Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, i ka komunikuar akuzat “trurit” të Inceneratorit, Mirel Mërtirit. Burime për mediat bëjnë me dije se në mungesë të Mërtirit, i cili është shpallur në kërkim, akuza i është komunikuar avokatit të tij.
Mirel Mërtiri akuzohet për veprat penale “korrupsioni” dhe “pastrim parash”, lidhur me aferën e Inceneratorit të Elbasanit.
Gjithashtu edhe avokatët e Arben Ahmetajt si dhe Klodian Zotos u njohën me akuzat ndaj klientëve të tyre. Mësohet se avokatit të Arben Ahmetajt, Henrik Ligorit, iu komunikua akuza ndaj klientit të tij për korrupsion në 6 raste, pastrim parash si dhe fshehje pasurie. Ndërsa, Kloadian Zoto, “bosi” tjetër i inceneratorëve akuzohet për “pastrim parash” si dhe “korrupsion”.
Ish-zv.kryeministri, Arben Ahmetaj, prej korrikut të vitit të kaluar ndodhet në kërkim ndërkombëtar në kuadër të dy procedimeve të mëparshme të bashkuar në një të vetëm, për “Fshehje të pasurisë”, “Korrupsion pasiv” dhe “Pastrim parash”. Atij i janë sekuestruar disa pasuri dhe prona dhe një pjesë e tyre dyshohet të jenë vënë falë marrëdhënies me pronarët e inceneratorëve Klodian Zoto e Mirel Mërtiri që ndodhen po ashtu në kërkim. Ai dyshohet se ka ndërmarrë një mori aktesh, në funksionet e tij si ministër, për t’i mundësuar këtyre sipërmarrësve lidhjen e kontratave koncensionare.
Biznesmeni Mirel Mërtiri është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga policia, pas urdhër-arrestit të lëshuar nga SPAK, në kuadër të hetimeve për dosjen e inceneratorëve. Mërtiri u shpall në kërkim pasi nuk u gjet në banesë në momentin kur policia ka shkuar për të ekzekutuar urdhër-arrestin e firmosur nga SPAK.
Në kërkim për këtë çështje u shpall edhe edhe Klodian Zoto dhe Stela Gugallja. Kjo e fundit është edhe bashkëjetuesja e Mërtirit, me të cilin ka edhe dy fëmijë.
Në njoftimin e bërë asokohe nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar thuhej se shtetasit Mirel Mërtiri, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto, kanë konsumuar veprat penale të “Korrupsionit aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë” kryer në bashkëpunim dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale e kryer në rrethana cilësuese në bashkëpunim.