Marselo Brozoviç do të jetë lojtari më i ri i Interit. Talenti 22 vjeçar i kombëtares kroate do të firmosë sot në Milano një kontratë për katër vjet e gjysmë me zikaltërit e Milanos pasi të kryejë vizitat mjekësore.
Interi ka arritur akordin me Dinamon e Zagrebit, e cila zotëron kartonin e lojtarit duke zgjedhur fromulën e huazimin për 18 muaj me të drejtë blerjeje në qershorin e vitit 2016. Ky operacion do ti kushtojë klubit të presidentit Thohir 8 milion Euro. Inter ka surprizuar kështu rivalët e qytetit, ekipin e Milanit, i cili dukej më afër mesfushorit premtues të Dinamos së Zagrebit. Gjithashtu zikaltërit kanë mposhtur edhe konkurencën e fortë të Napolit dhe Arsenalit të Vengerit. Ky është përforcimi i tretë për skuadrën e Mançinit gjatë merkatos së janarit pas dy afrimeve të bujshme të sulmuesit Gjerman, Lukas Podolski dhe futbollistit me origjinë shqiptare, Xherdan Shaqiri.Sipas mediave italiane merkato Interit nuk ndalet këtu, pasi skuadra e presidentit Thohir është shumë pranë firmës me mbrojtësin Murillo nga skuadra e Granadës dhe mbeten të hapura pistat për Lukas Leivan dhe Tiago Mota. Duket se Thohir e ka marrë seriozisht ta ringrejë Interin në nivelet e larta të futbollit italian duke i dhënë Mançinit skuadrën që dëshiron.