Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Historia / 18-vjeçarja shqiptare: Si më "rrëmbyen" dy vajza të maskuara

Shkruar nga Newsbomb

Frika ndaj reagimit të babait për largimin e saj pa adresë nga shtëpia ku banonte në Greqi dhe përpjekja për të mbuluar “arratinë” me një djalë, ka shtyrë një 18-vjeçare të krijojë një skenar pengmarrjeje.

Historinë imagjinare, ku rrëmbyeset ishin dy femra të maskuara, ajo e ka rrëfyer para oficerëve të Policisë Gjyqësore, pasi më herët familjarët kishin denoncuar zhdukjen e saj, shkruan “Panorama”.

Ngjarja e ndodhur në shkurt të këtij viti nuk ka përfunduar bukur për 18-vjeçaren B. D., e cila është proceduar penalisht për akuzën e “deklaratave të rreme para oficerit të Policisë Gjyqësore”.

Pak ditë më parë ajo është deklaruar fajtore dhe është dënuar me 50 mijë lekë gjobë. Sipas vendimit të gjykatës, historia ka nisur në fund të janarit, kur babai i 18-vjeçares ka kallëzuar në Policinë e Tiranës zhdukjen e vajzës së tij në shtetin grek, ku ajo jetonte prej gati një viti.

Disa ditë më vonë, vajza është kthyer në familjen e saj në Tiranë. Për shkak të denoncimit të bërë për zhdukjen e saj, e reja është paraqitur në komisariatin ku u regjistrua denoncimi, për të dhënë shpjegime. Në deklarimet e dhëna prej saj ajo ka pohuar mes të tjerash se kishte dalë nga shtëpia për të shkuar në supermarket, kur ishte rrëmbyer nga dy vajza të panjohura.

Sipas 18- vjeçares, dy vajzat e kishin hipur në një makinë me forcë dhe e kishin dërguar te një banesë e panjohur për të. “Aty ato e kanë mbajtur për 9 ditë rresht duke i dhënë bukë e ujë dhe se nuk kanë bërë asnjë lloj komunikimi. As kanë ushtruar dhunë dhe as ndonjë veprim tjetër nuk kanë kryer ndaj saj. Gjithashtu, shpjegon se vajzat rrëmbyese kanë qenë me maska dhe se nuk i njeh ato. Po këto vajza, pas 9 ditësh e kanë liruar duke e dërguar te stacioni i autobusëve për në Shqipëri dhe ajo është kthyer në shtëpi”, citohej deklarimi i rremë i të resë në vendimin e gjykatës.

Gati një muaj më vonë, 18-vjeçarja është paraqitur sërish para Policisë Gjyqësore, ku ka dhënë deklarimet të kundërta me ato të dhëna më herët prej saj. Ajo ka shpjeguar se e vërteta është se është larguar me dëshirën e saj nga shtëpia dhe ka qëndruar me një djalë, të cilin nuk ka dëshiruar ta identifikojë.

Sipas vendimit, deklarimet e rrema të bëra në Polici më datë 23.02.2016 i motivon me faktin se ka pasur frikë nga babai i saj, i cili është fanatik dhe mund ta ndëshkonte atë.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese