Sot është ndarë nga jeta në moshën 53-vjeçare Nikollë Shyti, një nga punonjësit specialistë më të dalluar të Bashkisë së Mirditës.
Shyti, ka qenë përgjegjës i tatim-taksave në Bashkinë e Mirditës.
Lajmin e hidhur e bën me dije Kryetari i Bashkisë, njëkohësisht miku i tij Ndrec Dedaj.
Postimi i kryebashkiakut të Mirditës
Miq, na u nda nga jeta parakohe njëri nga specialistët më të mirë të bashkisë sonë, Nikollë Shyti!
Mora lajmin e hidhur se miku ynë i mirë, përgjegjësi i tatim-taksave në bashkinë Mirditë, Nikoll Shyti, është ndarë sot nga jeta në Itali ku kurohej prej kohësh për një sëmundje të pashërueshme, e cila ia ndërpreu jetën parakohshëm në moshën 53 vjeçare.
Jo vetëm unë si drejtues i bashkisë, por dhe gjithë ata që e kanë njohur e që e kanë pas përkrah në punë, por dhe në jetën e përditëshme, gëzime apo halle, kanë parë tek Nikoll Shyti, një mirditas të jashtëzakonshëm, i urtë e fjalëmenduar si rrallëkush.
Bir i Konajve të Fanit, nga një familje me vlera të larta shoqërore, ai dha kontribut të pamatë në krahinën e vet, edhe si specialist i financave dhe ekonomisë, por dhe si drejtues i komunës apo drejtues i shkollës së mesme atje, dhe më pas i shërbeu Mirditës në mënyrën më të mirë të mundshme si drejtues i axhensisë së sigurimeve shoqërore në Rrëshen dhe sëfundmi si përgjegjës i tatim- taksave në bashkinë Mirditë.
Cilësitë e tij të mira, ai i kultivoi me kujdes atëror si rrallë njeri tek katër vajzat dhe djali i tij, të cilëve ashtu si bashkëshortes, prindërve, dhe të gjithë të afërmëve, miqve e shokëve, të njohurve e familjes gjërësisht, gjej rastin t’u shpreh ngushëllime të thella në emrin tim dhe gjithë stafit të bashkisë, ku ai, tashmë, ka gdhendur emrin e tij të mirë si profesonist i zoti, zyrtar model dhe korrekt, bashkëpunues perfekt, shok e mik i vyer.
Pushofsh në paqe, mik!