Hapësire reklamuese

Politikë

Intervista/ Benet Beci: Pse pranova ftesën e kryeministrit Rama për të kandiduar! Shkodra qytet i urave, jo i ndarjes

Shkruar nga Newsbomb
Intervista/ Benet Beci: Pse pranova ftesën e kryeministrit Rama për

Kandidati i Partisë Socialiste në Shkodër, Benet Beci në një intervistë ka rrëfyer ofertën e Kryeministrit Edi Rama për të kandiduar në Shkodër.

Beci, që aktualisht është administrator i KESH, është shprehur për Report Tv se ishte momenti i duhur, ndërkohë që kthimi i vëmendjes ndaj veriut në mandatin 3 që socialistët synojnë, është garancia që ai ka marrë nga numri 1 i qeverisë.

Shkodra është qyteti i urave, i bashkimit dhe me një vizion të qartë për Shkodrën dhe investimet që do prekin këtë qark, Benet Beci kërkon votën e shkodranëve duke marrë mbi supe një përgjegjësi për katër vitet e ardhshme.

Intervista e plotë

Të nderuar miq, kam kënaqësinë të kem një tjetër intervistë. I ftuari i radhës është kandidati i PS-së, zoti Benet Beci. Faleminderit që e pranuat ftesën për këtë intervistë.

Është kënaqësi. Faleminderit juve!

Jeni në një sfidë të re tuajën, do ta quaja kështu kandidimin në listën e PS-së për Shkodrën. Jeni numri 3. Si e keni pritur ftesën e kryeministrit Rama për të qenë në listën e Shkodrës, edhe pse është një pyetje deri diku e konsumuar, e bërë gjatë prezantimit të kandidatëve nga vetë kryeministri Rama në Shkodër. Por besoj se opinioni ka dëshirë ta dëgjojë se çfarë ju shtyu që ta pranonit këtë ftesë.

Në fakt kërkesa dhe ftesa e kryeministrit mendoj se më erdhi dhe erdhi në kohën dhe në vendin e duhur. Ka qenë një moment dhe mendoj se është momenti në të gjithë jetën time profesionale prej shumë vitesh, që ta shikoja këtë ftesë me vlerën që mban. Një ftesë e kryeministri për një pozicion të tillë është gjithmonë një gjë e vlerësueshme. Pastaj për më tej, ju e dini, unë kam pasur shumë vite eksperiencë në menaxhimin e projekteve, të infrastrukturës, në sistemin bankar kam punuar gjatë dhe pastaj kam qenë edhe pjesë ose menaxheri i korporatës më të madhe publike në veri, i KESH-it. Kështu që, duke ardhur në këtë ftesë, aq më tepër që ftesa ishte për Shkodrën, ku unë kam rrënjët e familjes, kam njerëzit, kam prejardhjen dhe lidhje të shumëfishta me të, kjo ftesë mori vlerën e duhur dhe sigurisht e kam pritur me shumë kënaqësi.

Si jeni pritur në radhët e socialistëve të Shkodrës, në momentin që jeni prezantuar dhe keni pranuar të kandidoni në listën e Shkodrës?

Ka qenë surprizë. Të them të drejtën, ka qenë një surprizë pozitive mënyra se si më kanë pritur. Unë mendoj se pjesa që shikojnë tek unë, edhe pjesa e socialistëve, nuk është një pjesë tipike politike. Unë nuk jam njeri politik, nuk kam qenë. Dhe si i tillë vij me këtë ofertë të PS-së, e cila është shumë e rëndësishme për mua, për t’iu bashkuar në fakt, mendoj dhe e kam thënë edhe herë të tjera, dinamizmit që përmban forca dhe dëshirës për të përbërë ndryshim dhe për të sjellë disa arritje dhe zhvillime edhe në këtë pjesë të Shqipërisë, në këtë pjesë të vendit tonë. Si e tillë besoj që është lexuar edhe nga socialistët ardhja ime, si një kombinim shumë i mirë mes ideve të kryeministrit Rama për zhvillimin e Shqipërisë, që është bërë kudo, por edhe në mënyrë të veçantë dhe të fokusuar aplikimit të asaj që është bërë kudo dhe veçanërisht në Shkodër, që për hir të së vërtetës ka mbetur pas nga zhvillimet e tjera.

Do ta diskutojmë edhe pjesën për sa u përket investimeve në Shkodër, por ndoshta duke iu referuar këtij dinamizmi të PS-së, lidhet kjo me atë çfarë Benet Beci do t’i ofrojë Shkodrës, pikërisht atë vrullin në bërjen e gjërave si duhet, se unë personalisht ju kam ndjekur te Fondi Shqiptar i Zhvillimit apo edhe te Korportata Elektroenergjitike Shqiptare, por ndoshta është ky format që do t’u ofrojë Benet Beci qytetarëve të Shkodrës?

Absolutisht dhe vetëm kjo në fakt, në kuptimin e fokusimit tim të drejtpërdrejtë. Të gjitha aftësitë dhe dëshirën që kam pasur dhe kam punuar në shumë vite, në këtë periudhë do të duhet ta shfrytëzoj në mënyrë të fokusuar për Shkodrën. Dhe për mua ky është një fat dhe një kënaqësi e jshtëzakonshme. Besoj se çdo njeri e kupton që, në momentin që ti punon për të gjithë Shqipërinë, ke punuar edhe për Shkodrën në mënyrë totale. Në një moment të veçantë vjen dhe të ofrohet që dakord, tani a mundesh të fokusohesh për Shkodrën? Dhe duke e ditur këtë me faktin që kryeministri, këtë mandat që vjen e ka marrë si sfidë personale dhe si një mandat shumë të dedikuar edhe për pjesën e veriut mendoj, vjen me kënaqësinë time të plotë pa asnjë kohezion drejt zhvillimit të të gjithë pjesës së veriut. Dua të bëj një parantezë, nëse do të shohim shifrat dhe do të shikojmë të dhënat, shumë e dinë, por janë shumë investime të bëra në veri, që janë bërë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, ku kam qenë unë dhe kuptohet, edhe nga drejtori të tjera të qeverisë. Dhe janë shumë, ju e dini. Por, prapëseprapë, unë mendoj se Shkodra si qytet, për shumë arsye, nuk është ai që do të donin shkodranët të jetë. Të gjithë e dinë këtë. Dhe ndoshta ne, ka ardhur momenti, jo ndoshta, por sigurisht që ka ardhur momenti për ta ndryshuar këtë gjë.

Megjithatë, duke iu referuar kandidimit tuaj, di që një ofertë të tillë e keni pasur edhe disa vite më parë, jo nga kryeministri Rama, por nga një tjetër kryeministër. Ndoshta edhe mund të gaboj, por di që në vitin 2009 kryeministri Berisha ju ka kërkuar që të kandidoni në Shkodër nën siglën e PD-së.

E vërteta është kështu, që unë kam punuar gjatë gjithë kohës në menaxhim dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka qenë, do të thosha, një kalë beteje në kuptimin elektoral, d.m.th. ka bërë punë dhe investime dhe ka punuar me donatorët, ka bërë investime të jashtëzakonshme, ka bërë projektin e rrugëve rurale dhe në një aspekt, qeveritë e kanë konsideruar Fondin Shqiptar të Zhvillimit si një aset, i cili në fakt u ka dhënë shumë sukses. Ashtu siç ka qenë, ashtu edhe ka vazhduar. Fati im dhe i ekipit që kemi pasur është që kemi pasur një marrëdhënie krejtësisht profesionale me kryeministrat. Mendoj që ajo së cilës i referoheni ju, ka të bëjë me ndjesinë që kishte publiku në atë kohë dhe të gjithë faktorët politikë që Beneti, si drejtues i një grupi shumë të suksesshëm të investimeve, mund të ishte i duhuri për ta bërë këtë gjë. Dhe nuk ka pasur një logjikë të paarsyeshme, është tërësisht e arsyeshme ajo. Por e vërteta është që unë nuk kam qenë gati për këtë gjë, nuk ka qenë momenti im profesional dhe jam i kënaqur që nuk e kam marrë vendimin në atë kohë. Më duhej edhe një 8-vjeçar tjetër pune, investimesh, njohjesh sektori, futja në Shkodër nëpërmjet korporatës, që më ka bërë të mendoj që po, tani është koha e duhur, tani oferta ka ardhur në momentin e duhur dhe kjo është e vërtetë.

Duke iu referuar edhe asaj çfarë kërkojnë faktikisht shkodranët, shkodranët kërkojnë investime, por kemi dëgjuar, të paktën prej 5 vitesh, kryetaren e Bashkisë së Shkodrës që ankohet për mungesën e investimeve të qeverisë në Shkodër. Ka pasur replika në distancë mes kryeministrit dhe kryebashkiakes. Një akuzë e drejtpërdrejtë që në Shkodër nuk ka projekte që sillen, qoftë edhe me Fondin Shqiptar të Zhvillimit. Vërtet, cila është problematika? Pse Shkodra është diskriminuar dhe në të vërtetë, a ka pasur projekte Shkodra që të financoheshin nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit apo edhe nga institucione të tjera, nuk dua t’i referohem vetëm asaj çfarë ju keni drejtuar.

Po, por fakti është që projektet janë bërë dhe janë aty sot, një pjesë e mirë e mirë e Fondit Shqiptar të Zhvillimit të projekteve. Ju e dini rrugën e Velipojës, kemi Shirokën, kemi arritur të futemi me Muzeun e Marubit, pak më tej Shkodrës, po ta marrim si qark, sigurisht që e dini rrugën e Vermoshit, e cila ka sjellë një zhvillim të të gjithë zonës, është bërë Tamara, është bërë Vermoshi, ka pasur iniciativa të investimeve private, ka filluar të ndërtohet një ekonomi, pra, i gjithë zinxhiri i krijimit të vlerave që normalisht është një shembull, i cili të bën të mendosh se ka një strategji zinxhir, e cila çon drejt rritjes së nivelit të jetesës apo të investimeve të reja e të tjera me radhë. Në Shkodër nuk kam parë akoma një, do të thosha një model të një zhvillimi të qytetit, i cili të jetë në akordancë me sistemet bashkëkohore të zhvillimit të qytetit. Këtë e shikon dhe të mungon. mund të shohësh iniciativa të brendshme, mund të shohësh një rrugë diku të rregulluar, por nuk sheh një të tërë, nuk sheh një koncept, nuk sheh një gjë të mbaruar. Ky është mendimi im me aq sa e njoh unë Shkodrën. Kam dalë shumë edhe këtë kohë. Kjo është një gjë që i mungon sot Shkodrës dhe çdo qytetar e kupton këtë. Investimet dhe mundësitë që ka pasur bashkia, unë nuk mendoj se kanë qenë përthithja e fondeve dhe mënyra e bashkëpunimit është një detyrë e qeverisë dhe e bashkisë sigurisht. Ne kemi shumë raste dhe ju e dini, që kemi bashkëpunuar si Fond Shqiptar i Zhvillimit me qeverinë dhe me pushtetin vendor. Kemi raste të jashtëzakonshme, që kanë qenë pavarësisht nga çfarë krahu ka qenë bashkia, kemi projekte shumë të mira, të realizuara dhe shumë të bukura. Unë mendoj që kjo pjesë është më shumë një justifikim dhe një diskutim që nuk të çon askund, sesa është thjesht një racionale se si ndërtohet Shkodra. Nuk ka të bëjë këtu që qeveria nuk ka. Qeveria ka qenë e gatshme, ka qenë një diskutim politik dhe më vjen keq të them që nuk meriton Shkodra të mbetet e pazhvilluar për një diskutim politik. Edhe ajo që po më pyesnit, pse socialistët? Unë besoj se demokratët tashmë mendojnë se zhvillimi i Shkodrës, prioriteti është parti mbi partitë është Shkodra, është ajo gjëja që duan dhe fakti që vij sot kështu, me sinqeritet, unë vij përtej partive në fakt. Është nder që më është ofruar nga PS-ja dhe më lidh shumë pjesa e mënyrës së realizimit të punëve, por në të vërtetë më shumë e shoh këtë në funksion të një partie për Shkodrën, të një grupi njerëzish të majtë e të djathtë që e bëjnë Shkodrën. Por kjo është, do të thosha, një e drejtë që kryeministri ma ka lënë dhe ma ka thënë.

Pra kemi edhe një lloj garancie edhe nga kryeministri, që në mandatin e tretë vëmendja do të jetë e përqendruar.

Absolutisht. Kjo është gjë e sigurt, kjo është direkt marrëdhënie edhe me kryeministrin, siç është e tija edhe me pjesën e kandidatëve të tjerë të grupit të PS-së, se ne jemi një grup në fakt, nuk vij si individ, vijmë si një grup, si pjesë e një grupi, ku segmenti që unë mbuloj është ajo që di të bëj më mirë, është si të sjell fonde, si të sjell donatorët, si të bashkëpunojmë, si të ndërtojmë urat e bashkëpunimit. E kam thënë edhe diku tjetër që, më pëlqen Shkodra, është qyteti i urave dhe ne duhet të gjejmë forcën për të ndërtuar ura për bashkëpunim, për zhvillim, për Shkodrën dhe rreth saj.

Megjithatë, nëse flasim për investime, flasim për vëmendje, nëse nuk do të ketë ndoshta një grup të deputetëve të PS-së që do ta kërkojnë me ngulm sepse një person i vetëm nuk do ta bëjë kurrë ndoshta atë tërheqjen e madhe të investimeve, keni një lloj pritshmërie se cili do të jetë rezultati për zgjedhjet e 25 prillit? Di që bëhen sondazhe pranë subjekteve politike, janë bërë sondazhe në medie të ndryshme ku PS-në e sjellin rreth 4-5 mandateve. Por cila është ajo ndjesia që ju si Benet Beci keni marrë nga takimet me qytetarët e Shkodrës?

Njëherë, nga strukturat e PS-së kam marrë një surprizë të vetëndjeshmërisë së saj pozitive dhe energjike për të marrë 5 mandate. Dhe që është objektivi i saj. Por unë mendoj që në çdo situatë, grupi që i është ofruar, grupi i deputetëve të PS-së është absolutisht një grup i diversifikuar, i kombinuar dhe vjen si një paketë që plotëson të gjithë kuadrin e nevojave ose të përfaqësimit të Shkodrës, përfaqësim moshash, përfaqësim eksperiencash, përfaqësim profesionesh e të tjera me radhë. Kështu që kjo, aq më tepër e bën kompakte paketën e ofertës së PS-së për Shkodrën, duke marrë parasysh, mendoj, dhe të gjithë deficitet që mund të jenë krijuar për një ose për një tjetër arsye, për zhvillimin e Shkodrës. Kështu që do të thosha që pritshmëritë janë të larta. Ka shumë dinamizëm siç ka në punë edhe atje ka një dinamizëm të PS-së brenda. PS-ja në Shkodër është jashtëzakonisht e motivuar. Po sistemohet ose është sistemuar gati për betejën pozitive të radhës, për ta fituar dhe për t’i provuar shkodranëve që, atë që po bëhet gjithkund, që po bën PS-ja gjithkund, do ta bëjë kësaj radhe akoma edhe më mirë për Shkodrën.

Ndoshta nuk jeni ju personi i duhur për t’jua bërë një pyetje të tillë, por shkodranët kanë ndoshta 8 vite që presin që PS-ja të bëjë diçka më shumë për këtë qytet dhe ndoshta do t’i rikthehem edhe një herë asaj bisede që ju keni bërë edhe me kryeministrin Rama. Ka një garanci, po themi, absolute që vëmendja do të jetë e përqendruar nga veriu. Shkodra normalisht që do të përfitojë. A është Benet Beci ai çelësi i suksesit të tërheqjes së investimeve për Shkodrën dhe a do të jeni ju katalizatori edhe me Bashkinë e Shkodrës që këto investime të bëhen realitet?

Çelësi i parë i suksesit, pa dashur të bëj, është programi, vullneti i kryeministrit dhe fokusimi që ka për veriun në këtë mandat. Unë jam pjesë e ekipit dhe jam pjesë specifike e ekipit për pjesën e investimeve dhe zhvillimeve. Kjo është gjëja që kam bërë gjithë jetën, kjo është gjëja që do të bëj për Shkodrën. E kam shumë më të kollajshme se kurdoherë që të jem i fokusuar në këtë gjë. Kjo është kontrata ime me kryeministrin dhe garancia ime për këtë gjë. Kjo është arsyeja pse jam, nuk kam asnjë gjë tjetër në fakt për t’u marrë me këtë gjë. Nëse kjo është një gjë që, nëse ka një gjë që vlen për mua në jetën time profesionale dhe në të gjithë historinë familjare edhe në ndjeshmërinë për Shkodrën, është që të jem këtu këtë mandat për këtë gjë. Jam shumë i vendosur në fakt dhe e kam me shumë dëshirë dhe është shtuar dëshira duke parë njerëzit që besojnë, që më kanë besuar. Edhe njerëzit në Shkodër po na presin shumë mirë dhe unë jam aq më shumë i angazhuar për këtë prej kësaj.

Janë vendosur ndoshta disa prej piketave se ku do të ndërhyhet në Shkodër, pa dashur të zbuloj.

Do të kemi një moment që do të flasim për këtë gjë. Unë nuk kam shumë eksperiencë në politikë tipike, por në menaxhim kam shumë eksperiencë dhe mendoj se ajo që po bëjmë tani është një komunikim, d.m.th. ne kemi një program, se kemi punuar shumë vite. Kam një ekip shumë të mirë që di me detaje se çfarë ndodh rreth Shkodrës, sepse duhet ta dini që unë kam prekur dhe ne kemi prekur të gjitha fshatrat, që ju i dini, deri Thethin që po bëjmë të fundit, prej Kaliri, ka shumë. Do të ulemi një ditë t’i themi, por d.m.th. të gjitha rrethinat e Shkodrës, të gjithë pjesën e qytetit ne e kemi prekur me investime. Siç e thashë, kemi të gjithë njohjen dhe lëndën e parë të mënyrës sesi të ndërhyhet. Kemi edhe mekanizmin sesi bëhet ndërhyrja, se duhet të kesh disa, duhet të kesh njohjen e terrenit, të dish njëherë si është dhe të kesh makinerinë për ta realizuar atë. Në çdo lloj skeme realizimi, ti duhet këtë, këtë dhe pastaj të kesh një output dhe një realizim. Ajo që po bëjmë në këtë moment paraprakisht është një njohje pak më e detajuar me pjesën e brendshme të qytetit të Shkodrës, me nevojat që ka. Kam dalë për të parë. Dhe e dyta, kemi hapur një diskutim që tani, me mendimet e qytetarëve të Shkodrës se cilat janë prioritetet që duhen. Në mënyrë individuale, mund të jetë pak e vështirë që prioritetet t’i prioritizosh, sepse ka shumë kërkesa të vogla. Por kemi mekanizmat dhe mënyrën sesi këto ne t’i kthejmë në një program, i cili të jetë makro, por edhe mikro në të njëjtën kohë, që ti me ndërhyrje të mëdha t’u japësh zgjidhje edhe problemeve të vogla, të cilat shqetësojnë banorët e zonës. Në fund të fundit, janë ata të cilët janë testi se si ne e kemi bërë punën tonë. Sigurisht që ne mund të bëjmë projekte të mëdha, hapim një rrugë, bëjmë një gjë, por ajo duhet të përkthehet në zhvillim ekonomik dhe zhvillimi ekonomik, rritja e mirëqenies individuale të çdo banori të Shkodrës, në fund të fundit është mënyra që unë do të mas punën time. Nuk duhet të jetë, sigurisht do të bëjmë një rrugë të madhe dhe do të zhvillojmë në të dyja anët ekonominë dhe biznesin, por në fund ai që më mat punën mua dhe ekipit tim është është se sa ka kontribuar në ekonominë e secilit investimi ynë dhe programi që kemi realizuar.

Unë dua t’i referohem edhe eksperiencës suaj të fundit në menaxhimin e Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare, por jo për sa u takon prurjeve në hidrocentral, por më shumë për zgjidhjen e një, do ta quaja më shumë të një gangrene të zonës së Nënshkodrës, ajo e përmbytjeve që të paktën prej viteve 2010-2011 vijon e përsëritet i njëjti refren. Do të keni ju një angazhim tuajin konkret për sa i takon zgjidhjes së kësaj problematike? Di që keni takuar banorët e Obotit, gjatë përmbytjeve keni qenë atje në terren, jeni njohur me problematikat që kanë këta banorë realisht si zona e Obotit edhe ajo e Dajçit, si dy prej zonave më të dëmtuara. Do të jetë në prioritetin e punës suaj edhe zgjidhja e kësaj problematike?

Nga sa kam kuptuar, kjo është një gangrenë, siç e thatë ju, e përhershme, e kahershme. Ajo që kam kuptuar gjatë kohës që kemi menaxhuar pjesën e kontaktit, është që ne duhet të përqasemi me dy mënyra. E para është mënyra që qeveria po përqaset me investime të mëdha siç është Skavica. Studimin e Skavicës e kam prezantuar unë dhe ne kemi punuar për një kohë të gjatë me konsulenca ndërkombëtare, që tani po bëhet realitet me marrëveshjen e fundit që u bë. Është një zgjidhje që pothuajse e zgjidh në mënyrë tërësore problemin, por nuk e shmang që ajo pjesë që nuk varet nga hidrocentralet, siç ka ndodhur edhe në raste të tjera, pra kur ti e menaxhon mirë hidrocentralin, pjesa e përmbytjes që vjen si efekt i shkarkimeve dhe i prurjeve të larta në liqen dhe që është siç ishte dhe rasti i fundit, ajo nuk e ka zgjidhjen me Skavicën. Është pjesa tjetër, e cila ka gangrenën që e kemi bërë vetë, është pjesë e problemit që kemi bërë ne vetë, mendoj, me sjelljen tonë ndaj Bunës, me mospërkushtimin dhe me mosndërhyrjet e duhura në kohën e duhur në të. Aty ka disa gjëra që do të them dhe do të jenë pjesë e një studimi, por ajo që kuptohet paraprakisht janë disa ndërhyrje që janë gjatë Bunës dhe që e kufizojnë, thellimi i Bunës dhe elemente të tjera. Nuk do t’i hyj teknikisht se nuk jam, duhet të jem i përgjegjshëm kur të jap një mendim të saktë teknik se si duhet të bëhet. Por ky është problem i shtruar. Diagnostikimi është pjesa e parë e zgjidhjes së problemit. E dyta, mendoj që është, siç e thashë, e domosdoshme jo vetëm për banorët që dëmtohen dhe tokat, por ajo që shoh për të gjithë rajonin e Shkodrës është në zhvillimin e turizmit dhe në të gjithë zhvillimin ekonomik. Nuk mund ta mbajë këtë element natyror të pamenaxhuar. Nuk mund të mbash dhe të presësh zhvillimin e Shkodrës, siç po planifikojmë, ku fillon nga Shëngjini, Velipoja, Ulqini dhe vazhdon në Shkodër. E kemi diskutuar disa herë. Është një zonë e tërë e integruar, me të gjitha elementet që ka integrimi, zhvillimi jashtëzakonisht bashkëkohor. Ai është një kombinim i jashtëzakonshëm. Tani të gjitha këto që mund të kombinohen, që janë, do të thosha unë, lënda e parë, tregu i madh për Shkodrën, se kjo është që të hapësh treg për Shkodrën, se Shkodra nuk zhvillohet dot pa hapur tregun, po kështu edhe pa hapur portat. Shkodra nuk mund të zhvillohet brenda mureve të gurta të saj. As edhe brenda moslidhjes me pjesën tjetër të botës. Shkodra nuk është një qytet-shtet. Shkodra është një qytet i hapur me ura, nuk është vetëm kalaja simbol i Shkodrës, është simbol i lashtësisë, që të jetë Shkodra e mbyllur. Shkodra duhet të jetë e hapur dhe hapet me tregun, hapet me turizmin dhe në këtë pjesë unë e shikoj që nuk mundet të pranosh që të kesh një menaxhim të prurjeve të ujërave kur të përmbytet, kur të prishet çdo gjë. Kështu që ajo është një domosdoshmëri për të pasur komfortin e një zhvillimi normal të një zone, do të thosha unë, elitare, turistike, por edhe ekonomike.

Duke iu referuar asaj çfarë ka dalë të paktën në media, sepse siç thashë, nuk dua që të zbuloj të gjitha projektet, por duke iu referuar asaj çfarë ju keni deklaruar për zonën e Zogajve, një rrugë me dy korsi që është gati projekti dhe besoj edhe të nisë edhe financimi. Do të jetë realitet gjatë mandatit të tretë të PS-së?

Koncepti nuk është në rrugë Zogaj dhe po të pyesësh shkodranët, ajo është një arterie që hap jashtëzakonisht treg në Shirokë sepse lidhet edhe me doganën. Iniciativa ka qenë para 2 viteve. Me kryeministrin kemi diskutuar për këtë dhe në qoftë se ju kujtohet, ne bëmë një insistim me qeverinë e Malit të Zi për hapjen e asaj pike dhe kemi kërkuar në fakt që të hapnim edhe pikën e Pulajve. Kemi kërkuar dy. Në atë kohu angazhua edhe kryeministri. Pati diskutime, nuk u arrit që të hapen të dyja dhe unë besoj që kjo do të jetë një sfidë tjetër, por u hap pjesa e pikës së Zogajt. E gjithë paketa ka qenë bashkë me Shirokën. I gjithë investimi që është bërë në Shirokë është pjesë e konceptit për t’u hapur dhe për të maksimizuar turizmin me hapjen e pikës kufitare në Zogaj dhe bashkë me këtë, ku rruga është pjesë e saj, që do të fillojë shumë shpejt, do të kemi edhe pjesën e moleve. Është prapë brenda së njëjtës paketë në proces, e moleve në liqen, se liqeni është pothuajse pa jetë dhe pa një gjallëri të tij. Ju e dini, midis të tjerave, për arsye se mungojnë molet, edhe iniciativa të tjera për zhvillimin e sporteve apo të turizmit ujor. Dhe në këtë pjesë, pra bashkë me rrugën është edhe një mol në pikën doganore në Zogaj, një mol është në Shirokë dhe një mol tek Ura e Bunës, ku ka qenë historikisht. Këto tre mole, bashkë me rrugën lart, bashkë me pikën kufitare që hapet, bashkë me pjesën e Shirokës që ka filluar aktivitetin, i gjithë ky ansambël është pjesërisht pjesë e një ansambli për t’u hapur komplet liqeni i Shkodrës, bashkë me një Bunë të lundrueshme dhe me tregun e Ulqinit dhe të pjesës tjetër, d.m.th. kjo është pjesë e një mozaiku të madh. Mund të duket e bukur dhe shumë futuristike kjo që them, por është shumë e thjeshtë dhe është e bërë, është në proces. Hapi i parë ka qenë Shiroka, faza e dytë e Shirokës, siç jeni në dijeni, është muzeu që do të bëhet në pjesën e, është si gadishull aty një pjesë, pjesa e molit, ku është parashikuar një muze i shkëlqyer, do të thosha unë, i bërë nga një arkitekt i jashtëzakonshëm, që ka bërë këtë Muzeun e Biodiversitetit të liqenit. Dhe kështu që pjesa e rrugës është një element i domosdoshëm që mund të bëjë të ndizet e gjithë pjesa e interesit. Dhe ajo që do të thosha në fund është që njerëzit, banorët duhet të jenë të përgatitur dhe të avancojnë me të gjitha mënyrat që do të duhen, me trajnime, me ekspertizë, për të pritur një turizëm që do të jetë në atë zonë shumë interesante edhe me hapjen e rrugës dhe të pikës kufitare në Zogaj.

Kam një pyetje që lidhet me mbiemrin e familjes suaj. Familja Beci, një familje e nderuar në Shkodër, por besoj që mbart edhe një lloj përgjegjësie në këtë kandidim tuajin përpara qytetarëve të Shkodrës.

Kjo në fakt është pesha ime më e madhe. Është pesha ime më e madhe se njerëzit, besimin e parë e kanë filluar nga mbiemri Beci dhe suportin e parë ma japin për këtë. Nga familja, të gjithë njerëzit e kushërinjtë që jetojnë këtu, të familjes, besoj se kanë lënë një emër të mirë. Dhe gjithmonë janë pyetjet: a është djali i xhaxhait të doktorit, apo është djali i profesorit, apo është djali i kësaj. Kjo është një atmosferë e jashtëzakonshme që ndodh në Shkodër. Unë nuk e di nëse ndodh edhe në qytete të tjera, ku ti e merr suportin prej një investimi shekullor të paraardhësve të tu dhe në Shkodër këtë e vlerësojnë. E vlerësojnë shumë dhe kjo ta bën më të lehtë, por ta bën më të rëndë përgjegjësinë. Sigurisht që unë vij me një paketë punësh që e prezantoj veten, por para kësaj pakete garancinë në Shkodër e jep mbiemri. Është një peshë, por edhe një vlerësim që ma bën punën më të lehtë, por përgjegjësinë më të madhe.

Ju mbush me përgjegjësi në këtë sfidë.

Po.

Unë ju falënderoj shumë për kohën. Besoj se do të kemi mundësi për të tjera intervista, për ta zbërthyer në detaje atë çfarë ju i ofroni Shkodrës, jo vetëm me projekte konkrete, por edhe me besim ndaj qytetarëve të Shkodrës në këtë rrugëtim tuajin në zgjedhjet e 25 prillit.

Me shumë kënaqësi do ta ndaja me ju të gjithë këtë dhe me qytetarët e Shkodrës që tashmë e kemi filluar. Ju falënderoj shumë juve dhe do të jem me kënaqësi kur të më ftoni.

Lexo gjithashtu

Sondazh

Gazetari Eduard Ilnica është dhunuar barbarisht mbrëmjen e së hënës nga disa persona. Për shkak të një shkrimi botuar në gazetën lokale për ekipin e Kastriotit.

Sakaq, ka reaguar demokrati Genc Pollo që akuzon qeverinë për mosmarrje dënimi apo solidarizim për rastin në fjalë.

Pollo thotë se liria e shtypit ka rënë poshte.

“Edhe një gazetar tjetër i dhunuar barbarisht pasi bëri detyrën, raportoi për dhunën në stadium. Në mes të Tiranës! Asnjë dënim apo solidarizim nga qeveria, ministri i Brendshëm, i Sportit. Si dhe më parë. Liria e shtypit poshtë”, shprehet deputeti në një deklaratë për mediat.