaruara në QKB për vitin 2016, një vit para se Çela të zgjidhej deputet dhe dy vite pasi ia dhuroi mikut të tij, kompania kishte vlerë kapitali 100 milionë lekë të vjetra.

Zyra qendrore e kompanisë "ALSI" SH.P.K në Qendrën Kombëtare të Biznesit deklarohet, si: Fier Lushnje LUSHNJE Lagjja 18 tetori, godine 1 kateshe, prane Rotondos se Plasmasit.

[caption id="attachment_791896" align="alignnone" width="700"]Adresa e kompanise ALSI ne vendin ku ndodhi shperthimi Adresa e kompanise ALSI ne vendin ku ndodhi shperthimi[/caption]

Pra, i njëjti vend ku po ndërtohej kapanoni dhe ku ndodhi shpërthimi katër ditë më parë, ku u plagos vetë Bujar Çela e gjashtë të tjerë, si dhe humbën jetën vinçieri dhe djali i tij. Dhurimi i aksioneve, vendi i ushtrimit të aktivitetit të kompanisë në fjalë dhe shpërthimi, janë tre elementët që e lidhin Bujar Çelën me vendin e ngjarjes.

Nga investigimi i newsbomb.al, ka rezultuar dhe një fakt tjetër. Shtetasi Erigert Gorovelli është veç të tjerash dhe lidhje shumë e afërt shoqërore e deputetit socialist.

Nuk dihet nëse Bujar Çela ka ndikuar përmes lidhjeve të tij në Partinë Socialiste në Lushnjë, që personi të cilit i fali kompaninë me aktivitet më shumë se 20 vjeçar, të garonte dhe të fitonte një vend në Këshillin Bashkiak të Bashkisë Lushnjë, që drejtohet po nga një kryetare socialiste.

[caption id="attachment_791900" align="alignnone" width="812"]Te dhenat ne QKB per kompanine ALSI ne Lushnje Te dhenat ne QKB per kompanine ALSI ne Lushnje[/caption]

Redaksia ka mësuar se shtetasi Erigert Gëzim Gorovelli, mik i deputetit Bujar Çela dhe pronar i kompanisë "ALSI" SH.P.K që dikur ka qenë në pronësi të deputetit socialist, është zgjedhur anëtar i Këshillit Bashkiak dhe ka qenë i 16-ti, nga 24 këshilltarë fitues të PS.

Parimisht, dhurimi i aksioneve dhe 100% të kuotave të kapitalit nga Bujar Çela te Erigert Gorovelli menjëherë sapo u zgjodh deputet është i ligjshëm dhe brenda të gjitha kornizave ligjore, por prania e deputetit në vendin e ngjarjes për të ndjekur nga afër punimet dhe përfshirja "rastësore" e Gorovellit në listat e Këshillit Bashkiak të Lushnjës lënë vend për dyshime.

Aq më tepër, ndërtimet e çfarëdolloji në afërsi ose nën linjat e tensionit të lartë janë të ndaluara, pasi nga hetimi paraprak ka rezultuar se vinç që po shkarkonte bombula me oksigjen në kapanon ka rënë në kontakt me linjën e tensionit të lartë. Kjo faktohet dhe nga ndërhyrja dhe njoftimi publik i kompanisë shtetërore të energjisë elektrike, e cila për disa orë stakoi energjinë në gjithë zonën dhe riparoi avarinë e shkaktuar.

[caption id="attachment_791903" align="alignnone" width="831"]Regjistrimi ne QKB i kompanise se Gorobellit Regjistrimi ne QKB i kompanise se Gorobellit[/caption]

Gjithashtu, duhet sqaruar nëse biznesi kishte lejet përkatëse për të kryer punime nën tension të lartë dhe nëse punëtorët ishin të siguruar.

Ora kur ka ndodhur shpërthimi, rezulton se ka qenë 15.30 dhe ditën e premte deputeti socialist Bujar Çela duhet të ishte në një vend tjetër duke ushtruar detyrën e tij, dhe jo në ambientet e biznesit privat, edhe përmes me dokumente rezulton jo në pronësi të rrethit të tij të ngushtë familjar.

Këto janë disa nga pikëpyetjet e shumta që janë ngritur për rastin tragjik, të cilët ne i jemi përpjekur t'i sqarojmë, të mbështetura në dokumentet zyrtare të deklaruar nga vetë subjektet e këtij artikulli në Qendrën Kombëtare të Binzesit.

© Newsbomb.al

[caption id="attachment_791906" align="alignnone" width="894"]Vendi ku ndodhi shperthimi ne Lushnje Vendi ku ndodhi shperthimi ne Lushnje[/caption]

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese