Hapësire reklamuese

Aktualitet

I mori 25 mijë euro klientit, GJKKO lë në fuqi masën për avokatin Petraq Semani

Shkruar nga Newsbomb
I mori 25 mijë euro klientit, GJKKO lë në fuqi masën

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka lënë në fuqi masën “arrest shtëpie” për avokatin Petraq Semani. Ky shtetas akuzohet pasi, u mori familjarëve të klientit të tij shumën prej 25 mijë euro për uljen e dënimit. Urdhërarresti ndaj Semanit u ekzekutua 2 ditë më parë, 20 shkurt.

Në vendimin e sotëm të GJKKO gjithashtu është pranuar kërkesa e SPAK për marrjen në pyetje të avokatit. Kjo ngjarje ka ndodhur vite më parë, më 2019, ku avokati Semani u ka marrë 25 mijë euro shtetasve Ll. D. dhe S. D.,  pasi i ka premtuar se do ushtrojë ndikim tek gjyqtarët e çështjes, të cilët po shqyrtonin çështjen në ngarkim të shtetasit Ll. D., për favorizimin e tij në masën e dënimit. Marrja e sasisë prej 9.550 Euro, nga avokati në banesën e shtetasit Ll. D. është regjistruar me audio dhe video nga familjarët e tij.

LEXO EDHE: Iu mori 25 mijë euro për të ndikuar te gjyqtarët, lihet në shtëpi avokati (EMRI)

Sipas deklarimeve të shtetasve të tjerë të cilët kanë pasur dijeni për këtë ngjarje, shumën tjetër avokati e mori me këste, deri në dhënien e vendimit përfundimtar gjatë fazës së rigjykimit në shkallën e parë. Mirëpo, pavarësisht shumës së majme që iu dha avokatit, shtetasi Ll.D u shpall fajtor nga Gjykata e Korçës. Për këtë arsye familjarët e të dënuarit i kërkuan kthimin mbrapsht të parave.  Semani i ktheu vetëm 8 mijë euro, ndërsa pjesën tjetër nuk ia ka kthyer.

Njoftimi i plotë: 

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Marrjen në pyetje të personit të arrestuar Petraq Semani, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e parashikuar nga neni 245/1, paragrafi 2 i Kodit Penal (para ndryshimeve me ligjin nr.43/2021), me qëllim verifikimin e kushteve të zbatimit të masës.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, bazuar në nenet 228,229, dhe 248 të Kodit të procedurës Penale, me vendimin Nr. 17, datë 22.02.2024, vendosi:

Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Vazhdimin e zbatimit ndaj personit nën hetim Petraq Semani, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e parashikuar nga neni 245/1, paragrafi 2 i Kodit Penal (para ndryshimeve me ligjin nr.43/2021), të masës së sigurimit personal “arrest në shtëpi” e parashikuar nga neni 237 i K.Pr. Penale, e caktuar me vendimin Nr. 15, datë 18.02.2024 të Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

Urdhërohet personi nën hetim Petraq Semani që të mos largohet nga banesa që ndodhet në Rr. M. Ulqinaku, P.44, Njesia Administrative nr. 5, Tiranë.

Urdhërohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe policia gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.

Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 5 (pesë) ditëve, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke filluar ky afat nga dita e nesërme e njoftimit të këtij vendimi..

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese