Hapësire reklamuese

Aktualitet

I akuzuar për 30 vrasje, Gjykata e Apelit lejon ekstradimin e Igor Kokunov në Rusi

Shkruar nga Newsbomb
I akuzuar për 30 vrasje, Gjykata e Apelit lejon ekstradimin e Igor Kokunov

Gjykata e Apelit i ka dhënë një përgjigje shteruese kërkesave të mbrojtjes së Igor Kokunov, duke pranuar kërkesën e autoriteteve ruse për ekstradimin e tij.

Ky i fundit ka kërkuar nga drejtësia shqiptare që të mos ekstradohej, madje si pikë referimi mori rastin e vdekjes së kundërshtarit të Putinit. Avokatët mbrojtës së Igor Kokunov këmbëngulin se jeta e klientit të tyre është në rrezik nëse ekstradohet në Rusi, pasi mund ta presë i njëjti fat si Alexei Navaly.

Igor Kokunov është arrestuar muaj më parë në Doganën e Muriqanit nga Policia shqiptare, pasi akuzohet për disa vrasje. 59 vjeçari rezultonte në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Moska. I njohur edhe me nofkën “Vasya Bandit”, Igor Kokunov ka pranuar se ka probleme me drejtësinë në Rusi dhe rrezikon të dënohet me shumë vite burg, për shkak se akuzat ndaj tij lidhen me të paktën 30 vrasje.

Njoftimi i plotë i Gjykatës së Apelit: 

Referuar raportimeve në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:

Më datë 26.08.2023, në pikën e kalimit Kufitar Muriqan Shkodër, është arrestuar shtetasi rus me iniciale I. K. Ky shtetas është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol NCB Moskë, referuar vendimit penal administrativ dhënë nga Gjykata e Moskës më datë 18.02.2022. Gjykata ruse ka caktuar ndaj tij masën e sigurimit “arrest në burg”, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Marrja e një pozicioni më të lartë në hierakinë kriminale”, parashikuar nga neni 210/1 i Kodit Penal i Republikës së Rusisë dhe dënimi maksimal i kësaj dispozite është 15 vjet burgim.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, ka zhvilluar gjykimin lidhur me lejimin e ekstradimit të shtetasit rus me iniciale  I. K, për efekt të zbatimit të vendimit penal administrativ “arrest në burg” dhënë nga Gjykata e Moskës me datë 18.02.2022.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, me vendimin nr. 578 (4901)datë 14.11.2023, ka vendosur:

Pranimin e kërkesës.

  1. Lejimin e ekstradimit, të shtetasit K për efekt të zbatimit të vendimit penal administrativ “arrest në burg” dhënë nga Gjykata e Moskës me datë 18.02.2022.
  2. Një kopje e këtij vendimi t’i komunikohet Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë dhe Ambasadës së Federatës Ruse në Republikën e Shqipërisë.

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë, nga personi nën hetim me iniciale I. K, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit dhe refuzimin e ekstradimit në Federatën Ruse.

Në përfundim të gjykimit, sot më datë 20.03.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtare znj. Lutfije Celami,  vendosi:

Lënien në fuqi të vendimit nr.578 (4901), dt.14.11.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.

-Një kopje e vendimit ti komunikohet Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë dhe Ambasadës së Federatës Ruse në Republikën e Shqipërisë.

Tiranë, 20.03.2024

GJYKATA E APELIT TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese