Hapësire reklamuese

Aktualitet

I akuzuar për falsifikim formularësh, SPAK çon për gjykim Kreshnik Hajdarin

Shkruar nga Newsbomb
I akuzuar për falsifikim formularësh, SPAK çon për gjykim

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka çuar për gjykim dosjen për kreun e Bashkisë së Kuçovës, Kreshnik Hajdari.

Hajdari akuzohet për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 190/2 i Kodit Penal.

Në njoftimin e SPAK thuhet se ka rezultuar se shtetasi Kreshnik Hajdari, duke qenë kandidat për Kryetar i Bashkisë Kuçovë, në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të zhvilluara me datë 30 qershor 2019, ka patur detyrimin ligjor dhe ka plotësuar formularin e vetëdeklarimit (me datë 11.05.2019), të cilin e ka dorëzuar pranë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve (protokolluar me nr.3222, datë 13.05.2019).

Në përmbajtjen e formularit të vetëdeklarimit, të datës 11.05.2019, subjekti deklarues, shtetasi Kreshnik Hajdari, ka pohuar se nuk ka qenë ndonjëherë në hetim ose gjykim nga një autoritet i huaj, për kryerjen e një vepre penale, si dhe nuk ka qenë ndonjëherë i dënuar me vendim të formës së prerë nga një autoritet gjyqësor shqiptar ose i huaj.

Po ashtu në zgjedhjet e 2023 sërish Hajdari në formularin e vetëdeklarimit  ka pohuar se nuk ka qenë ndonjëherë në hetim ose gjykim nga një autoritet i huaj, për kryerjen e një vepre penale, si dhe nuk ka qenë ndonjëherë i dënuar me vendim të formës së prerë nga një autoritet gjyqësor shqiptar ose i huaj.

Mirëpo e vërteta është se Hajdari është i dënuar nga shteti grek me dënim të formës së prerë nga Gjykata e Shkallës së Parë në Janinë. Hajdari me 4 muaj burg, dënim i cili është konvertuar në gjobë me vlerën e 1500 dhrahmive, vendim i marrë më 23 qershor të vitit 1999.

Hajdari, gjatë momenteve të vështira që po kalonte vendin, si shumë shqiptarë të tjerë ka tentuar të emigrojë ilegalisht në Greqi, por është kapur dhe dënuar nga gjykata në Janinë, në atë kohë së bashku me 18 persona të tjerë.

Njoftimi i plotë i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me datë 18.12.2023 ka paraqitur kërkesën për gjykim të procedimit penal nr.80 të vitit 2023, në ngarkim të të pandehurit Kreshnik Hajdari, aktualisht me detyrë Kryetar i Bashkisë Kuçovë, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 190/2 i Kodit Penal.

Nga aktet e administruara në kuadër të hetimit të procedimit penal nr.80 të vitit 2023, ka rezultuar se shtetasi Kreshnik Hajdari, duke qenë kandidat për Kryetar i Bashkisë Kuçovë, në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të zhvilluara me datë 30 qershor 2019, ka patur detyrimin ligjor dhe ka plotësuar formularin e vetëdeklarimit (me datë 11.05.2019), të cilin e ka dorëzuar pranë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve (protokolluar me nr.3222, datë 13.05.2019).

Me vendimin nr.2, datë 20.05.2019, të Komisionit të Zonës për Administrimin Zgjedhor nr. 63, Qarku Berat, është vendosur që shtetasi Kreshnik Hajdari të regjistrohet si kandidat për Kryetar të Bashkisë Kuçovë, në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 30 qershor 2019. Në përfundim të procesit zgjedhor shtetasi Kreshnik Hajdari është zgjedhur dhe ka fituar mandatin e Kryetarit të Bashkisë Kuçovë, detyrë të cilën e ka ushtruar në vitet 2019-2023.

Në përmbajtjen e formularit të vetëdeklarimit, të datës 11.05.2019, subjekti deklarues, shtetasi Kreshnik Hajdari, ka pohuar se nuk ka qenë ndonjëherë në hetim ose gjykim nga një autoritet i huaj, për kryerjen e një vepre penale, si dhe nuk ka qenë ndonjëherë i dënuar me vendim të formës së prerë nga një autoritet gjyqësor shqiptar ose i huaj.

Po ashtu, shtetasi Kreshnik Hajdari, duke qenë kandidat për Kryetar i Bashkisë Kuçovë në zgjedhjet vendore për organet e qeverisjes vendore të zhvilluara  me datë 14 maj 2023, ka patur detyrimin ligjor dhe ka plotësuar formularin e vetëdeklarimit me datë 26.03.2023, të cilin e ka dorëzuar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (protokolluar me nr.17366, datë 02.04.2023).

Me vendimin nr.5, datë 28.03.2023, të Komisionit të Zonës për Administrimin Zgjedhor nr. 64, Qarku Berat, është vendosur që shtetasi Kreshnik Hajdari të regjistrohet si kandidat për Kryetar të Bashkisë Kuçovë, në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023. Rezulton se në zgjedhjet e zhvilluara me datë 14.05.2023, shtetasi Kreshnik Hajdari është rizgjedhur si Kryetar i Bashkisë Kuçovë për vitet 2023-2027.

Në përmbajtjen e formularit të vetëdeklarimit të datës 26.03.2023, subjekti deklarues, shtetasi Kreshnik Hajdari ka pohuar se nuk ka qenë ndonjëherë në hetim ose gjykim nga një autoritet i huaj, për kryerjen e një vepre penale, si dhe nuk ka qenë ndonjëherë i dënuar me vendim të formës së prerë nga një autoritet gjyqësor shqiptar ose i huaj.

Nga aktet e administruara, provat e marra nëpërmjet letërporosisë nga Autoritetet Greke të Drejtësisë, rezulton se shtetasi Kreshnik Hajdari është i dënuar me vendimin e formës së prerë të Gjykatës së Shkallës së Parë Janinë/Gjykata Penale me Një Anëtar, Nr.3286/23-6-1999, me masën riedukuese të qortimit, për shkeljet: Hyrja në territorin grek pa ruajtur formalitetet ligjore përkatëse (shkelje e nenit 4 §§1 dhe 3 të Ligjit 1975/1991).

I pandehuri Kreshnik Hajdari, kishte detyrimin ligjor për të deklaruar tek formulari i vetëdeklarimit këtë rrethanë, në lidhje me dënimin e tij nga një gjykatë e huaj, kjo në zbatim të ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, si dhe vendimit të Kuvendit nr.17/2016, “Për përcaktimin e rregullave të detajuara mbi zbatimin e ndalimeve të parashikuara në ligjin nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.

Ky fakt nuk është deklaruar në dy formularët e vetëdeklarimit të datave 11.05.2019 dhe 26.03.2023, duke konsumuar kështu elementët e veprës penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 190/2 i Kodit Penal.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese