Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Historia e panjohur e ish-ministrit të Drejtësisë, i cili nuk pranoi të çonte Kurorën e Skënderbeut në Romë

Shkruar nga Newsbomb
Historia e panjohur e ish-ministrit të Drejtësisë, i cili nuk
Vasil Avrami

Publikohet historia e panjohur e Vasil Avramit me origjinë nga qyteti i Korçës, ku babai i tij, Rafaeli që njihej si një pronar i madh tokash, e dërgoi të birin të studionte fillimisht në Athinë dhe më pas në Stamboll, ku ai u diplomua në Fakultetin e Drejtësisë me rezultate të larta.

Pas kësaj, ai u kthye në vendlindjen e tij në Korçë, ku në vitet 1917-1918, shërbeu si Kryetari i Bashkisë së qytetit dhe në 1925-ën, u zgjodh deputet i Parlamentit Shqiptar së bashku me Pandeli Evangjelin e Koço Kotën dhe deri në vitin 1939, ai mbajti edhe postin e Ministrit të Drejtësisë në disa kabinete qeveritare. E gjithë historia e ministrit Avramit, nga refuzimi për të marrë pjesë në delegacionin që dërgoi në Romë ‘Kurorën e Skënderbeut’ për Mbretin Viktor Emanueli i Tretë, te mospranimi nga ana e tij e ‘ofertës’ së Xhaferr Devës, për të marrë një post të lartë në qeverinë shqiptare nën pushtimin gjerman dhe burgosja nga regjimi komunist e persekutimi i familjes së tij.

“Pas 7 prillit të vitit 1939, kur Italia fashiste kreu agresionin ushtarak ndaj Shqipërisë, babai im Vasil Avrami, dha dorëheqjen nga posti i Ministrit të Drejtësisë që kishte mbajtur për disa vite në kabinetin e Koço Kotës, dhe u kthye në Korçë duke u shprehur se s’kishte ndërmend të përzihej më me politikë. Disa ditë pas kësaj në shtëpinë tonë që ndodhej afër Mitropolisë, erdhën disa zyrtarë të asaj kohe dhe i thanë babait se ishte caktuar në delegacionin që do të shkonte në Itali, për të çuar Kurorën e Skënderbeut, Mbretit Viktor Emanueli i Tretë. Babai nuk pranoi dhe refuzoi në mënyrë kategorike që ta bënte këtë gjë. Kështu që italianët e arrestuan dhe pasi e mbajtën disa ditë në Korçë, e sollën në Tiranë ku qëndroi në arrest shtëpie”.

Kështu dëshmonte në një intervistë ekskluzive për Memorie.al, Keti Avrami (Hobdari, lidhur me historinë e babait të saj Vasilit, i cili pasi u diplomua për Jurisprudencë në Stamboll, u zgjodh Kryetari i Bashkisë së Korçës, deputet në Parlamentin Shqiptar të periudhës së Monarkisë dhe Ministër Drejtësie në qeverinë e kryesuar prej kryeministrit, Koço Kota. Lidhur me këto dhe fakte të tjera nga jeta e ish ministrit Avrami, na dëshmonte e bija e tij Keti, e cila së bashku me motrën e saj, Zhanetën, gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës, deri në vitin 1990, do të vuanin luftën e egër të klasave.

Deputet dhe Ministër i Drejtësisë

Nga viti 1925 e deri në vitin 1939, Vasil Avrami, shërbeu si deputet i Korçës në parlamentin shqiptar dhe dy herë u emërua nga mbreti Zog, në postin e Ministrit të Kulturës. Lidhur me këtë periudhë kohe, e bija Keti, dëshmon: “Aty nga fillimi i vitit 1931, babai ynë dha dorëheqjen nga Ministër i Drejtësisë, post, që e kishte marrë dy tre muaj më parë. Kjo gjë ndodhi pas disa debateve të ashpra që u bënë në parlament, ku ai kundërshtoi miratimin e një ligji, që kishte të bënte me posedimin e pronave.

Nga miratimi i atij ligji, përfitonin pa të drejtë disa latifondistë, si Lalë Krosi, Maliq Beu nga Korça, etj., për të cilët në atë kohë u tha që kishin nxitur dhe atë ligj. Ndërsa nga ana tjetër, humbisnin një numër i madh bujqish të varfër që jetonin në fshatrat e Korçës dhe Pogradecit, ku Vasili ishte deputet. Ndonëse babai e kundërshtoi deri në fund ligjin, ai u miratua me shumicë votash. Nisur nga kjo, babai dha dorëheqjen dhe nuk pranoi që të qëndronte më Ministër Drejtësie. Ndonëse atij i’u lut Mbreti Zog, duke i thënë: Vasil nuk jemi në Angli këtu, që të japësh dorëheqje për këtë arsye”.

Pas dorëheqjes babai erdhi në Korçë ku u mor me administrimin e pronave të familjes. Por pas pak kohësh, Zogu e thërret babain në Tiranë ku i thotë që të pranojë sërisht postin e tij të mëparshëm. Arsyeja që Zogu ia kërkoi këtë detyrë, ishte për një ngjarje që kishte ndodhur në 1931, kur im atë kishte qenë Ministër Drejtësie. Në atë kohë, një inxhinier gjerman kishte bërë një projekt për Ministrinë e Punëve Botore dhe ankohej se nuk kishte marrë pagesën për punën e bërë. Babai urdhëroi ngritjen e një gjyqi dhe pasi inxhinieri gjerman fitoi të drejtën e tij, ai shkroi një artikull në revistën, “Neue Zeitung” të titulluar, ‘Drejtësia Shqiptare’.

Në atë artikull, inxhinieri vlerësonte lart drejtësinë shqiptare, duke shprehur se nga Shqipëria duhet të merrnin shembull vendet e Ballkanit. Kjo gazetë i ra në dorë Mbretit Zog dhe ai e falenderoi babain tonë për gjestin që kishte kryer. Ndërsa Zogu i kërkoi që të rimerrte përsëri postin e Ministrit të Drejtësisë, Vasili i tha: “Madhëri, ne punojmë për ju dhe për përsosjen e Monarkisë dhe demokracisë në Shqipëri”, kujton Keti Avramik, duke shtuar se babai i saj qëndroi në politikë deri në vitin 1939, kur u largua përfundimisht nga politika pas pushtimit fashist të vendit, duke dhënë dorëheqjen nga të gjitha funksionet dhe postet që mbante.

Arrestimi nga italianët

Lidhur me aktivitetin e Vasilit, gjatë periudhës së pushtimit fashist, Keti, kujtonte: “Pas dorëheqjes, babai erdhi në Korçë dhe filloi që të merrej me administrimin e pronave të familjes sonë. Në ditët e para të prillit 1939, në shtëpinë tonë erdhën disa politikanë të kohës dhe i thanë babait se ishte caktuar në delegacionin që do të çonte Kurorën e Skëndërbeut, Mbretit Viktor Emanuelit i Tretë në Romë. Babai e refuzoi në mënyrë kategorike këtë mision dhe pas kësaj, atë e arrestuan italianët, të cilët e mbajtën në arrest shtëpie në Tiranë.

Pas disa kohësh që babai qëndroi me roje i izoluar tek dera e shtëpisë, italianët urdhëruan lirimin e tij dhe ai u rikthye përsëri në Korçë. Pas kapitullimit të Italisë dhe ardhjes së gjermanëve, në shtëpinë tonë vjen Xhafer Deva, së bashku me një oficer gjerman dhe i luten babait tonë, që të merrte pjesë në qeverinë e regjencës. Por ai e refuzoi atë gjë me shumë qetësi, duke i’u thënë se kishte hequr dorë nga politika. Pas këtij fakti, Xhaferri dhe oficeri gjerman, filluan që t’i bënin presion, duke i thënë që në rast se nuk do pranonte, do t’i internonin familjen në Poloni. Atëherë babai u tha: Bëni ç’të doni me mua, por mos ma prekni familjen time, se ata nuk kanë asnjë përgjegjësi për vendimet e mia’.

Ndonëse Deva dhe oficeri nazist i vazhdonin presionet ndaj familjes sonë, ndaj nesh, nuk u mor ndonjë masë. Gjatë viteve të pushtimit gjerman, babai nuk u mor me politikë, por vazhdoi administrimin e pronave, me të cilat ushqehej familja jonë”, kujtonte Keti Avrami.

Arrestimi nga komunistët

Lidhur me aktivitetin e Vasilit pas vitit 1944, Keti Avrami kujtonte: “Duke parë se babai ishte i papërlyer me politikë, komunistët në fillim nuk e ngacmuan, ndonëse e lanë pa punë. Nga viti 1945 e deri në 1950-ën, babai u mor sërisht me ato pak prona që na kishin mbetur pa na sekuestruar. Ndërsa unë dhe motra ime Zhaneta, erdhëm në Tiranë, ku jetuam me qera në një dhomë të vogël në rrugën “Luigj Gurakuqi”. Në marsin e vitit 1950, teksa babai kishte ardhur në Tiranë, për të na parë ne të dyjave, ai u arrestua nga Sigurimi i Shtetit.

Babai qëndroi një vit në hetuesi dhe ne nuk dinim asgjë për të, pasi mendonim se mund ta kishin pushkatuar, pasi në atë periudhë, ndodhën dhe ekzekutimet e intelektualëve në atë që njihet si ‘incidenti i bombës në ambasadën sovjetike’. Në krye të një viti, babanë e liruan dhe siç na tregonte ai, atë nuk e kishin keqtrajtuar, por vetëm i bënin presion psikologjik. Pak ditë pas lirimit, Vasilin e internuan në fshatrat Levan e Radostimë të Fierit dhe më pas në Kuç të Vlorës. Në kushtet tejet të vështira në internim, në vitin 1956, babai u sëmur rëndë dhe e çuan në spitalin e Vlorës, ku mbeti i paralizuar. Kur babai mbushi plot 5 vite në internim, atë e liruan dhe e sollën në shtëpinë tonë në Tiranë. Që nga ajo kohë dhe deri në 13 gusht të vitit 1962, kur ai u nda nga jeta, mamaja jonë Dhimitra, i’a bëri të gjitha shërbimet”, kujtonte e bija e tij, Keti, lidhur me vuajtjet dhe persekutimin e familjes së saj në periudhën e regjimit komunist të Enver Hoxhës.

Historia e panjohur e Vasil Avramit, deputetit të Korçës

Vasili u lind në vitin 1890, në qytetin e Korçës, nga një familje me origjinë të hershme qytetare. Shtëpia e tyre ndodhej në rrugën “Thimi Mitko” afër Mitropolisë. Babai i tij quhej, Rafael Avrami, dhe njihej si një pronar i madh tokash. Ndonëse Rafaeli nuk u përzie me politikë, influenca e tij ishte e dukshme në Korçë, gjë që u shfrytëzua dhe nga politikanët e kohës. Në kujtimet e tij, Sejfi Vllamasi, midis të tjerash, shprehet se: “Themistokli Gëremenji, me taktikën e tij mundi të zgjedhë në këshillin qeveritar, persona me rëndësi si, Vasil Kondi, Dr. Noçka, Rafael Avrami, Vasillaq Singjelari, Thimi Cale, Jani Vangjeli, Qani Dishnica, etj.

Ndonëse Rafaeli nuk kishte shkollë të lartë, ai u kujdes që atë, t’ia plotësonte fëmijëve të tij. Dy djemtë e tij, Vasili dhe Sotiri, u shkolluan për Drejtësi, në Stamboll dhe Paris. Vasili, pasi mbaroi të mesmen në Korçë, shkoi në Athinë, ku kreu dhe gjimnazin klasik me rezultate të larta. Si rezultat i kësaj, ai fitoi të drejtën e studimit për Drejtësi në Stamboll, ku u diplomua në vitin 1915. Pas kësaj ai u kthye në qytetin e tij të lindjes, ku në vitet 1917-1918, shërbeu si Kryetari i Bashkisë së Korçës. Atë post e mbajti deri në vitin 1924, kur forcat fanoliste rrëzuan qeverinë e Shefqet Vërlacit.

Pas rikthimit të Zogut në pushtet në dhjetor të vitit 1924, Vasili si përkrahës i tij, u rikthye në Tiranë, ku kandidoi për deputet në zgjedhjet e vitit 1925, në qarkun e Korçës, ku familja e tij gëzonte ndikim të madh. Vasili, fitoi bindshëm ndaj rivalëve të tij dhe së bashku me Pandeli Evangjelin dhe Koço Kotën, hynë në parlament. Në po atë vit, ai u martua me Dhimitra Avramushin, që rridhte nga një familje emigrantësh në Kajro dhe nga kjo martesë, lindën dy vajzat Keti dhe Zhaneta.

Nga viti 1925 dhe deri në vitin 1939, ai ishte deputet I Parlamentit Shqiptar duke mbajtur dy herë postin e Ministrit të Drejtësisë, ku u shqua si politikan i pa korruptuar. Me pushtimin fashist të Shqipërisë, ai dha dorëheqjen sepse nuk pranoi që të shkonte në delegacionin që do t’i dorëzonte Kurorën e Skëndërbeut, Mbretit Viktor Emanueli i Tretë. Edhe gjatë pushtimit gjerman, ai qëndroi neutral, duke mos marrë pjesë në qeverinë e regjencës. Pas ardhjes së komunistëve në pushtet, ai në fillim nuk u ngacmua, por u morr me menaxhimin e pronave të tij. Në vitin 1950, ai u arrestua nga Sigurimi i Shtetit dhe pasi u mbajt për një vit në hetuesi, lirohet në 1951-in. Pas kësaj, ai u internua për pesë vite në fshtrat e Myzeqesë dhe të rrethit të Vlorës, ku nga kushtet e këqija, u sëmur rëndë dhe u paralizua. Pas lirimit të tij nga internimi, atë e sollën në Tiranë, ku e shoqja e tij Dhimitra dhe dy vajzat, i shërbyen me shumë përkushtim deri sa ai ndërroj jetë në 13 gusht të vitit 1962./Memorie.al

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll