Alban Bengasi, i njohur pas operacionit "Plumbi i Artë" dhe si avokati i kriminelëve, është arrestuar në hyrje të Shqipërisë. I shpallur në kërkim një vit më parë, Bengasi ishte duke u kthyer nga Dubai kur është identifikuar dhe ndaluar nga Policia.
"Në hyrje, në aeroportin e Rinasit, gjatë përpunimit të dokumentacionit të pasagjerëve, shërbimet e Policisë kanë identifikuar dhe ndaluar shtetasin Alban Bengasi.
Ndaj këtij shtetasi, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, mbi dyshime për përfshirje në veprimtari kriminale kundër personit dhe në fushën e krimit të organizuar", thuhet në njoftimin zyrtar.
Materialet procedurale për avokatin i kanë kaluar Prokurorisë së Posaçme, për veprime të mëtejshme hetimore. Alban Bengasi u arratis nga Shqipëria kur u pendua Nuredin Dumani dhe tregoi krimet që kishte kryer dhe personat që e kishin kontraktuar me para.
Siç u mësua më vonë nga rrjedhja e dëshmive të vrasësit që u bë dëshmitar i drejtësisë, Alban Bengasi i kishte ofruar 120.000 euro Nuredin Dumanit për t'i vrarë gruan. Kjo, pasi ky shtetas e kishte kapur të shoqen duke e tradhtuar dhe u përfshin më pas në një proces të gjatë gjyqësor për kujdestarinë e fëmijëve.
Dëshmia e të penduarit të drejtësisë përputhet dhe me dhunimin e Blerta Bengasit. Ish-gruaja e avokatit ka denoncuar në Polici se në ditët e para të janarit 2020 është dhunuar me grushta nga një person në “Rrugën e Elbasanit”.
Edhe në dëshminë e tij, Nuredin Dumani thotë se në fillim të vitit 2020 avokati Alban Bengasi, ish-burri i Blerta Bengasit, i ka paguar që ta rrihnin. Siç shihet dhe nga pamjet gruaja ka përfunduar në spital sepse është rrahur nga persona të paidentifikuar.
[gallery link="none" columns="1" size="full" td_select_gallery_slide="slide" ids="584919,584918"]
// Newsbomb.al