Hapësire reklamuese

Politikë

I hiqet imuniteti Sali Berishës, Kuvendi i hap rrugën SPAK për ta arrestuar

Shkruar nga Newsbomb
I hiqet imuniteti Sali Berishës, Kuvendi i hap rrugën SPAK për ta

Ashtu si dhe pritej deputetët e mazhorancës kanë miratuar në vetëm pak minuta kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.

Mes tymuesve dhe flakadanëve deputetët e mazhorancës kanë votuar me 75 vota pro duke i hapur kështu rrugën SPAK për ndryshimin e masës së sigurisë për ish-kryeministrin Sali Berisha, nga masa “detyrim paraqitje” me “arrest me burg” ose “arrest shtëpie”.

Ndërkohë, gjatë kësaj seance ish-kryeministri Berisha refuzoi që të flasë në Kuvend, duke lejuar kryeparlamentaren, Lindita Nikollën që të vazhdonte me rendin e ditës.

Seanca plenare nisi me tensione të forta mes deputetëve të opozitës dhe punonjësve të Gardës. Ashtu si nisi, ashtu dhe përfundoi pasi gjatë momentit të votimit deputetët e opozitës, kryesisht mbështetësit e Sali Berishës dhe Gazment Bardhit ndezën flakadanë dhe filluan të përplasin sendet në tavolinat e tyre.

Ndonëse për shkak të moshës ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha mund të vendoset masa “arrest shtëpie”, pokurori i çështjes Arben Kraja më herët tha se Gjykatës do i drejtohen për të dyja masat “arrest shtëpie” apo “arrest me burg”, pastaj do të jetë në dorën e kësaj të fundit masa që do të vendosë ndja ish-kryeministrit.

"Janë të ndryshme nga pikëpamja e rëndesës. Ne kemi paraqitur kërkesë për ashpërsim, këto janë dy masat që mund të përdoren, kemi kërkuar leje për të dyja. Në varësi të akteve të dosjes dhe vendimarrjen tonë si prokuror do i kërkojmë gjykatës njërën prej masave, se çfarë do bëjë gjykata është tjetër punë", tha Kraja.

Me 6 vota pro Këshilli i Mandateve i hapi rrugën më 18 dhjetor kërkesës së SPAK për ndryshimin e masës së sigurisë për ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili akuzohet për korrupsion pasiv në lidhje me aferën e privatizimti të ish-kompleksit Partizani. Deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj, ishte i vetmi përfaqësues nga opozita i cili bashkoi votën e tij me pjesën tjetër të anëtarëve socialistë për t’i hapur rrugën lëshimit të autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/ heqjen e lirisë së Berishës.

Sakaq, mbrëmjen e djeshme u depozituan në Kuvend edhe dy raportet e anëtarëve të Këshillit të Mandateve për kërkesën e SPAK për t’i hapur rrugë për ndryshimin e masës së sigurisë për Berishës.  Njëri raport ishte nga mazhoranca, ndërsa raporti tjetër i deputetit demokrat Enkelejd Alibeaj, i cili ishte edhe i vetmi përfaqësues i opozitës në Këshillin e Mandateve. Të dy raportet e përpiluara në Këshillin e Mandateve kërkonin dhënien e autorizimit për ti hapur rrugë kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Sali Berishës.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese