Prokuroria Speciale SPAK, ka urdhëruar sot arrestimin e disa zyrtarëve të Bashkisë së Durrësit dhe pronarët e disa kompanive private, pasi dyshohet se kanë abuzuar me një tender dhe kanë falsifikuar dokumentet për të marrë pjesë në të.
Edhe tre nga kompanitë që kanë marrë pjesë në garë, për një tender në vlerën e 70 milionë lekëve të vjetra, i prokururar në periudhën maj – qershor 2020, për të blerë një makinë zjarrfikëse, janë duke u hetuar nga SPAK.
Tre kompanitë janë: R&R Group sh.p.k., Klosi – R Company sh.p.k. dhe Ra – Mi Kompani sh.p.k.
Këto kompani, bashkë me fituesen e tenderit “Klosi – R Company sh.p.k”, dyshohet se kanë falsifikuar dokumentet dhe kanë manipuluar garën për tenderin e zjarrfikëses. Mirëpo, edhe autoshkalla apo mjeti zjarrfikës që i është shitur Bashkisë së Durrësit ka qenë i prishur, nuk ka punuar asnjë ditë.
1- R&R Group sh.p.k, ka si pronare shtetasen Lulzime Rami, e cila është lënë nga SPAK në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”. Ortake në këtë kompani është shtetësja tjetër Elona Rami, e cila është lënë me masë sigurise “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”. R&R Group është themeluar në vitin 2008, dhe ndodhet në Kamëz, Lagjja “Valias”, Rruga “Skenderbeu”. (Shiko dokumentet nga Qendra Kombëtare e Biznesit.)
2- Klosi – R Company sh.p.k, ka si pronar shtetasin Riza Sulaj dhe ortake shtetasen Lediana Rami. Pronari Sulaj është mes personave të arrestuar me urdhër të SPAK dhe akuzohet për veprën penale të “Falsifikimit të dokumentave”. Kjo kompani është themeluar në vitin 2017 dhe ndodhet në Tiranë, rruga “Tele Ndini”. (Shiko dokumentet nga Qendra Kombëtare e Biznesit.)
3– Ra – Mi Kompani sh.p.k, ka pronare shtetasen Blerta Nika dhe ortak Albion Bushin. Ky i fundit është arrestuar me urdhër të SPAK dhe akuzohet për veprën penale të “Falsifikimit të dokumentave”. Kjo kompani është themeluar në vitin 2016 dhe ndodhet në Tiranë, në rrugën “Tele Ndini”. (Shiko dokumentet nga Qendra Kombëtare e Biznesit.)