Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta deklaroi sot gjatë një konference për mediat se do t’i bashkohet më 20 shkurt protestës së thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha. Meta u pyet nga gazetarët nëse do ti bashkohet protestës së opozitës.
Në përgjigjen e tij, Meta tha se “Partia e Lirisë ka qenë dhe do të jetë në mbështetje të të gjitha protestave qytetare por edhe politike, në mbrojtje të demokracisë që kërkojnë ti japin zë të gjithë shqiptarëve të cilët po vuajnë pasojat e kësaj narkodiktature”.
Lexo edhe: “O sot, o kurrë”, slogani i protestës së opozitës, PD: 20 arsyet pse duhet protestuar
Ish-kryeministri, Sali Berisha ndodhet aktualisht në shtëpi nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”, pasi akuzohet për korrupsion pasiv lidhur me aferën e ish-kompleksit Partizani.
Por arresti në shtëpi nuk e ka ndalur Berishën që të bëjë opozitë. Berisha tashmë del pothuajse çdo pasdite në ballkonin e banesës së tij ku mbaj fjalime për mbështetësit e tij, ku edhe njoftoi protestën e 20 shkurtit nën sloganin “o sot, o kurrë”.
Ish-Kryeministri Sali Berisha u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë që në 20 Shkurt të jenë në shesh e t’i bashkohen protestës së thirrur nga Partia Demokratike. Sipas Berishës, protesta po bëhet për të përmirësuar jetën e qytetarëve.