Tirana
clear sky
-4.5 ° C
-4.5 °
-4.5 °
74 %
1kmh
0 %
Mër
6 °
Enj
7 °
Pre
9 °
Sht
10 °
Die
10 °
E mërkurë, 8 Shkurt, 2023

Heshtja fajtore për rruspat te resorti i Irfan Hysenbelliut

spot_img

Lajme të ngjashëm

Nga Enton Abilekaj

Mediat e pronarit të “Prestige”, ia kishin ofruar me bujari mbështetjen Ramës. Ky është rasti kur Kryeministri nuk ka më nevojë për atë mbështetje, ose mendon se mbështetja i kushton më shumë sesa lufta dhe zgjedh luftën.

Për një qytetar indiferent do të dukej si Astiri, si 5 Maji, si Shkoza, do të dukej sikur News24 ka vendosur më në fund të mos heshtë kur dhuna e pushtetit personal, sfidon Gjykatat, dokumentet zyrtare që ka lëshuar vetë dhe shkel mbi biznesin, banesën, apo jetët e njerëzve. Në fakt është një resort i pronarit të medias së rëndësishme, që sot po përjeton atë që injoroi, dhunën e pushtetit mbi jetët e njerëzve të pambrojtur. “Prestige Resort” ka kush e mbron.

Jo vetëm media që zotëron, por edhe opozita. Vetëm mediat konkurente, apo ato të kontrolluara nga qeveria heshtin. Bashkë me një pjesë të shoqërisë civile që, ose hesht, ose i kujton pronarit të resortit, flirtet me pushtetin e Edi Ramës, kundër qytetarëve të pambrojtur. I kujtojnë prishjen e teatrit, prishjen e banesave te 5 Maji për interesa jopublike, lënien jashtë të banorëve të Astirit në mesin e dimrit, për të favorizuar firmat preferenciale, prishjen e banesave në Shkozë, në Paskuqan, ku familjet u bastisën si kriminelë të armatosur, me gaz lotsjellës dhe rruspa ende pa gdhirë dita. Të gjitha këto, janë raste kur mediat e pronarit të “Prestige Resort” heshtën.

Në ekranin e TV që zotëron, shfaqej Rama me shirit në dorë dhe Veliaj duke mallkuar të mjerët e pambrojtur si pengues të zhvillimit. Kur News24 i jepte të drejtë shpëtimtarëve të Rilindjes, që në kundërshtim me vendimet e Gjykatave, prishnin çfarë gjenin përpara, për interesat e tyre, kur media e Hysenbelliut brohoriste për pushtetin që po nëpërkëmbte Shtetin ndërsa shkatërronte jetët e njerëzve bashkë me trashëgiminë historike dhe kulturore. Këtë gabim sot po e bëjnë ata që, heshtin ose justifikojnë Ramën, në sulmin ndaj resortit.

Ata që pretendojnë se nuk u takon kjo betejë mes të dyve, që vetëm sa e shkatërron më keq interesin publik. Ata që shohin se si TV që heshti dje për interesin publik, sot po transmeton 24 orë në 24 prekjen e interesit privat të pronarit, duke përdorur frekuencën publike. Ata që me të drejtë e fajësojnë opozitën që është përfshirë në këtë cështje si përfituesja e tretë nga konflikti, si mbrojtëse koncesionare e interesit privat të pronarit të News24, jo si mbrojtëse e interesit publik. Të gjitha këto janë të vërteta, por kjo nuk është arsye për të heshtur, as për të justifikuar Pushtetin personal të Edi Ramës. Ky është rasti tjetër kur Pushteti Personal po shkallmon Shtetin duke injoruar ligjin, vendimet e gjykatave, lejet e dhëna nga institucionet e tij dhe licencat verbale për të rrëmbyer pronën publike. Njësoj sic e injoroi kur ia dha benefitet për t’i marrë mbështetjen, por vepron sot kur nuk ia do më mbështetjen.

E vërtetë, ky nuk është rasti i goditjes për shkak të fjalës së lirë. Mediat e pronarit të “Prestige”, ia kishin ofruar me bujari mbështetjen Ramës. Ky është rasti kur Kryeministri nuk ka më nevojë për atë mbështetje, ose mendon se mbështetja i kushton më shumë sesa lufta dhe zgjedh luftën. Kjo është beteja që Rama ka zgjedhur të bëjë me mediat e Irfan Hysenbelliut, jo mediat e tij me Ramën, është zgjedhja e Ramës për ta patur oponente, jo e kundërta, është opozitë e zgjedhur nga vetëm pushtetari absolut, me besimin se duke ia shkatërruar burimet financiare, do ia mbyllë përfundimisht gojën. Ndërsa kjo betejë zhvillohet brenda pushtetit, Rama po e centralizon pushtetin edhe në media. Ndërkohë që, për të emëruar opozitën politike po përdor gjykatën, për të centralizuar kontrollin e medias po përdor institucionet që varen prej tij. Gjyakat, prokuroria, SPAK kanë detyrë vetëm të heshtin në këtë rast.

Njësoj si ata që e trajtojnë këtë thjesht si një betejë brenda pushtetit, pa parë se mjetet dhe pasojat që po përdor Kryeministri, janë shkatërrimtare për aq sa ka mbetur nga ideja e Shtetit të së Drejtës, për aq sa ka mbetur pa u prekur plotësisht nga kontrolli absolut i Kryeministrit. Heshtja e sotme ia lehtëson instalimin përfundimtar të regjimit Edi Ramës, ia justifikon Drejtësisë përdorimin me telekomandë prej tij, ua legjitimon përdorimin bashkëpunëtorëve të regjimit. Kjo nuk është betejë për të mbrojtur një biznesmen apo një media, por për të penguar sa më shumë të jetë e mundur një aksion të dhunimit të Shtetit për të zgjeruar më shumë pushtetin personal të një njeriu.

Më shumë


spot_img









spot_img