Kreu i Partisë së Lirisë është shprehur mbrëmjen e sotme se ai nuk do të jetë “super politikani” që do të drejtojë Këshillin Bashkiak të Tiranës, gjithmonë nëse marrim të mirëqenë faktin se opozita do të fitojë kryeqytetin më 14 maj.
Po ashtu, Meta ka treguar dhe se kush është shtetasi A.H, i cili sipas kreut të Partisë së Lirisë ka shkuar në Kryeministri dhe i ka treguar Edi Ramës për dosjen e Ish-Sigurimit. Sipas Metës, ky shtetas është një person që ndodhet në Autoritetin e Dosjeve.
Fevziu: Zoti Meta kush është super politikani?
Ilir Meta: Nuk ekziston një listë e tillë. Nuk është bërë një propozim. Është diskutuar për rëndësinë e fuqizimit të këshillave bashkiake. Për të futur risi të seancave transparente dhe live, për të gjithë qytetarët që u shkelen të drejta. Në këto këshilla ne të prezantohemi me super politikanë.
Ka shumë super politikanë, do ta shikoni, nuk do të jetë një anonim siç është sot një person që nuk e njeh askush. Zoti Fevziu, kam plane kombëtare dhe ai parlament do jetë më i rëndësishëm se ky parlament aktual, por jo se ai që do të vijë. Nuk do të jem unë (super politikani).
Fevziu: Kush është A.H?
Ilir Meta: Është personi që ka qenë në zyrën e këtij dhe ka ndërmarë operacionin e manipulimit të dosjes së një të përndjekuri nga sigurimi, në tentativë për arratisje. Ka çuar këtë email dhe e ka pritur, dhe njëkohësisht ka treguar se ku ishte kjo dosja ku Ilir Meta gjasme përgjonte shokun e tij.
A.H është një person që i ishte premtuar se do bëhej kryetar i Autoritetit. Nëse s’do bëhej drejtor i Autoritetit, do bëhej kreu i SHISH.
Fevziu: Pra, kush është A.H?
Ilir Meta: E dinë të gjithë të gjithë te Autoriteti. Atje brenda është, te Autoriteti është.
Fevziu: Ju ka kontaktuar Sigurimi i Shtetit?
Ilir Meta: Sigurimi i Shtetit edhe ka kërkuar të më rekrutoj. Por unë nuk kam pranuar.