Emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka thënë se ngjarjet e fundit në Kosovë tregojnë seriozitetin e situatës, derisa ka bërë thirrje të dyja palëve që të përmbahen nga dhuna e mëtejshme, për të mos e përkeqësuar situatën.
Ai tha se ka zero tolerancë për dhunën dhe retorikën nacionaliste që po vjen nga Serbia.
“Kam mirëkuptim të plotë për demonstratat paqësore, por zero tolerancë për dhunën dhe retorikën nacionaliste që kemi dëgjuar nga Serbia javët e fundit, si dhe sulme personale, shpifëse ndaj individëve që janë të papranueshme”, tha Sarrazin për Radio KIM.
Emisari gjerman beson se largimi nga institucionet e Kosovës nuk është hapi i duhur për asnjë komunitet që dëshiron të ushtrojë të drejtat e veta kushtetuese.
“Është shumë e rëndësishme që komuniteti serb të përfitojë nga përfaqësimi që i garantohet këtij dhe komuniteteve të tjera pakicë në vend. Kjo është mënyra e vetme për t’u dëgjuar dhe për të mbrojtur interesin tuaj”, vijoi ai.