
Deputetja e PD, Jorida Tabaku ka drejtuar Komisionin Hetimor për këtë çështje në parlament dhe thekson se ia penguan punën shpesh për shkak të disa shkresave me të dhëna të ndryshme që kërkonin.
E ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan ajo ka folur në lidhje me dosjen për inceneratorin e Tiranës.
Tabaku ka thënë se nuk e kishte menduar se kishte një përfshirje të tillë të të gjithë shtetit në funksion të dy personave që sot janë në kërkim.
“Informacioni që nuk e kemi pasur dhe nuk e kemi edhe sot e kësaj dite që është diçka e re janë komunikimet e pronarëve të kontratës së inceneratorit me zyrtarët në Bashkinë e Tiranës, në Ministrinë e Mjedisit, në Bashkinë e Elbasanit, një informacion që ka ardhur nga kompjuterët e kompanisë që ka marrë kontratën e incenerimit.- tha Tabaku.
Ajo ka shtuar se kur kishte deklaruar se shteti u ngrit në këmbë për dy persona, në fakt nuk e mendoja që kishte një përfshirje të tillë.
“Kur unë kam thënë atëherë në Komision Hetimor që gjithë shteti është ngritur në këmbë për t’i dhënë dy individëve me duar në xhepa 430 milionë euro, në fakt nuk e mendoja që kishte një përfshirje të tillë. Informacioni që ne po lexojmë sot që tregojnë se kontratat koncensionare janë shkruar në kompanitë private dhe i kanë shkuar gati, vendimi i Këshillit Bashkiak është shkruar në kompaninë private dhe i ka shkuar gati Erion Veliajt, tregon me të vërtetë ngritjen në këmbë të shtetit në funksion të dy individëve që sot janë në kërkim ndërkombëtar”, - u shpreh Tabaku.