Hapësire reklamuese

Rajoni

Hovenier, mesazhi i fundvitit: Dialogu Prishtinë-Beograd mbyllet me njohjen e Kosovës

Shkruar nga Newsbomb
Hovenier, mesazhi i fundvitit: Dialogu Prishtinë-Beograd mbyllet me njohjen

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale shkruan se Uashingtoni shpreson se në 2024 dialogu Kosovë-Serbi të ketë përparim real.

Hovenier duket se ka bërë të qartë se Uashingtoni pret që gjatë vitit 2024 Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë plotësisht marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve.

“Në 2024, shpresojmë të shohim një përparim real, duke përfshirë Serbinë që ndërmerr hapa të rëndësishëm për përmbushjen e të gjitha detyrimeve të saj sipas kësaj marrëveshjeje, si dhe Kosovën që gjithashtu i përmbush detyrimet e saj, përfshirë këtu lëvizjen drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.” – shkruan ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier.

Hovenier në këtë mesazh i drejtohet edhe Beogradit ku thotë se dialogu duhet të përmbyllet me njohje të ndërsjellë mes dy shteteve.

“Përfundimisht, ky proces i normalizimit përmbyllet me njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, teksa të dyja vendet kërkojnë të përmbushin rrugëtimin e tyre drejt BE-së. Zbatimi i Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të zbatimit paraqet një hap madhor drejt asaj të ardhmeje”, - u shpreh Hovenier.

Marrëveshjen Bazë Kosova dhe Serbia e arritën më 27 shkurt në Bruksel, ku më pas u dakordësuan në Ohër për Aneksin dhe zbatimin e saj, por që ende nuk ka filluar zbatimi.

Komuniteti ndërkombëtar vazhdimisht i ka kërkuar Kosovës që të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që do të duhej t’i jepte vendimmarrje më të madhe serbëve në Kosovë.

Një draft-statut për Asociacionin iu prezantua Kosovës dhe Serbisë në tetor nga përfaqësuesit e BE-së, Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë dhe Italisë.

Megjithatë, së fundmi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se ai dhe disa ministra të tij do të shkruajnë draft-statutin për Asociacionin.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese