Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar që Salih Mustafa të dënohet me 35 vite burgim. Prokurori Cezary Michalczuk tha se për ndalim arbitrar kërkojnë 10 vite burgim, për trajtim mizor 20 vite burgim, për torturë 25 vite burgim dhe vrasje 33 vite burgim.
“Rregulla 164 kërkon nga paneli të japë dënim të vetëm që të pasqyrojë tërësinë e sjelljes kriminale të të akuzuarit, varet nga paneli të dënojë të akuzuarin sipas dënimeve që parashikohen apo me dënim më të lartë se ai që paraqitet në lidhje me çdo pikë të veçantë. Për këtë arsye, ZPS kërkon t’í jepet dënim prej 35 vitesh burg”, tha ai.
Ish-komandanti i UÇK-së Salih Mustafa, një vit më parë ka deklaruar para trupit gjykues të Gjykatës Speciale se është i pafajshëm për akuzat që e ngarkojnë.
Aktakuza e konfirmuar në shtator 2021 përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave.
Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar. Aktakuza ndaj Salih Mustafës u konfirmua më 12 qershor 2020 dhe arrestimi u bë më 24 shtator.
Salih Mustafa, ish-shef i inteligjencës së FSK-së dhe ish-eprori i UÇK-së në zonën Operative të Llapit, i cili e ka drejtuar njësitit të quajtur BIA, ishte i arrestuari i parë i Speciales. Ai ka qenë dhe këshilltarë për inteligjencë i ish-kryeministrit Agim Çeku.