Edhe pse vërehet një rënie në shifra për shkak të pandemisë botërore, tregtia e mallrave mes shteteve nuk ka ndalur.
Instituti i Statistikave (INSTAT) raportoi sot se në 3-mujorin e këtij viti eksportet e mallrave shqiptare drejt Kinës arritën vlerën 2,2 miliardë lekë nga 1,2 miliardë lekë të eksportuara në 3-mujorin e 2020-s.
Ndërkohë, importet e mallrave, referuar INSTAT, arritën vlerën 14,7 miliardë lekë. Në të njëjtën periudhë të 2020-s u importuan 11,2 miliardë lekë mallra.
Sipas INSTAT, në muajin mars volumi i importit të mallrave nga Kina u rrit me 95,6%.
Shqipëria importon nga Kina kryesisht makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi vlera e të cilave gjatë këtij 3-mujori llogaritet 6,8 miliardë lekë.
Po ashtu tekstile dhe këpucë, me vlerë gati 2,6 miliardë lekë, produkte kimike e plastike me vlerën mbi 1,9 miliardë lekë dhe dhe materiale ndërtimi e metale me vlerë 1,2 miliardë lekë.