Tirana
broken clouds
0.5 ° C
0.5 °
0.5 °
75 %
1.5kmh
75 %
Enj
10 °
Pre
7 °
Sht
5 °
Die
5 °
Hën
5 °
E enjte, 20 Janar, 2022

Ikona e muzikës tregon historinë e këngës ‘akoma po të pres’, si ia vodhi vëllai dhe ia dha Mihrije Brahës

spot_img
spot_img
spot_img

Lajme të ngjashëm

f7dc2f5077b648584f9780357a93c4b6

Ikona e muzikës Hektor Gjurgjiali i ftuar në ‘KultPlus’ ka folur gjatë për jetën e tij profesionale.

Gjurgjali madje ka treguar edhe historinë e një kënge që ai e do shumë, por që ka një përvojë të hidhur.

Ai tregoi se këngën ‘Akoma po të pres’ ia kanë vjedhur akoma pa e publikuar dhe personi që ia ka vjedhur ishte vëllai i tij, i cili ishte edhe ish-basisti i grupit 403.

Pjesë nga intervista:

403 si grup muzikor me këngët e të cilëve u rritën shumë gjenerata është rikthyer së fundmi me publikimin e këngëve të fundit. Çfarë ndjesie ju dha rikthimi në atë që e doni shumë, muzikën?

Hektor Gjurgjiali: Është ndjenjë shumë e bukur të kesh kohë të shkruash tekste, të kompozosh këngë të reja, e posaçërisht të incizosh. Këtë situatë shumë të vështirë me Covid 19, me izolime dhe kufizime të lëvizjes, mendoj që e kam shfrytëzuar ne maksimum pikërisht për këto gjëra.

Me mbështetjen e pjesërishme të Departamentit të Kulturës së Komunës së Prishtinës si dhe të Ministrisë së Kulturës, grupi 403 ka mundur të bëj realizimin e audio incizimeve të këngëve të reja, për të cilat për një kohë të gjatë ne as nuk kemi pasur fonde të mjaftueshme, e as kohë për t’i realizuar ato. Incizimi në Studion Anymate ka qenë eksperienca më e bukur gjatë gjithë kësaj kohe tepër të rëndë që po e kalojmë jo vetën ne por e gjithë bota.

Duke kaluar vite shohim që edhe format e kultivimit të artit dhe strukturat e brendshme muzikore ndërrojnë, çfarë ka ndërruar te grupi 403 prej viteve të mëhershme dhe tani?

Hektor Gjurgjiali: Nuk ka ndërruar pothuajse asgjë. Ne akoma i incizojmë të gjitha instrumentet live në studio duke i kushtuar shumë vëmendje muzikës, orkestrimeve e posaçërisht teksteve. I vetmi dallim ndoshta është se tani në studio kalojmë kohë më shumë gjatë incizimit apo miksimit, sepse më duket që me kalimin e viteve jemi bërë më kritik, kështu që pa qenë perfekte çdo pjesë ashtu si e duam dhe e mendojmë, nuk e quajmë të përfunduar këngën, nuk e finalizojmë dhe promovojmë.

Nga këngët tuaja të fundit, “Akoma po të pres” sipas jush është e veçantë. Na tregoni pse?

Hektor Gjurgjiali: Kënga është e veçantë, sepse ajo ka një histori shumë të gjatë dhe ka kaluar shumë momente të këqija, por që tani më në fund ka mbërritur aty ku duhet dhe ku e ka pasur vendin gjithnjë.

A mund të na tregoni historinë e këngës “Akoma po të pres”?

Hektor Gjurgjiali: Këngën “Akoma po të pres” e kam kompozuar dhe shkruar në 1995 në Tiranë ku jetoja në ato vite. Atë e kam incizuar në Tiranë në një studio profesionale në fund të vitit 1995. Është interesante që të gjitha instrumentet në këngë i kam luajtur vet. Pas finalizimit të këngës, me kërkesën time të gjitha incizimet në studio janë fshirë dhe vetëm unë kam pasur një kopje të vetme të saj në një kasetë magnetofoni.

Nuk kam dashur ta publikoj në atë kohë këngën, prandaj dhe e kemi dëgjuar vetëm disa herë unë dhe anëtarët e atëhershëm të grupit 403 në një lokal të një shoku tonë të përbashkët. E vërteta është se në asnjë moment atë kasetë nuk ia kam dhënë askujt për asnjë çast të vetëm. I vetmi rast ka qenë kur vëllai im Mentor Gjurgjiali (atë kohë basisti i grupit 403) ma kërkoi që ta merr me vete në makinë për të shkuar të kryej një punë për 1 orë. Duke e pasur basist në grup, e aq më tepër vëlla, unë ja dhashë. Pas një ore vëllai ma ktheu kasetën dhe çdo gjë për mua ishte në rregull.

Disa muaj më vonë, kur kthehesha për në Tiranë nga Prishtina me autobus, diku nga Maqedonia, ndodhi diçka që nuk e besoja. E dëgjova në një Radio lokale, këngën time “Akoma po të pres” e kënduar nga Mihrije Braha. Me plot sinqeritet ju them që isha në shok. Po, po. Vëllai im, Mentor Gjurgjiali, basisti i grupit 403 që, për 1 orë e kishte në duar kasetën time, e kishte kopjuar atë dhe më vonë ia kishte shitur apo falur Mihrije Brahës. Më tmerr se kjo nuk ka ku të shkoj.

Vëllain tim Mentor Gjurgjialin nuk e kam takuar që nga dita që ka marrë kasetën time për një orë, sepse pastaj ai ka shkuar në Gjermani e tani ndodhet në Amerikë.

Me Mentor Gjurgjialin kam folur dy herë me telefon. Herën e parë ka gënjyer si zakonisht duke thënë që nuk ka gisht ai në këtë punë. Herën e dytë kam biseduar me të me telefon në prani të shokut tim Arbnor Mulliqi dhe Naim Abazit në Tiranë. Vet Naim Abazi më ka treguar që në studio kur kanë shkuar me incizu këngën e kanë pasur kopjen e kasetës time. Pastaj i kam thënë Naimit që këngën ta ndaloj në emetim, dhe të gjejnë mënyrën e marrëveshjes Mentorin. Naimi më ka ka premtuar, por deri më sot nuk ka bërë asgjë.

Tani e keni incizuar përsëri “Akoma po të pres”. Pse?

Hektor Gjurgjiali: E kam incizuar përsëri këngën “Akoma po të pres” për dy arsye. E para, sepse të gjithë ata që e kanë dëgjuar atë këngë të kënduar nga Mihrije Braha e kanë ditë që është teksti, kompozimi dhe stili im; dhe tërë kohën më kanë kërkuar që ta dëgjojnë origjinalin. Tërë kohën kam pasur mesazhe, kërkesa, bile edhe lutje nga fansat e mi që ta publikoj origjinalin e këngës.

Dhe e dyta, e që është më e rëndësishmja, kjo këngë aq e bukur nuk e ka merituar të trajtohet ashtu deri tani, prandaj edhe e kam incizuar përsëri që më në fund të dëgjohet ashtu si është kompozuar dhe kënduar nga autori i vet.

Pos historisë tejet interesante, kënga “Akoma po te pres” ka edhe një video të veçantë në versionin e publikuar së fundmi. Na trego pak më shumë detaje.

Hektor Gjurgjiali: Videoja e këngës është e veçantë sepse është video 360 shkallë apo VR (Virtual Reality.) Videon e ka xhiruar miku im Alban Kasumi i cili është në mos i vetmi ekspert në Kosovë e më gjerë që incizon me këtë teknologji të fundit. Montazhin e spotit e ka bëre Leutrim Bajrami i kompanisë Anymate me të cilin të gjitha spotet i kemi realizuar deri më sot, e shpresoj edhe në të ardhmen të bëjmë. Spoti është i incizuar në Bibliotekën e Prishtinës që është objekt tepër i bukur.

Eksperienca më e mirë është nëse keni syza VR sepse aty mund të jeni në qendër te Bibliotekës dhe të shikoni spotin përreth jush me lëvizjen e kokës. Spoti ka dalë shumë i bukur dhe interesant, dhe thënë të drejtën mendimi im është se më duket që askush nuk e ka bërë të njëjtën.

“Ëndrra”, “Indexi”, “Engjujt nuk jetojnë në tokë” janë shndërruar jo vetëm në hite, por në vulë dhe dëshmi të një kohe. Çfarë ndjesie është të keni një bagazhi të tillë artistik?

Hektor Gjurgjiali: Sfida më e madhe ka qenë incizimi i këngëve, sepse në atë kohë ka qenë vetëm një studio e incizimit në Radio Prishtinë, dhe mundësi ke pasë më së shumti një herë në 3 muaj të kesh studion për 3-4 orë në dispozicion dhe të incizosh e të përfundosh një apo dy këngë komplet. Sfida tjetër ka qenë se në atë kohë nuk ka pasur shumë instrumente dhe nuk lejohej blerja e tyre nga jashtë, kështu që shumë grupe të asaj kohe edhe incizonin por edhe performonin live me mjaft instrumente të njëjta që i huazonim njëri tjetrit.

Përderisa grupi 403 i takon gjeneratës së viteve të 80-të, atëherë kur muzika rok lulëzonte në Kosovë, cilat kanë qenë sfidat e krijimit të muzikës?

Hektor Gjurgjiali: Sfida më e madhe ka qenë incizimi i këngëve, sepse në atë kohë ka qenë vetëm një studio e incizimit në Radio Prishtinë, dhe mundësi ke pasë më së shumti një herë në 3 muaj të kesh studion për 3-4 orë në dispozicion dhe të incizosh e të përfundosh një apo dy këngë komplet. Sfida tjetër ka qenë se në atë kohë nuk ka pasur shumë instrumente dhe nuk lejohej blerja e tyre nga jashtë, kështu që shumë grupe të asaj kohe edhe incizonin por edhe performonin live me mjaft instrumente të njëjta që i huazonim njëri tjetrit.

Keni realizuar këngë, albume, intervista, e koncerte të shumta. Përgjatë këtij rrugëtimi e dimë që nuk kanë qenë të paktë artdashësit tuaj. A mund të na veçoni ndonjë përvojë speciale me dëgjuesit tuaj e cila mbetet në kujtesën tuaj?

Hektor Gjurgjiali: Përvoja më speciale që më ka ngel në kujtesë dhe që nuk do ta harroj asnjëherë ka qenë vitin e kaluar, në koncertin që kemi mbajtur në amfiteatrin e Gërmisë në shtator. Atë natë ishte një shi i paparë. Kur u ngjitëm ne në skenë filloi të binte edhe më shumë, kështu që kishim përshtypjen që pas një kënge do të ndërprisnim koncertin. Por publiku i cili rrinte në atë shi dhe të ftohtë, këndonte çdo këngë fjalë për fjalë, që na ka fascinuar të gjithëve. Prandaj edhe kemi mbajtur komplet koncertin dhe ka qenë një emocion tepër i bukur.

Tekstet janë një pjesë e veçantë e muzikës dhe duke qenë të tilla shumicën e këngëve tuaja i keni shkruar vetë. Teksti i cilës këngë mbetet më i veçanti për ju dhe pse?

Hektor Gjurgjiali: Nuk mund të veçoj asnjë, sepse të gjitha tekstet e mia i dua si fëmijët. Varësisht nga momenti se si ndihem edhe top lista e teksteve që i veçoj ndërron. Për momentin për mua top 5 janë: “Akoma po të pres”, “As vet s’e di”, “Përralla e fundit”, “Engjujt nuk jetojnë në tokë” dhe “Qyteti im”.

Cili është mesazhi juaj për të gjithë të rinjtë të cilët aspirojnë të përfaqësojnë vlerë në sferën muzikore?

Hektor Gjurgjiali: Ne kemi një rini të mrekullueshme dhe shumë të talentuar. Mesazhi im për ta është që të punojnë sa më shumë, të mos ngurrojnë me ideja të reja dhe të jenë sa më kreativ dhe origjinal. Dhe ne asnjë mënyrë të mos vjedhin këngët e tjerëve.

spot_imgspot_img

Më shumë

spot_imgspot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img