Ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Gruevski, është dënuar nga Gjykata Penale e Shkupit me 9 vite burg, i akuzuar për shpërdorim detyre.
Gruevski, i arratisur në Hungari, është dënuar së bashku me disa ish-zyrtarë të tjerë maqedonas për rastin e njohur për “Kosmos”, për prishjen e një objekti të një biznesmeni që kundërshtonte politikën e partisë së Gruevskit kur ky i fundit ishte në pushtet.
Trupi gjykues e ka vlerësuar këtë vepër si të kryer për hakmarrje politike. Bashkë me Gruevskin janë dënuar edhe ish-ministri i Transporteve, Mile Jakanievski me 3 vite burg dhe ish-kryetari i komunës së Gazi Babës, Toni Trajkovski me 4 vite burg.
Sipas aktgjykimit, të dënuarit duhet bashkërisht t’ia kompensojnë dëmin e shkaktuar biznesmenit Fiat Canovski, në shumën mbi 11 milionë euro. Ish-kryeministri Nikolla Gruevski, më parë është dënuar me dy vjet burgim për blerjen e një makine luksoze në vlerë prej mbi 600 mijë euro, por dënimin nuk e ka vuajtur pasi ishte arratisur nga Maqedonia e Veriut.