Hapësire reklamuese

Aktualitet

Inagurohet Konsullata e Shqipërisë në Gjakovë, mungon ministri Thaçi

Shkruar nga Newsbomb

Gjatë një ceremonie të veçantë, u inaugurua sot në Gjakovë Konsullata e Nderit të Republikës së Shqipërisë. Në këtë ceremoni mori pjesë Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Ditmir Bushati, Ministrja e Shtetit e Republikës së Kosovës Edita Tahiri, Kryetarja e Komunës së Gjakovës Mimoza Kusari Lila, zyrtarë të MPJ-së dhe institucioneve vendore, anëtarë të trupit diplomatik dhe figura të tjera të larta.

Në inagurimin nuk ishte i pranishëm Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, pasi ndodhet në Paris, ku do të ndjekë nga afër vendimin që do të marrë Bordi Ekzekutiv i UNESCO-s ditën e nesërme për kërkesën e Kosovës për anëtarësim.

“E përgëzoj Qeverinë e Republikës së Shqipërisë për vendosjen e konsullit të nderit në Gjakovë nga ana e Ambasadës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës. Hapja e kësaj konsullate në Gjakovë do të intensifikojë bashkëpunimin ekonomik, kulturor e artistik mes qytetit të Gjakovës dhe bashkitë në pjesën veriore të Shqipërisë por edhe do të ndikojë në thellimin e marrëdhënieve të shkëlqyeshme ndërshtetërore”, shkruan Thaçi në facebook.

Lexo edhe: (Jo) Kosova në UNESCO, letra, shkrime dhe peticione. Prishtina dhe Beogradi në fazën e fundit të “luftës” diplomatike

Në mbledhjen e fundit midis dy qeverive, në mars të këtij viti, u nënshkrua një marrëveshje e veçantë për thellimin e bashkëpunimit të zonës ndërkufitare midis Komunës së Gjakovës me Malësinë e Gjakovës. Hapja e kësaj konsullate do të shërbejë në strukturimin e bashkëpunimit mes bashkive veriore të Republikës së Shqipërisë me Komunën e Gjakovës në sferën e zhvillimit të përbashkët ekonomik, shkëmbimeve tregtare, kulturore, turistike dhe realizimit të projekteve ndërkufitare mes dy vendeve.

Në fjalën e tij gjatë ceremonisë, Ministri Bushati u shpreh se: “Hapja e Konsullatës së Parë të Nderit në Kosovë, ka një domethënie të dyfishtë, nga njëra anë është tregues konkret i thellimit të bashkëpunimit ndërshtetëror midis dy vendeve dhe nga ana tjetër, kjo Konsullatë, e para në llojin e saj, hapet në qytetin me tradita të Gjakovës, që ka lindur disa nga figurat më të shquara të kombit shqiptar, nga Ali Podrimja, Bajram Curri, Sulejman Vokshi, Esat Stavileci, Pajazit Nushi, Elton Zherka e deri tek kapiteni Kuq e Zi – Lorik Cana. Bijtë e Gjakovës na kanë bërë të ndjehemi krenarë para vetes dhe para botës”. Më tej, ai shtoi se: “Është kënaqësi për mua të emëroj Konsullin e  nderit të Shqipërisë në Gjakovë, z. Tahir Emra, anëtar korrespodent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës”.

Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila falënderoi  Ministrin Bushati për këtë iniciativë me rëndësi dhe vlerësimin e veçantë që i bën zonës së Gjakovës, si dhe u shpreh se: “Hapja e Konsullatës përben një detyrim për ne për të zhvilluar më tej marrëdhëniet e Gjakovës me institucionet e Shqipërisë”.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu