Qendra Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë e kishte një qendër moderne sterilizimi 10 vite më parë, kur ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj vendosi të jepte me koncesion sterilizimin e seteve kirurgjikale.
Nga hetimet del se në shkurt të vitit 2014, ministri Ilir Beqaj mori një kërkesë nga Ogerta Manastirliu, atëherë drejtoreshë e QSUT, për të vënë në punë qendrën moderne të sterilizimi që flinte prej vitesh në spitalin e ri të urgjencës, por kërkesa mbeti pa përgjigje.
Kapaciteti i qendrës së sterilizimit mbulonte rreth 60 mijë ndërhyrje kirurgjikale në vit, nga 50 mijë që raportoheshin se ishin kryer në vitin 2013, por nuk ishte vënë në punë për shkak se nevojitej trajnimi i stafit mbështetës, shkruan Report Tv.
Ministri Ilir Beqaj, për të cilin hetimet e SPAK duket se janë ndarë nga ato për 8 zyrtarët dhe ish-zyrtarët e arrestuar tre ditë më parë, dhe pse u vu në dijeni për këtë investim lejoi hapjen e procedurave tenderuese për koncesionin e sterilizimit.
Auditi i Kontrollit të Lartë të Shtetit zbuloi se qendra publike e sterilizimit parashikohej të funksiononte me 96 milionë lekë në vit ose gati pesë herë më pak se vlera prej 558 milionë lekësh që kompania koncesionare faturoi në vitin 2016, për të njëjtin shërbim.
Gjykata e Posaçme ka mbështetur hetimet e SPAK, duke dalë në konkluzionet se Ministria e Shëndetësisë e drejtuar në atë kohë nga socialisti Ilir Beqaj nuk mori asnjë masë për të vënë në punë qendrën moderne të sterilizimit që ishte instaluar në QSUT nga qeveria Berisha.
Madje, hetimet tregojnë se Ilir Beqaj dhe zëvendësi i tij, ish-zv.ministri Klodian Rjepaj që ndodhet në qeli, e kishin paracaktuar fituesin.
Report TV duke ju referuar dosjes prej 348 faqesh, thotë se gjyqtari i posaçëm Erjon Bani ka arsyetuar në vendim se "ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, në bashkëpunim me personin në hetim, Klodian Rrjepaj e kishin marrë vendimin e dhënies së shërbimit të sterilizimit me koncesion dhe kishin përzgjedhur paraprakisht se kush do ta fitonte këtë koncesion…,”, duke shtuar se fituesit e paracaktuar ishin Ilir Rrapaj dhe shtetasi Italian Umbro Staccini.
Për këtë arsye, Gjykata e Posaçme e ka orientuar SPAK që të zgjerojë hetimet edhe ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe ish-ministrit të Financave, Shkëlqim Cani.