Partia Socialiste ka kërkuar përjashtimin edhe për 7 deputëtë të tjerë opozitës, mbështetës së Sali Berishës dhe pjesë e grupit të Gazment Bardhit.
Ervin Salianji, Bledjon Nallbati, Lefter Gështenja, Isuf Çelaj, Luçiano Boçi si edhe Xhelal Mziu janë deputetët të cilët PS pas mbledhjes së Sekretariatit të Etikës kërkon t’i përjashtojë nga 10 ditë deri në 30 ditë nga punimet në Kuvend.
Sekretariati i Etikës do të mblidhet ditën e sotme në orën 16:00, ku do të shqyrtohet kërkesa nga ana e Partisë Socialiste.
Kjo kërkesë vjen pas seancave të tensionuara të zhvilluara në Kuvend, pasi opozita ka penguar vijimin normal të punës duke ndezur flakadanë dhe hedhur karriget në Kuvend.
Për herë të parë, buxheti u miratua në seancën e 7 dhjetorit në më pak se 8 minuta seancë., për shkak të kaosit të krijuar, ku përveç tymueseve, deputetët plasën edhe kapsolla, ndërsa mblodhën sërish karriget pirg në foltore.
Kujtojmë se Kuvendi ka bërë ndryshime në rregullore në lidhje me masat disiplinore ndaj një apo disa deputetëve, në lidhje me përjashtimet e tyre, ku pritet të votohet në seancën e të enjtes.
Deputeti do të përjashtohet deri në 30 ditë në rastet kur; përdor dhunë fizike ndaj deputetëve të tjerë, anëtarëve të Këshillit të Ministrave, punonjësve të shërbimit të seancave apo të Gardës së Republikës; kur përmes veprimeve të dhunshme dëmton pajisjet dhe orenditë e çdo mjet tjetër logjistik në sallën e seancave/mbledhjes; dhe kur kryen në mënyrë të përsëritur brenda një sesioni parlamentar shkeljet e parashikuara në pikën 1 të këtij neni.
Përjashtim deri në 60 ditë, do të ketë në rastet kur deputeti përdor lëndë apo mjete piroteknike, tymuese, bojëra dhe materiale apo mjete të tjera të ngjashme brenda sallës së zhvillimit të punimeve të Kuvendit/mbledhjes së komisionit brenda mjediseve të Kuvendit; kur kryen veprime/sjellje që përbëjnë shkelje që konfigurohen si shkelje penale pavarësisht nëse shkelja përben vepër penale sipas Kodit Penal; dhe kur kryen në mënyrë të përsëritur brenda një sesioni parlamentar shkeljet e parashikuara në pikën 6.