Shpati Lena është një nga viktimat e atentatit të ndodhur paraditen e sotme në autostradën e Vlorës, në afërsi të vendit të quajtur mbikalimi i Panajasë. Ky shtetas është arrestuar në mars të këtij viti pas 3 vitesh në arrati, për një vrasje të ndodhur në 2019.
Viktima tjetër është shtetasi Hakim Xhezo. Edhe ky i fundit dyshohet se është i afërm i një prej personave të përfshirë në vrasjen e tre viteve më parë. "Nga verifikimet paraprake dyshohet se kanë mbetur të vrarë shtetasit G(Sh). L., 37 vjeç dhe H. Xh., 34 vjeç", njofton Policia e Vlorës.
Kujtojmë se, Shpati Lena dhe shoku i tij Ariel Kingji, të arrestuar të dy në 23 mars 2022, akuzohen si të përfshirë në një sherr të vitit 2019, i cili solli vrasjen e Arben Beqirajt. Ky i fundit ishte biznesmen dhe kishte një restorant në plazhin e vjetër në Vlorë.
Biznesmeni Beqiraj bashkë me miqtë e tij ishin në lokalin e tyre buzë detit në Vlorë dhe janë bezdisur nga zhurma e kalit, që mbahej nga punëtori i shtetasit Eduart Xhezo, Gazmend Alushi. Ai ka debatuar me kujdestarin e kalit dhe e ka rrahur atë bashkë me miqtë e tij.
Gazmend Alushi është ankuar tek pronari i kalit Eduart Xhezo dhe më pas ky i fundit ka shkuar për t'i kërkuar llogari Arben Beqirajt. Të dy palët ishin të armatosura dhe për pasojë biznesmeni vlonjat mbeti i vdekur, në lokalin e tij. Dyshohet se dhe një nga viktimat e sotme, Hakim Xhezo, është i vëllai i Eduart Xhezos.
Video e arrestimit të Shpati Lenës dhe Ariel Kingji - 23 mars 2022
Lexo edhe: Atentat makinës në lëvizje në autostradën e Vlorës, raportohet për viktima
Nga informacionet operative të Policisë, Shpati Lena kishte precedentë penalë në fushën e krimit kundër personit dhe "Prodhim dhe shitja e narkotike", kurse shtetasi tjetër Hakim Xhezo, kishte precedentë penalë në fushën e "Armëmbajtje pa leje" dhe "Prodhim dhe shitje narkotikesh".