
Prej vitesh, Bashkia e Tiranës paguan një tarifë 29 euro për ton mbeturina të depozituar në landfillin e “Integrated Energy bv” në Sharrë.
Tarifa supozohet të përfshijë kostot për disa procese, si për depozitimin, ndarjes dhe incenerimit të mbetjeve urbane. Mirëpo, siç është vërtetuar gjerësisht procesi i incenerimit nuk kryhet. Kjo për faktin se pavarësisht pagesave të majme në landfillin e Sharrës ende nuk është ndërtuar impianti i supozuar.
Duke bërë një vesh shurth dhe një sy qorr, bashkia e kryeqytetit ka vijuar me vite të paguajë tarifën e përcaktuar në kontratë.
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në një auditim të kryer në vitin 2022, i kërkoi kërkoi Bashkisë së Tiranës dhe institucioneve qeveritare që të rinegocionin me kompaninë koncesionare për të ulur nga tarifa vlerën e procesit të incenerimit. Rekomandimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit nuk u dëgjua nga Bashkia e Tiranës, inceneratori në Sharrë vijon të marrë pagesa, edhe nuk kryen proceset incenerimit të mbetjeve.
Në njoftimin e SPAK nënvizohet qartë fakti se anëtarët e komisionit të vlerësimit të koncesionit, në kundërshtim me ligjin, vendosën një tarifë që edhe sot rëndon xhepat e qytetarëve. Shteti shqiptar paguan miliona euro për inceneratorët, edhe pse nuk është kryer një studim fizibiliteti përsa i përket përllogaritjeve të kostove.
Dakortësia për tarifën prej 29 euro për çdo ton mbetje, për të mbuluar koston e koncesionit u arrit me anë të falisifikimit të studimit të fizibilitetit. Aty u paraqitën shifra falso, me qëllim përfitimin e sa më shumë parave nga buxheti i shtetit.
Në studimin e fizibilitetit të përgatitur nga Komisioni i dhënies së koncesionit, nuk janë marrë në konsideratë të gjitha të ardhurat reale që do të përfitonte shoqëria koncesionare. Realisht, nëse proceduara do ishte korrekt me ligjin, vlera e tarifës që do të duhej të paguanin Njësitë e Qeverisjes Vendore, do të ishte më e ulët.
Komisioni i dhënies së koncesionit nuk ka bërë përfshirjen e të ardhurave që do të përfitonte shoqëria koncesionare nga palët e treta për depozitimin e mbetjeve inerte, duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit.
Pjesë nga njoftimi i SPAK
Së katërti, në lidhje me studimin e fizibilitetit, anëtarët e Komisionit të dhënies së koncesionit, shtetasit Valbona Ballgjini, Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Sidita Temali, Etleva Kondi, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, kanë vepruar në kundërshtim me ligjin nr. 125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik pritvat”, si dhe në kundërshtim me VKM nr. 575, datë 10.07.2013, “Për miratimin e rregullave për vlerësimin dhe dhënien me koncesion/partneritet publik privat”, i ndryshuar, përsa i përket përllogaritjeve të kostove në studimin e fizibilitetit, duke i marrë kostot nga studimi i fizibilitetit të shoqërisë propozuese “Integrated Energy BV”, pa kryer asnjë verifikim në lidhje me vërtetësinë e tyre.
Nga aktet e administruara rezultojnë të dhëna fiktive të vendosura në studimin e fizibilitetit, të cilët kanë rritur fiktivisht tarifën e depozitimit të mbetjeve nga Njësitë e Qeverisjeve Vendore, 29 Euro/ton.
Në studimin e fizibilitetit të përgatitur nga Komisioni i dhënies së koncesionit, nuk janë marrë në konsideratë të gjitha të ardhurat reale që do të përfitonte shoqëria koncesionare. Këto të ardhura, të cilat nuk janë përfshirë, ndikojnë negativisht në buxhetin e shtetit, pasi nëse do të ishin përllogaritur, atëherë vlera e tarifës që do të duhej të paguanin Njësitë e Qeverisjes Vendore, do të ishte më e ulët.
Komisioni i dhënies së koncesionit nuk ka bërë përfshirjen e të ardhurave që do të përfitonte shoqëria koncesionare nga palët e treta për depozitimin e mbetjeve inerte, duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit. Nëse do të ishin përllogaritur të ardhurat që shoqëria koncesionare do të përfitonte nga palët e treta, si zë të ardhurash në studimin e fizibilitetit, atëherë do të ishte ulur pjesa e mbulimit që do të kryhej nga shteti.