
Deputetja demokrate Ina Zhupa ka reaguar për propozimin e emrit të Blendi Goxhes për të marrë drejtimin e ministrisë së re për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin. Ajo thotë se demokratët do të jenë përballë anëtarit të ri të kabinetit.
"Gonxhja i Ramës do jetë edhe më keq se Margariti jam e bindur por përballë do na ketë hap pas hapi", shkruan deputetja Ina Zhupa, teksa nuk kursen as ministren e Kulturës Elva Margariti.
"Udhë të mbarë Elva Margariti, nuk do na mungosh fare, të përdorën si vrasëse të kulturës dhe të hodhën poshtë duke të shkrirë edhe ministrinë. Je kurbani i rradhës", vijon ajo. Megjithatë, nëse ka një urdhër konkret emërimi, nuk ka një të tillë për shkarkimin e ministres së Kulturës.
Shënimi i plotë i Ina Zhupës:
Bashkimi i kulturës me ekonominë, zyrtarizimi i trajtimit të trashëgimisë kulturore si mall tregu dhe koncesioneve si metodë pune. Shqipëria e trajtuar si plackë, ku nuk shpëton as kultura, shprehet qartësisht me këtë vendim.
Udhë të mbarë Elva Margariti, nuk do na mungosh fare, të përdorën si vrasëse të kulturës dhe të hodhën poshtë duke të shkrirë edhe ministrinë. Je kurbani i rradhës.
Tani vazhdo edhe ca ditë në bordin e koncesionit të Butrintit sa të dali vendimi i rrëzimit nga Gjykata Kushtetuese dhe turpin ta lajnë me heqjen tënde. Do votoj me të dyja duart që të ikësh ti nga kultura. Gonxhja i Ramës do jetë edhe më keq se Margariti jam e bindur por përballë do na ketë hap pas hapi.