Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Kulture & Art

Instituti i Historisë publikon shkresën e zyrtarit të Lidhjes së Shkrimtarëve, për censurën ndaj veprës së Ismail Kadare gjatë diktaturës

Shkruar nga Newsbomb

Instituti i Historisë, me mbështetjen e KAS (Konrad Adenauer Stiftung) ka botuar së fundi vëllimin IV “Indoktrinomi komunist përmes kulturës, letërsisë dhe artit”, ku sillen për herë të parë disa dokumente zyrtare të censurës shtetërore mbi krijimtarinë e shkrimtarit të njohur. Për ilustrim, po ju sjellim shkresën e njërit prej zyrtarëve partiakë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe KQ, Anastas Kondo, për ndalimin e botimit të romanit “Gjakftohtësia”.

Në tekstin më të gjatë të vlerësimit përse ky roman duhet ndaluar, po ju sjellim tekstin e mëposhtëm:

(Shënime për takim me drejtorin e Shtëpisë Botuese shokun Th. Leci dhe autorin e romanit, I. Kadare).

1. Drejtoria e Shtëpisë Botuese “N. Frashëri” dërgoi në aparatin e KQ të Partisë romanin e I. Kadaresë “Gjakftohtësia”. Sipas rregullave, nga aparati lexohen vetëm ato pjesë që lidhen me figurën e shokut Enver Hoxha. Në këtë rast, meqë u dërgua i tërë romani, ne e lexuam të plotë. Në relacionin që dërgon drejtoria e Shtëpisë Botuese “N. Frashëri” thuhet se “e kanë lexuar vetë me kujdes” dhe se është vepër e realizuar me nivel të lartë ideoartistik, me vlera të shumta estetike, edukative njohëse, vepër që ngërthen një problematikë të rëndësishme e madhore”. Më poshtë vihet në dukje se “në roman spikat fort dhe drejt ideologjikisht dhe me nivel të lartë ideja e unitetit Parti-Popull.... Interes të madh paraqet në roman kundërvënia e dy botëve...” etj.

Nga studimi i romanit duket qartë se ai është ideologjikisht i- gabuar dhe i pabotueshëm, prandaj romani nuk duhej të ishte dërguar në aparatin e KQ të Partisë. Shokët e Shtëpisë Botuese e veçanërisht të drejtorisë duhet të ishin thelluar në përmbajtjen e kësaj vepre. Ata janë treguar oportunistë. Po ashtu kanë gabuar rëndë edhe shokët e zhurisë që i kanë dhënë çmim të parë. Ne nuk mund të pranojmë që vepra të botohet dhe pastaj- kritika ta hedhë poshtë. Për ta evituar këtë, nuk do të lejojmë të botohet. Nuk duam të çorientojmë opinionin publik, sidomos në këto situata. Duke mos e botuar, ne ndihmojmë edhe I. Kadarenë si autor- dhe si komunist. Ismaili është kritikuar disa herë për gabime në krijimtari. Duhet të mendojë thellë e të reflektojë mbi kritikat që i janë bërë. Me romanin “Gjakftohtësia” ai po bën një gabim të ri e të rëndë. Ismaili duhet të çrrënjosë nga ndërgjegjja e vet se shkruan vepra për publikun e huaj.

I. Konkretisht cilat janë disa nga gabimet ideologjike të romanit. Në romanin “Gjakftohtësia” autori përpiqet të pasqyrojë- marrëdhëniet e vendit tonë me Kinën, të tregojë gjendjen e krijuar në vendin tonë pas tradhtisë së P. K. Kineze, luftën e Partisë sonë kundër pikëpamjeve revizioniste të saj, sabotimet e specialistëve kinezë në ekonomi etj. Në roman ka disa pjesë të mira, por këto janë të pakta e të veçanta. Përgjithësisht romani është ngritur mbi disa ide të gabuara.

1. Romani “Gjakftohtësia” tingëllon një satirë dhe një përqeshje me socializmin, me parimet dhe idetë e tij. Kjo satirë dhe kjo tallje fshihet nën idenë e goditjes së “socializmit” kinez dhe të “majtizmit” të tij. Gjer këtu është disi e fshehtë. Por ajo shfaqet pastaj haptazi në faqet e romanit, përmes ideve dhe frazave të dykuptimta, me të cilat është mbushur gjithë vepra. Le të marrim, fjala vjen qëndrimin e autorit ndaj puçistëve ushtarakë, në kohën kur ata bëjnë autokritikë. E gjithë kjo është një tallje, një ironi, një ekuivok. Të kujtojmë për shembull mendimin e ministrit D. për autokritikën. Autori shkruan: “Ca fjalë të zakonshme mbledhjesh, porositë e Partisë, zotime për të ardhmen etj. etj. Një autokritikë të fortë për gjaknxehtësi, prepotencë, arrogancë mosthellim në studimin e dokumenteve të Partisë, të veprave të shokut Enver dhe fësht kalonte hendekun”. Po në gojën e këtij personazhi vihen të tilla fjalë tallëse: “Rëndësia e Partisë, siç e dimë është mbi të gjitha, materializmi dialektik e ku të di unë..” Bashkë me ironinë përzihet edhe zymtësia e gjendjes: shkarkime, arrestime, brengosje, kritika dhe autokritika.

Për mbledhje të zhvilluara sipas porosive të Komitetit Qendror e të sekretarit të parë, autori shkruan me tallje se si zgjasin gjer në mesnatë dhe njerëzit i zinte gjumi. Në roman, nga faqja në faqe, ironia, tallja dhe përqeshja ndaj kritikave dhe demaskimeve që u bënte Partia komplotistëve dhe deviatorëve sa vjen dhe thellohet aq sa kthehet kundër veprimeve tona. Ja si autori ironizon: “Nga autokritika e ndërlidhësit S të shtabit... “Papjekuria ime ideologjike, mosthellimi sa duhet në studimin e marksizëm-leninizmit. Por në Parti s’ka lart e poshtë, domethënë... edhe në ushtri, ky është dhe ndryshimi i saj nga ushtritë borgjeze revizioniste”. Ironitë dhe sarkazmat ndaj socializmit, terminologjisë që ne përdorim dhe talljet me gjëra të shenjta e mbushin pothuajse gjithë romanin e I. Kadaresë. Ja se ç’fraza ve autori në gojën e një fshesaxhiu: “Tridhjetë vjet duke fshirë rrugët mbi të cilat ecin ndërtuesit e socializmit, kështu tha kryetari i bashkimeve profesionale, apo jo?” Disa përshkrime e bëjnë socializmin si një zymtësi, ku njerëzit dridhen për fatin e tyre, për fatin e të afërmve dhe në përgjithësi për të ardhmen. Autori e zhvesh personalitetin e njeriut në socializëm, e bën pa vlerë. Ai thotë: “Ashtu si në një hetim gjyqësor, ku çdo ditë e më tepër përfshihen njerëz që ndoshta as nuk njihen me njëri-tjetrin, ashtu nisin të dalin emrat e të kritikuarve në mbledhje të ndryshme për çështje të ndryshme”. Këtu është e qartë ideja e shkatërrimit të njeriut, e frikës, e etheve, e pasigurisë që krijon lufta e klasave në socializëm, sipas autorit. Bile sipas tij edhe arti vritet në këtë situatë të luftës së klasave. Ai vë në gojën e shkrimtarit Skënder Bermema këto fjalë: “Ju të gjithë së bashku ma vratë romanin”. Është për t’u çuditur se si redaktorët e Shtëpisë botuese të lënë fraza e mendime të tilla të shprehura kaq haptazi kundër parimeve tona!

2. Lufta për demaskimin e revizionizmit kinez është një fitore e madhe e Partisë sonë. Por si paraqitet kjo në roman? Pasojat e kësaj lufte krijojnë keqkuptime e dyshime. Në mjaft raste, pohohet ideja se prishjet me shtetet e mëdha shkaktojnë drama, thyerje shpirtërore, madje edhe fatkeqësi individuale. Gjergji dhe Skënder Bermema nga vajtja në Kinë pësuan tronditje shpirtërore të pajustifikuara, Linda etj, ëndërrojnë të martohen në çaste kthesash, tronditjesh politike. Viktori humbi sytë, kushëriri i Skënderit humbi jetën etj. Armiqtë, siç thamë, shqetësohen për prishjen e marrëdhënieve dhe ligështohen nga vdekja e Mao Ce Dunit. Ligështohen edhe një pjesë e njerëzve tanë, të paaftët që shkëlqimin e tyre e kishin lidhur me miqësinë me Kinën. Ish prosovjetikëve (ata që kanë mbaruar studimet në BS) iu ngjallën shpresa për afrimin me BS. Studentët që u kthyen nga Kina u martuan dhe u fejuan. Shumë vajza u ndanë nga të fejuarit për t’u fejuar me studentët që u kthyen nga Kina. Përse i duhen autorit këto drama? A i shërbejnë ato në të vërtetë pasqyrimit të madhështisë së luftës së Partisë apo shkojnë në dëm të saj? Natyrisht, që ato ndikojnë më shumë për keq se për mirë. Dëmet që i shkaktohen ekonomisë pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën, jepen në përmasa dhe forma të tilla që të krijojnë përshtypjen se çelësat e ekonomisë sonë kishin qenë në duart e kinezëve. Është e vërtetë që udhëheqja kineze u shkaktoi dëme të rënda disa sektorëve të ekonomisë sonë, por Partia dhe kuadrot ishin të përgatitur dhe u bënë ballë me sukses vështirësive.

3. Komploti dhe veprimtaria e grupeve armiqësore nuk pasqyrohen saktë dhe jepen në përmasa të zvogëluara. Si aksion kryesor të puçistëve në ushtri, autori jep vetëm urdhrin për rrethimin e një komiteti partie gjatë një loje ushtarake. A mund të jepen, vetëm me këtë dhe rreziku i qëllimeve e veprimeve të puçistëve? Si veprim kryesor të grupit armik në ekonomi jep emërimin përgjegjës pastiçerie të një ish pronari që kishte ardhur nga Australia. Sipas autorit kjo bëhej me qëllim për t’i hapur rrugën rivendosjes së kapitalizmit sipas mënyrës kineze. A mjafton një fakt kaq i banalizuar për të treguar sabotimet në politikën ekonomike?

4. Në roman i është lënë një vend mjaft i madh kritikës së realitetit kinez. Por në këto pjesë nuk ka sa duhet realizëm, nuk ruhet masa. Nga kritika e realitetit revizionist kalohet në diskriminimin e Kinës. Vlerësimi i Kinës dhe i udhëheqësve kinezë nuk është bërë nga pozita e Partisë sonë. Kritika ndaj Mao Ce Dunit dhe Çu En Lait i kapërcyen të gjitha kufijtë. Mao Ce Duni është vizatuar si një njeri i fantaksur që rri jashtë çdo realiteti dhe që nuk ka asnjë meritë. Ai është kultivues i marihuanës dhe i urrejtjes për artin dhe letërsinë. Armik i mendimit njerëzor dhe në mënyrë të veçantë i evropianëve në tërësi. Të kësaj natyre janë dhe Çu En Lai, Huan Kuo Feni dhe Lin Bio.

Mënyra e paraqitjes së jetës në Kinë, pa art e letërsi, pa dashuri, pa bizhuteri, në fakt i bën jehonë kritikës që i bëjnë realitetit kinez të kohës së Maos udhëheqësit e sotëm të Kinës dhe politikës së tyre për Indoktrinimi komunist përmes kulturës, letërsisë dhe artit 337 hapjen e dyerve mënyrës perëndimore të jetesës, pra është parë nga pozitat liberale.

5. Një ide krejtësisht e shtrembër e romanit është ajo e luftës së liberalizmit kundër obskurantizmit, apo e Azisë me Evropën, e “kinezërisë” me “evropeizmin”, siç ka dëshirë të shprehet autori. Dhe kjo nuk ka të bëjë fare me luftën parimore të marksizëm-leninizmit me revizionizmin apo ekstremizmin kinez, luftë që bënte dhe bën Partia jonë. Kinezët dhe aziatikët ai i quan inferiorë ndaj evropianëve dhe të paaftë për të çuar shoqërinë përpara, prandaj dhe tallet me ta, me fizikun dhe mendjen e tyre. Për autorin gjithë problemi është Shqipëria të ruajë “rezervat e evropianizimit” dhe të mos aziatizohet. Dhe për të trullosur trurin e Evropës, Mao Ce Duni, sipas autorit, shpik idetë e tij dhe “marihuanë”. “Trullos një herë Evropën, i kishte thënë para ca kohësh Çian Çini, dhe zëre se ke trullosur botën. Truri i Evropës ishte më i keqi nga të gjithë.”

6. Në romanin “Gjakftohtësia” shprehet ideja e gabuar se populli ynë nuk i donte kinezët dhe miqësinë me ta, por këtë ia ka imponuar Partia dhe shteti ynë. Sipas autorit, kush fliste keq për kinezët e pësonte, hiqej nga puna ose qarkullohej. Për të bazuar këtë ide ai ka krijuar edhe një personazh të fantaksur, Viktor Hilën, edhe një personazh kinez jo më pak të fantaksur. Njerëzit mezi presin që të prishen me Kinën. Dhe kur marrëdhëniet prishen, padurimi shkon gjer atje sa punëtorët të ngjiten në antenën e agjencisë kineze “Hsinhua” dhe ta prishin!

7. Në romanin “Gjakftohtësia”, ato pak faqe që janë shkruar për figurën e shokut Enver janë të dobëta artistikisht, disa herë të dykuptimta të gabuara. Figura e shokut Enver vendoset në situata që nuk i takon, pasi tingëllojnë keq. E tillë është situata kur shoku Enver telefonon natën në shtëpinë e ministrit D, ose kur Mao Ce Duni merr letrën e shokut Enver në shpellë. Emri i shokut Enver nuk duhej të vendosej në situata që shprehin humor apo satirë. I tillë është rasti kur në roman tallet një kinez, ndërsa ai pyet “Shoku Enver si është me shëndet”, apo rasti tjetër kur emri i shokut Enver Hoxha vihet bashkë me Trockin, Guevarën, Mao Ce Dunin etj. “E kishin akuzuar njeri tjetrin pa mëshirë, kishin cituar në mënyrë të turbullt Trockin e Marksizëm-Leninizmin, Enver Hoxhën, Çe Guevarën”.

8. Qëndrimi i Partisë sonë ndaj lëvizjes marksiste-leniniste nuk është interpretuar drejt. Del sikur pas acarimit të marrëdhënieve me Kinën, nga Partia jonë u dërguan njerëz nëpër vende të ndryshme për të mos lejuar largimin e partive të reja nga marksizëm-leninizmi. Duket sikur ne u diktojmë vullnetin tonë partive të tjera.

9. Zhvillimin e ngjarjeve dhe veprimin e personazheve e përshkon një farë spontaniteti. Duket sikur gjërat shfaqen e zhduken vetë, pa vullnetin e njerëzve, jashtë vetëdijes së tyre. Personazhet bien në dashuri, martohen e ndahen në mënyrë të pandërgjegjshme, jashtë gjykimit të tyre. Një qëndrim i tillë shkon në dëm të vlerësimit objektiv të ngjarjeve, ul rolin e faktorit të ndërgjegjshëm, dobëson rolin e faktorit subjektiv, thekson dozat e objektivizmit borgjez. Personazhet pozitive, në roman jo vetëm që janë të kufizuara në numër por, për hir të “objektivizmit”, të gjithë janë me mangësitë e tyre të theksuara. Gati të gjithë kanë drama e ndarje në dashuri, duke përfshirë edhe Lindën që është më e reja. Disa janë martuar nga dy herë. Përse personazhet pozitive duhet të kenë patjetër “dramën” e tyre? Midis personazheve pozitive dhe armiqve, në roman kemi një galeri të tërë personazhesh e tipash të lëkundshëm, madje dhe negativë: S. Dersha, gruaja e tij, i vëllai, gruaja e vëllait. Të tillë janë edhe ndërlidhësi, radisti, shefi i kuadrit, i zbulimit e të tjerë. Për se duhen në një roman që paraqet luftën dhe qëndresën tonë, kaq shumë elementë të lëkundshëm, pa karakter, pa personalitet.

10. Autori nuk respekton kronologjinë e ngjarjeve. Të gjithë ndodhitë në Kinë, nga Revolucioni Kulturor e deri në vdekjen e Maos, të gjitha ngjarjet në marrëdhëniet me Kinën, që nga koha e vajtjes së presidentit amerikan, zhvillohen brenda kohës së ciklit të lulëzimit të limonit. Kështu cenohet realiteti historik dhe krijohen keqkuptime.

11. Edhe nga niveli artistik romani qëndron më poshtë nga gjithë veprat e tjera të këtij autori. Kemi personazhe pa botë, të fantaksur, ekcentrikë, ose të mbyllur brenda guaskës së tyre mikroborgjeze. Ministri D nuk del i bindur në parimet, pikëpamjet e veta. Ka pjesë me një fantazi jashtë çdo realiteti. Shumica e personazheve të palës sonë janë liberalë, mikroborgjezë, ata nuk mund t’u kundërvihen pikëpamjeve kineze me pikëpamje marksiste. Këta nuk janë bartës të ideve të mëdha. Gjergji, personazhi kryesor, të kujton B. Strugën. Ai është thjesht një korrier që realisht nuk di asgjë. Ai nuk mund të bëjë politikën e madhe të shtetit, sado që përpiqet autori ta zbukurojë. Skënder Bermema, sipas autorit personazh pozitiv, është gati të rrihet në Kinë me kritikun shqiptar.

* * *

U përpoqëm ta konkretizojmë mendimin se romani jo vetëm është i pabotueshëm por edhe thellësisht i gabuar ideologjikisht dhe i dobët artistikisht. Shokëve të Shtëpisë Botuese u tërheqim vërejtjen që nuk janë thelluar në shqyrtimin e këtij romani. Ata, pasi e kanë firmosur faqe për faqe, gjë që do të thotë se tani e kanë gati për botim, e dërgojnë në aparatin e KQ të Partisë për t’u konsultuar për faqet ku përmendet shoku Enver Hoxha dhe për pjesët që flasin për autokritikën në ushtri. Në relacionin e drejtorisë thuhet se “autorit i janë bërë edhe disa sugjerime e propozime më konkrete, qoftë të karakterit redaktorial qoftë për heqjen e ndonjë skene a detaji. “Këto sugjerime” janë për të hequr një skenë në ekspozitën e arteve figurative, ku flitet për elementë filosovjetik e filokinez, të hiqen pjesë ku flitet për marrëdhëniet e S. Bermemës me kritikun, të hiqen pikëpamjet e Mao Ce Dunit për dashurinë, e të tjera. Pra siç shihet shokët e Shtëpisë Botuese nuk janë thelluar në gabimet e romanit; ata jo vetëm i kanë thjeshtëzuar tepër gabimet në brendi të romanit por edhe ato i paraqesin si “sugjerime”. Shtëpia Botuese dhe drejtoria e saj fare mirë mund t’ia kishin kthyer romanin autorit si të pabotueshëm dhe si të gabuar ideologjikisht, duke i tërhequr madje dhe vërejtjen. Në aparatin e KQ shkrimet dërgohen vetëm kur duhet dhënë përgjigje për një problem konkret që shqetëson drejtorinë, për ndonjë çështje të diskutueshme, por jo kur veprat janë në themel të pabotueshme e të gabuara.

Romani i I. Kadaresë i ka të qarta gabimet. Ato tendenca të gabuara që ka pasur në romanin “Dimri i vetmisë së madhe” (Varianti i parë i botuar i “ Dimrit të madh”) kanë marrë përmasa më të mëdha në veprën që po analizojmë. Për autorin e këtij romani shokun Ismail Kadare dalin disa probleme. Ai duhet të mendohet thellë si të shkruajë vepra për popullin, të qarta e milituese, dhe jo vepra për “bujë botërore”. Realitetin tonë ta pasqyrojë qartë nga pozitat e partisë sonë, dhe jo duke u nisur nga këndshikime subjektive apo të huaja.

AQSH, Fondi 14/APSTR, Viti 1983, Dosja 98, fl. 29-39

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll